Demarkacioni i me Malin e Zi – Haradinaj: Kemi ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës

"Duke pasur parasysh se megjithatë e kemi ruajtur tërësinë territoriale, kemi edhe mundësinë e korrigjimit për Çakorrin dhe Kullën", deklaroi Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj...

Demarkacioni i me Malin e Zi – Haradinaj: Kemi ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, foli të enjten për gazetarët në hollin e Kuvendit pak para se të hyjë në seancë.

Ai njoftoi se seanca, ku pikë e rendit të ditës është Demarkacioni me Malin e Zi, do të mbahet të martën që vjen (20 mars).

Ky vendim, sipas Haradinajt, është marrë pas konsultimeve me të gjitha partitë politike në vend.

“Sipas të gjitha gjasave, pas konsultave me grupet parlamentare, me partitë politike për të martën në orën 14 do të shkojmë në seancën për demarkacion”, deklaroi Haradinaj.

I pyetur nëse i kanë votat që duhen për të kaluar ratifikimi i marrëveshjes, Haradinaj beson se të zgjedhurit e popullit do ta përkrahin demarkacionin që nënkupton edhe heqjen e izolimit për qytetarët e Kosovës.

Edhe pse këtë proces e konsideron jo të lehtë, Haradinaj tha se këtë po e bën për shkak se nuk mund ta shohë popullin e tij të izoluar.

“Të gjithë deputetët e Kosovës janë të Kosovës dhe jam i bindur që me votën e tyre të lirë do të përkrahin në këtë rast zgjidhjen e marrëveshjes së kufirit, tërësinë territoriale në këtë rast dhe zhbllokimin ose heqjen e izolimit për qytetarët e vendit. T’ju them të drejtën, për mua nuk ka qenë një proces i lehtë, nuk është një proces i lehtë, por nuk mundem ta shoh popullin tim të bllokuar dhe të izoluar siç po ndodh deri tani. Duke pasur parasysh se megjithatë e kemi ruajtur tërësinë territoriale dhe mundësinë e korrigjimit për Çakorrin dhe Kullën”, tha kryeministri.

Haradinaj nuk tha konkretisht nëse i kanë të gjitha votat duke shtuar se këtë do ta shohin të martën.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur deri më tani tri seanca për demarkacionin, por që kanë dështuan pasi nuk është arritur që t’i kenë votat e mjaftueshme për ta votuar atë.

Deri më tani, kundër demarkacionit janë zyrtarisht Lista Serbe, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët që tashmë kanë formuar grup të vetin parlamentar. /ATSH



Lajme të ngjashme