Kosovë – 20 vite nga rënia heroike e Adem Jasharit, kryekomandant i UÇK-së

Me rastin e vitit jubilar, 20-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit dhe të gjithë të rënëve për liri, u organizua manifestimi gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”...

Kosovë – 20 vite nga rënia heroike e Adem Jasharit, kryekomandant i UÇK-së

Adem Jashari lindi në rajonin e Prekazit të Drenicës në Kosovë, më 28 nëntor 1955. Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte kryekomandanti i UÇK-së.

Kurse në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy net.

Forcat policore filluan sulmin pa asnjë paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotsjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata "Amnesty International", në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Disa anëtarë dhe pasardhës të familjes Jashari ende jetojnë.

Ky është rast unik në historinë e luftërave. Ai mban titullin "Komandanti Legjendar i UÇK-së". Titulli "Hero i Kosovës" iu dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës.

Aktivitetet në FSK për Epopenë e UÇK-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 20 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari.
Në këtë ceremoni, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, si dhe personalitete tjera dhe qytetarë të shumtë. 
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila me shumë mund e sakrifica po krijon një imazh ri të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merr besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.  
“Kjo tokë ka njohur ushtar e ushtri të rrepta e guximtare, që nga radhët e dardanëve e deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtria e komandantit legjendar Adem Jashari. Ju, që po krijoni një imazh të ri të Kosovës me shumë mund e shumë sakrifica me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merrni edhe besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s”, ka thënë vec tjerash kryeministri Haradinaj. 

Seancë Solemne për nder të 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po organizohen nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kushtuar “Epopesë së UÇK-së” rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri, është mbajtur edhe seanca solemne e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë seancë, ku të pranishëm ishin përfaqësues institucional, kori diplomatik i akredituar në Kosovë, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, familjarë të dëshmorëve si dhe personalitete tjera të jetës politike e akademike në vend, fjalë rasti mbajtën kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj. 

Kryeministri Ramush Haradinaj, vlerësoi lart sakrificën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të Familjes Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Familja Jashari përshpejtoi kohën, përmbysi shekujt, ndërroi epokat dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit, si rast unik i flijimit për liri e dinjitet”, tha Haradinaj.

Kurse kryeparlamentari Veseli u shpreh se "Sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit. Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve: Asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria".

Largohet KFOR-i gjerman në Prizren, aty bëhet park inovativ dhe trajnues

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar vendimin me të cilën zotohet se parcela me 39.25 hektarë tokë, e cila aktualisht është në shfrytëzim të kontingjentit të KFOR-it gjerman, e regjistruar në emër të Republikës së Kosovës, pas tërheqjes së ushtarëve gjermanë të KFOR-it në fund të vitit 2018, prej datës 01.01.2019 do të vihet në shfrytëzim për qëllime publike. 

Qeveria e Republikës do të ndërmarr veprimet e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi, që kjo parcelë të shfrytëzohet për themelimin e parkut inovativ dhe trajnues kosovar- gjerman për një kohëzgjatje prej 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet me qëllim të zhvillimit socio-ekonomik dhe shkencor. 
Sipas projektit të përbashkët kosovarë-gjerman, në këtë zonë do të krijohet Parku Kosovaro-Gjerman për Inovacion dhe Trajnim.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministrit Ramush Haradianj përmendi fushat ku do të fokusohet ky projekt.

“Bëhet fjalë për fushën e inovacionit të teknologjisë për ndërmarrësin, sektori i informimit, arsim, edukim profesional, edukim jo formal, bujqësi, turizëm për krejt sferat ekonomike parashihen aktivitete ose veprimtari që do të ndikon direkt në rritjen ekonomike të vendit“, tha Haradinaj.

E ambasadori gjerman në Kosovë, Krisitan Heldt theksoi se qëllimi i tyre është që edhe pas largimit të KFOR-it gjerman, parku te jetë prezent dhe aktiv. 

“Me anë të këtij parku duam të vendosim edhe një ndërtesë në fushën e  arsimit dhe disa sektorëve të tjerë të cilat i kemi identifikuar dhe në përgjithësi të kontribuojmë në veçanti për të rinjtë në Kosovë, për  të ju krijuar perspektiva atyre këtu. Ky është një projekt i mrekullueshëm”, tha Held.

Parku do të jetë ndërthurje e hapësirave për kompanitë, për aftësimin profesional, institucione akademike, institucione qeverisëse të fushës së kulturës dhe organizatat qeveritare. Qëllimi kryesor është që të mblidhen në një vend kompanitë dhe akademikët, në mënyrë që kompanitë të përfitojnë nga dija dhe akademikët të përqendrohen në hulumtimet që janë të rëndësishme për biznesin.

Qeveria e Kosovës pranon aplikacionin e parë të “Investitorit Strategjik”

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka pranuar aplikacionin e parë për të fituar statusin e investitorit strategjik konform Ligjit për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme për qeverinë e Kosovës, u tha në një konferencë për media.

Kompania e parë që po aplikon është kompani vendore dhe është projekt i energjisë së ri-përtritshme.

Për ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kjo është një ngjarje shumë e rëndësishëm për qeverinë, pasi pritet të punësohen rreth 500 persona.

Fadil Hoxha nga kompania Jaha Group, tha se synimi i tyre është për të zhvilluar një industri energjetike solare në vend dhe më gjerë.  Sipas tij, me 1 mars 2019 pritet të instalohet impianti i madh energjetik.

Agjencia e Kosovës për Akreditim përjashtohet nga Regjistri Evropian

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, nuk mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës për raportim, pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Kryetari i Komisionit, Ismail Kurteshi, tha se përkundër se një ditë më heret ishte konfirmuar pjesëmarrja e ministrit, ky i fundit ka njoftuar Komisionin që nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje.

Kurteshi tha se për këtë arsye mbledhja do të shtyhet për ditën e martë, më 6 mars, kur edhe është mbledhja e rregullt e këtij komisioni.

Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për shkak të ndërhyrjeve politike, pas shkarkimit të bordit të agjencisë me vendim të kryeministrit. Ndërkohë, Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, përmes rrjetit social Facebook, ka theksuar se tendenca e largimit të tillë vjen si pasojë mosbesimi dhe dyshimi pas shkarkimit të bordit të agjencisë, të ndikuar jo pak nga informimi dashakeqës i ndonjë grupi interesi, apo lidhje-mbajtësi dashakeq për Kosovën.

“Ne nuk ndjehemi mirë me këtë tendencë largimi nga ky mekanizëm evropian dhe do ta ndihmojmë shumë Agjencinë që të sqarojë EQAR-in në këta tre muaj afat që kemi, për të ndalur largimin. Ne sigurojmë opinionin, EQAR, palët e interesit në Kosovë, se ne i mbajmë duart politike larg këtij institucioni dhe secilit institucion arsimor”, ka shkruar Ministri Bytyqi.

Ministri sqaron se këtë vendim e ka marrë me kërkesë të Kryeministrit për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit.

Banka Botërore interesohet për ndotjen e Ajrit në Kosovë

Përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Ministrisë së mjedisit diskutuan për shkaktarët e ndotjes së ajrit në Kosovë. Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se mbrojtja e mjedisit është obligim dhe zotim për brezat e ardhshëm.

Marco Mantovanelli nga Banka Botërore në Kosovë, tha se Prishtina është një vend shumë i ngrohtë dhe i qetë për të jetuar, por shtoi se është i shqetësuar për ajrin e ndotur.

“Jemi të shqetësuar për këto pjesët e vogla të cilat vështirë filtrohen dhe ngjiten nëpër mushkrit tona e të cilat janë në nivel të lartë. Ne do të analizojmë se nga vinë këto grimca, cilat janë burimet dhe çka mund të bëjmë për to”.

