Në Shqipëri protestohet për më shumë të drejta ndaj gruas dhe kundër dhunës

Gratë dhe vajzat të cilat kanë luajtur rol të rëndësishmëm në diplomacinë shqiptare janë bashkuar në Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme në kuadër të ditës së gruas.

Në Shqipëri protestohet për më shumë të drejta ndaj gruas dhe kundër dhunës

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas në Shqipëri janë mbajtur veprimtari të ndryshme, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisëorganizoi konferencën me temë: “Roli i gruas shqiptare në shtetformimin, modernizimin dhe evropianizimin e Shqipërisë”.

Në këtë aktivitet morën pjesë ministri i Jashtëm i  Shqipërisë, Ditmir Bushati, përfaqësues nga shoqëria civile, bota akademike, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, etj.

E pranishme në këtë aktivitet, ish-deputetja Majlinda Bregu nuk nguroi të shpaloste platformën e saj si kandidate për Sekretare të Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe të kërkonte mbështetjen e diplomatëve të huaj.

"...Unë nuk besoj se ministri Bushati më ka thirrur vetëm si përfaqësuese e opozitës ku vazhdoj të jem akoma, por edhe për pozicionin për të cilin kam aplikuar. Për herë të parë shoh një përpjekje mbarëkombëtare jo vetëm të shtetit shqiptar, por të të gjithë shqiptarëve për të mbështetur jo vetëm një grua që kandidon për një pozicion të rëndësishëm, por për ti dhënë atë që meriton...".

Kandidimin e Majlinda Bregut për Sekretare të Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Ministri Bushati e shikon arritje për një grua shqiptare dhe maturi të institucioneve të shtetit.

"...Nuk ka zgjerim te koalicionit, por ka një pjekuri nga ana e shoqërisë shqiptare për të mbështetur jo thjesht një grua në karrierë....".

Gjithashtu  Bushati tha se roli i grave në procesin e shtetformimit ka qenë vendimtarë dhe sipas tij, “duhet të bëjmë më shumë si shoqëri për t’i dhënë vendin që meriton gruas”.

Ndërsa përsa i përket debatit për kuotat e përfaqësimit të gruas në jetën publike dhe ekonomike të vendit, Bushati tha: “Në shërbimin e jashtëm më shumë se gjysma janë zonja dhe zonjusha, në pozicionet drejtuese kemi më shumë se 1/3 e zonjave dhe zonjushave që shërbejnë dhe që përpiqen për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptarë”.

Mesazhe për Ditën Ndërkombëtare të Gruas kanë bërë politikanë të lartë shqiptar. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u ka uruar 8 Marsin të gjitha grave e nënave nga ambientet e Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë "Ramazan Kabashi" në Tiranë.

Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me anëtaret femra të Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës dhe drejtueset e njësive administrative të Tiranës, ishin pjesë e aktivitetit për mbjelljen e 500 pemë në një hapësirë të re të Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, që do te quhet “Shtegu i Nënave”.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Tiranë, qindra gra dhe vajza të organizuara nga disa organizata të shoqërisë civile kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kërkuar më shumë të drejta për femrat dhe për të protestuar kundër dhunës ndaj tyre.

Protestueset mbanin në duar pankarta që përcillnin mesazhe të ndryshme, për barazi gjinore dhe kundër dhunës ndaj grave.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme