Shqipëri – Ministri Xhafaj: Operacionet antikrim në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij në Kuvendin shqiptar, paralajmëroi disa operacione të rëndësishme kundër krimit në bashkëpunim me organizata të huaja partnere...

924301
Shqipëri – Ministri Xhafaj: Operacionet antikrim në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj gjatë fjalës në Kuvendin shqiptar paralajmëroi disa operacione të rëndësishme kundër krimit në bashkëpunim me organizata të huaja partnere.

Ministri i Brendshëm tha se shumë shpejt do të bëhen publike rezultate të operacioneve të tjera të rëndësishme antikrim.

Xhafaj nënvizoi se policia është e përfshirë në disa operacione të rëndësishme antikrim me partnerë të rëndësishëm si FBI, DEA, GdF, Europol dhe agjenci homologe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian

"…Deklaroj se aktualisht, policia është e përfshirë në disa operacione shumë të rëndësishme antikriminale me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtar si FBI-ja dhe DEA, me antimafien dhe Guardia di Finanza, si dhe me disa agjenci homologe, të vendeve anëtare të BE-së rezultatet e të cilave shpresoj që shumë shpejt të jenë publike…".

Ministri Xhafaj akuzoi opozitën shqiptare për sulmet ndaj Policisë së Shtetit shqiptar pikërisht në rastin e kapjes së sasisë rekord prej 613 kg kokainë javën e shkuar, duke theksuar se opozita mund ta përshëndeste si operacion qoftë edhe për pragmatizëm.

“…Natyrisht, policia e shtetit ka akoma shumë për të bërë. Procesi i vettingut shpresoj se do të sjellë një standard të ri. Është qartësisht e dukshme që Policia e Shtetit po arrin rezultate të dukshme kundër krimit….Në këto zhvillime, është për fat të keq reagimi i një pjesë të opozitës…” .

Presidenti i Shqipërisë, Meta, përkujton 574-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore të zhvilluara me rastin e 574-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në ceremonitë zyrtare ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë së Kosovës,Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, drejtues të pushtetit vendor të Lezhës, deputetë si edhe personalitete të ndryshme shqiptare nga rajoni.

Presidenti Meta, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj dhe nga të personalitete e tjera të ftuar, vendosi një kurorë me lule në Muzeun-Memorial të Vendvarrimit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Obeliskun e Besëlidhjes, Presidenti i Republikës mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh:

“…Do të doja të përforcoja mesazhin kryesor që jep kjo beslidhje dhe që e ka lënë si amanet Skënderbeu, për të gjithë gjeneratat dhe kombin tonë. Atë të bashkimit në interes të kombit, atë të sinergjisë pozitive të shqiptarëve për të bërë vepra të mira që i qëndrojnë kohës dhe e lartësojnë kombin tonë...”. 

Në 574-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, kreu i shtetit shqiptar, Ilir Meta, theksoi se duke i qëndruar amanetit të Skënderbeut, Shqipëria do të përforcojë akoma më tej pozitën e saj kudo në botë.

“…Unë besoj që në këtë vit të Skënderbeut ne të gjithë do të bëjmë gjithçka që ti qëndrojmë këtij mesazhi për të forcuar akoma më tej pozitën e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në rajon dhe botë si një vend dhe komb i qytetëruar

Ne flasim për arritje për integrimin europian por nuk ka kontribut më të shquar sesa i Skënderbeut, përveç i bashkimit të kombit dhe ai i përcaktimit të identietit tonë si europian dhe si kontribues me merita madhore në këtë drejtim të mbrojtje të vlerave europiane…”.

Filluan restaurimet e objekteve historike të kultit Islam nga TIKA

Agjencia turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA përveç projekteve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme në Shqipëri, ka marrë përsipër restaurimin e monumenteve historike me misionin e mbrojtjes, rijetëzimit dhe dorëzimit brezave të ardhshëm të kësaj trashëgimie kulturore të përbashkët.

TIKA deri më sot ka përfunduar restaurimet tërësore të Xhamisë së Kalasë së Prezës, ku në maj të vitit 2015 mori pjesë në përurimin e saj Presidenti i Turqisë, Rexhep Taiip Erdogan, Xhamisë së Pazarit Krujë, Xhamisë së Nazireshës Elbasan, Xhamisë së İljaz Bej Mirahorit në Korçë dhe Xhamisë së Plumbit në Berat.

Në kuadër të projekteve të bashkëpunimit dhe asistencës teknike, planifikuar të realizohen në Shqipëri gjatë vitit 2018, kanë përfunduar përgatitjet e duhura për fillimin e punimeve të zbatimit të restaurimit të 5 objekteve, pjesë e trashëgimise së përbashkët historike dhe kulturore, janë përcaktuar firmat kontraktuese dhe punimet të cilat kanë filluar në muajin mars 2018 dhe do përfundojnë brenda një periudhe 2 vjeçare.

Xhamitë që po restaurohen nga TIKA janë: Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, Xhamia e Pazarit në Gjirokastër, si dhe Xhamia e Mbretit, Teqeja e Halvetive dhe Xhamia e Beqarëve në Berat.

Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë dhe Muzeu Kombëtar “Marubi” memorandum bashkëpunimi

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë "Marubi" kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për digjitalizimin e plotë të Fototekës së Drejtorisë së Përgjithshme e Arkivave.

Memorandumi i bashkëpunimit, i cili u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido dhe drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, ka për qëllim realizimin e projekteve të përbashkëta në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, si: asistencë profesionale në arkivim, katalogim, digjitalizim, ekspozita, etj.

Në fjalën e tij, Bido u shpreh se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të bëhet i mundur sistemimi i gjithë fototekës së DPA-së, që sipas tij, do lehtësojë aksesimin nga publiku të fotografive të rralla.

Ndërsa, drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, duke folur për memorandumin e bashkëpunimin mes këtyre dy institucioneve vlerësoi bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për digjitalizimin e koleksioneve të fototekës “Marubi”.

Është një moment i rëndësishëm për trashëgiminë në tërësi për të gjitha ato dokumente të fotografëve që shumë shpejtë do të dalin në dritë", tha ai. 

Fotografi të rralla nga vitet 1878-1945 do të përpunohen nga një grup pune i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, me ndihmën e ekspertëve të Muzeut Kombëtar të Fotografisë "Marubi".

Vlen të përmendet se vitin e kaluar, Agjencia turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim, TIKAi ka dhuruar Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë pajisje digjitale me qëllim për të përmirësuar infraksturën e digjitimit të dokumentave të rëndësishme arkivore, në mes tyre edhe ato osmane.

Dora e ngrohtë në këtë acar dimëror

Me synimin për të vijuar sigurimin e ndihmës ushqimore për familjet e fëmijëve jetimë edhe në këto ditë të acarta të stinës së dimrit, Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të veprimtarive te tij humanitare dhe me mbështetjen e partnerëve të saj si dhe donatorëve turq , përzgjodhi një ndër zonat veriore me perqendrimin më të madh të tyre, atë të qytetit të Shkodrës, për të realizuar projektin “Solidariteti human në ndihmë të fëmijëve jetimë gjatë stinës së dimrit”, nëpërmjet të cilit u synua dhurimi i një kontingjenti ndihmash në artikuj ushqimore, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.

Falë mbështetjes së ofruar nga Organizata e Ndihmave Sociale e Humanitare “HASENE” me qendër në Gjermani, nga ky projekt përfituan ndihma humanitare në pako ushqimore, 200 familje të fëmijëve jetimë të zonës së Shkodrës.

Nga ana tjetër, Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit në fushën e arsimit dhe të kulturës, zhvilloi në sallën e konferencave të saj projektin “Libri dhurata më e çmuar” që synon të kontribuojë në mënyrë modeste për të pasuruar bibliotekat e studentëve të programit të bursave të ekselencës.

Përmes realizimit të këtij projekti, 40 studentëve në shenjë vlerësimi dhe inkurajimi iu dhuruan 40 pako me kolanen e veprave të personalitetit dhe mendimtarit të shquar Alia Izetbegoviç, që përbëjnë një burim të mirëfilltë dijesh dhe iu ofrojnë atyre një gamë të gjerë njohurish e të dhënash nga punime e studime interesante rreth shumë çështjeve të historisë, të kulturës, artit dhe filozofisë.

Vlen të theksojmë, se Alija Izetbegoviçi ishte njëri ndër intelektualët dhe politikanët më të popullarizuar dhe mjaft të suksesshëm në Bosnjë e rajonin e Ballkanit, sidomos në dy dekadat e fundit të shekullit XX (1983-2003).

Izetbegoviçi është i mirënjohur për librin e tij "Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit" i cilësuar si më i miri i viteve të 80-të. Ai, është autor edhe i shumë veprave të tjera, ai karakterizohej me një fuqi të rrallë observuese e perceptuese, posedonte nje natyrë krijuese nga e cila rrezatonte heshtje dhe qetësi e brendshme, urtësi mirëkuptimi për njeriun dhe botën që e rrethon si edhe guxim intelektual e politik për t’i emërtuar gjërat vetëm me emrin e tyre.

Alija Izetbegoviç  është shumë i respektuar nga bota perëndimore për krenarinë dhe mosfshehjen e identitetit të tij islam dhe nga bota myslimane si ideolog dhe shkrimtar i madh do të mbetet si një personalitet i madh dhe me ndikim ndoshta personaliteti islam më i shquar i fundit të shekullit të kaluar.

 

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri



Lajme të ngjashme