Në hapje të punëtorisë u tha se shkaktari më i madh i ndotjes në Prishtinë deri më tani është KEK-u dhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje.  

LDK thotë se presidenti Thaçi ka fshehur diskutimet me Vucicin 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që t’i adresohet Kuvendit të Kosovës lidhur me përmbajtjen dhe rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi deri më tani. Vjosa Osmani tha se presidenti Thaçi po e udhëheq një proces të tillë, pa qenë  mandatar për këtë çështje.

Osmani madje tha se Thaçi ka mbajtur të fshehta diskutimet, përmbajtjet në takimin me Vuçiqin, ndërsa theksoi se nuk mund të presim liberalizim të vizave, kur bota i ka mbyll dyert për liderët aktualë të cilët po kanë probleme me vizat.

LDK bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, që të ndërtojë strategji aktive për njohje nga shtetet e ndryshme dhe organizata, dhe të mos lejojë Serbinë të krijojë propaganda kundër Kosovës.

Krerët e gjykatave pranojnë se vendimet e gjykatave shpesh nuk janë të drejta

Gjykata Supreme ka lançuar udhëzuesin për politikën ndëshkimore në Kosovë, për arsye se cilësia e vendimeve gjyqësore nuk është e dëshmuar dhe argumentuar në mënyrën më të mirë. Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci tha se shpesh herë arsyetimi nuk është i duhur. Këto vendime bëhen të cenueshme nga gjykatat me të larta e në shumë raste shkohet në rigjykime për vite të tëra.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se përpara gjyqësorit të Kosovës është një rrugë e gjatë.

“Jam i vetëdijshëm që në gjykata në nivele më të ulëta shpesh hasen në problematika që bëjnë në ndërhyrjen e Gjykatës Supreme”, tha Tahiri.

Ndërkaq Greg Delawie, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, tha se përkundër përparimit, një ndër problemet që gjyqësori është duke hasur në Kosovë, janë dënimet jo të strukturuar mirë, besimi se në dënime ka dorë dikush, dallimet e mëdha të dënimeve në vende të ndryshme etj.

Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha se kritikat e publikut për sa i përket politikave ndëshkimore në Kosovë janë me vend andaj edhe shpreson që ky udhëzues të eliminojë dykuptimësitë në shqiptimin e dënimeve dhe në unifikimin e politikës ndëshkimore.

Kosova me patentë shoferë edhe në telefona mobilë

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Agjencisë për Regjistrim Civil, ka filluar me lëshimin e patentë-shoferëve me dizajn te ri.

Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj tha se patentë-shoferi me dizajn të ri si dhe patentë- shoferi mobil kanë shumë përparësi, pasi që mundësojnë  saktësi më të madhe në procedurën e kontrollit të patentë-shoferit. 

“Patentë-shoferët me dizajn të ri sigurojnë efikasitet të përmirësuar, pasi procesi është i shpejtë, transferon të dhënat dhe zgjatë vetëm disa sekonda si dhe është i sigurt dhe i qëndrueshëm”, theksoi ministri Sefaj.

Ministri Sefaj theksoi se është duke u planifikuar të merret një vendim për uljen e tarifave për pajisje me patentë-shoferë.

Ndërsa, drejtoi i Agjencisë së Regjistrimi Civil, ARC, Bekim Hoxha tha se dizajni i ri i patentë-shoferëve ka përfshirë ndryshimet e nevojshme që janë paraparë sipas direktivave të BE-së.

Po ashtu, ai bëri të ditur se në dizajnin e ri, te patentë-shoferi është i inkorporuar edhe QR-Code, i cili do të mundësojë zbatimin e patentë-shoferit mobil, të lëshuar javën e kaluar nga MPB. Me këtë rast, Kosova është bërë vendi i pare në botë që do të ofrojë ketë shërbim në telefonat e mençur.



Lajme të ngjashme