Evropës i ngadalësohet ora, shkak mosmarrëveshjet politike Kosovë-Serbi

Mosmarrëveshjet politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë shkaktuar probleme teknike në rrjetin e energjisë elektrike të Evropës duke pasur efekt edhe mbi orët digjitale, të cilat hera-herës kanë treguar deri në 6 minuta vonesa...

Evropës i ngadalësohet ora, shkak mosmarrëveshjet politike Kosovë-Serbi

Mosmarrëveshjet politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë shkaktuar probleme teknike në rrjetin e energjisë elektrike të Evropës.

Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO-E) bëri thirrje përmes një deklarate të shkruar që përveç zgjidhjes teknike të problemit të devijimit të frekuencave që ndodhi në Evropë, ky problem të zgjidhet urgjentisht edhe në aspektin politik.

Në deklaratë thuhet se në Sistemin e Energjisë Elektrike të Kontinentit të Evropës, i cili sinkronizohet në 25 shtete të Evropës nga Spanja në Turqi dhe nga Polonia në Holandë, ka një devijim të frekuencave të sistemit që nga mesi i muajit janar.

Sipas Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike, arsyeja e devijimit është se gjatë kësaj periudhe Kosova nuk ka arritur që të prodhojë energji elektrike të mjaftueshme për veten duke shtuar se Serbia ka përgjegjësinë e përmbushjes së nevojës së Kosovës për energjisë elektrike, në mënyrë që rrjeti i energjisë elektrike në Evropë të jetë në gjendje qëndrueshme.

Më tej në deklaratë thuhet se devijimi në frekuenca ka pasur efekt edhe mbi orët digjitale, të cilat hera-herës kanë treguar deri në 6 minuta vonesa.

Nga ana tjetër, ENTSO-E është shprehur se kjo situatë e paprecedentë ka shkaktuar humbjen e 113 gigavatë orë (GWh) energjie elektrike. Ky organ apeloi që të mënjanohen sa më shpejtë armiqësitë politike midis dy vendeve fqinje të Ballkanit dhe të përcaktohet urgjentisht se nga kush do të mbulohet humbja në fjalë.

Serbia vazhdon që të konsiderojë si pjesë e territorit të saj Republikën e Kosovës, një shtet i pavarur dhe i njohur nga 116 vende anëtare të OKB-së.

Në vitin 2011, një proces dialogu nisi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por ky proces është ndërprerë sidomos për shkak të tensionimeve gjatë muajve të para të dy viteve të fundit.



Lajme të ngjashme