Të mërkurën seancë për demarkacionin, por jo i sigurt se a miratohet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli përmes një postimi në rrjete sociale ka bërë njoftimin e arritjes së konsensusit për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

Të mërkurën seancë për demarkacionin, por jo i sigurt se a miratohet

Partitë shqiptare brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, kanë arritur pajtimin me partinë opozitare LDK, për votimin në favor të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit. Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër kësaj marrëveshje, ndërkohë që Lista Serbe, partnere në koalicionin qeverisës, e cila ditë më parë po ashtu ka qenë kundër ratifikimit të marrëveshjes, nuk ka ndonjë përgjigje të qartë se cili do të jetë qëndrimi i saj ditën e mërkurë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli përmes një postimi në rrjete sociale ka bërë njoftimin e arritjes së konsensusit për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

“Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv. Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, ka shkruar ai.

Në postimin tjetër, Veseli ka bërë një sqarim.

“Pas bisedës që kam pasur me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit.

Falënderoj Kryeministrin Haradinaj dhe LDK-në për vullnetin e mirë që t’i kontribuojnë arritjes së konsensusit nacional.

“Ftoj edhe subjektet tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që të reflektojnë dhe të votojnë “pro” Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi”, ka përfunduar Veseli.

***

Kryeministri Haradinaj thotë se është mënjanuar pengesa e fundit

“Qytetarëve të Republikës së Kosovës ua konfirmoj se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, që siguron unitet politik në parlament”, ka postuar këtë njoftim në rrjete sociale kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

“Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç, si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit. Me marrëveshjen e re konsensuale, ndryshimi që ka pësuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror është shtesa ‘si orientim’ e shënuar me të kuqe, me kërkesë të LDK-së. Kjo fjalë ishte ajo që pengonte ratifikimin e marrëveshjes”, ka sqaruar Haradinaj.

***

Thaçi: Konsensusi, përfundimisht siguron liberalizim të vizave

Marrëveshja e partive politike për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës, ka shkruar kryetari I Kosovës Hashim Thaçi në rrjete sociale.

“Uroj të gjithë përfaqësuesit e këtyre partive politike për konsensusin e arritur, i cili përfundimisht siguron lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen. Ky unitet politik duhet të shërbejë si një kornizë afatgjate për gjetjen e zgjidhjeve për temat nacionale, të cilat kërkojnë vullnet dhe gatishmëri për të tejkaluar interesat e ngushta partiake dhe private”, ka thënë Thaçi. 

***

Hoti: Të kërkojmë nga BE-ja lëvizje të lirë

“Lidhja Demokratike e Kosovës e mirëpret gatishmërinë e partive të koalicionit për të pranuar propozimin e LDK-së lidhur me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi”, ka bërë njoftimin po ashtu në rrjete sociale shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.
“Kjo e hap rrugën që sa më parë në Kuvendin e Kosovës të ratifikohet kjo marrëveshje dhe të kërkojmë nga BE-ja që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, sikurse qytetarët e vendeve të tjera të rajonit. LDK-ja fton edhe Vetëvendosjen të bashkohet në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje që është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

***

Vetëvendosje thotë se marrëveshja është tradhti

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një kumtese, e ka quajtur marrëveshjen e djeshme, “pazar fjalësh që prapë ia humb Kosovës 8,200 hektarë”

“Kryeministri Haradinaj qenka marrë vesh me LDK-në për votimin e demarkacionit me Malin e Zi. E kanë shtuar fjalën “si orientim” për raportin e Komisionit Bulliqi, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë Raportin që akuzon e rrënon Komisionin Meha, edhe të mos e marrim seriozisht atë. Kështu nuk shkruhen e nuk bëhen ligjet. Ky pazar fjalësh na i humbet 8,200 hektarë njësoj. Ky projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar”, thuhet në kumtesën e VV-së.

VV thotë se “brenda vitit AAK-ja ndryshoi qëndrim për demarkacionin. Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin Bulliqi”.

“Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajt vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme. Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë. Nuk ka gjë më të keqe se sa kthimi në opozitë pas një qeverisjeje të dështuar. Kush mund të bashkëpunojë më me ty, nëse ia vendos vetes vulën e tradhtarit?”, thuhet në kumtesë.

Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë këtë Projektligj të dëmshëm. Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë atë”, thuhet në kumtesën e VV-së. 

***

Svecla: Ramushi ka mbetë veç edhe Murat Mehës t’i kërkojë falje

Deputeti i LVV-së Xhelal Sveclanë rrjetin social ka shkruar se “pasi ju nënshtrua PDK-së, e sot ju gjunjëzua pa kushte edhe LDK-së, Ramushi ka mbetur veç edhe Murat Mehës t’i kërkojë falje!

Më pasi, Svecla duke komentuar koncensusin e arritur për votimin e demarkacionit, ka shkruar: “Duke qenë se Kryeministri i njeh mirë të gjitha argumentet kundër këtij versioni të demarkacionit dhe pavarësisht kësaj po do që ta kalojë e bën atë edhe më përgjegjës se të tjerët. Qëndrimi i tij është zmbrapsje. Ai është zmbrapsur me t'u bërë kryeministër dhe po tërhiqet plotësisht tash kur e ka mundësinë që t'ia shpëtojë Kosovës 8,200 hektarë, ose t'i falë ato për të mbetur thjesht kryeministër. Asnjë lakmi nuk mund të jetë mbi shtetin dhe territorin e Kosovën. Askush nuk është i autorizuar për të nxjerr tokën e shtetit të Kosovës në pazare”, ka përfunduar ai.

***

Ambasadori amerikan me mesazh të ri për miratim të demarkacionit

Ambasadori amerikan Greg Delawie ka ftuar edhe njëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

Në Twitter ai ka thënë se kjo është mundësi e madhe që të vendoset për të ardhmen e Kosovës në Evropë.

Sipas tij, me votimin pro për demarkacion, Kosova transformohet për dekadën e dytë.

“Ka ardhur koha. Ratifikimi i marrëveshjes me 80 vota është esencial për të siguruar lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Politikanët kanë bërë kompromise të vështira për të arritur në këtë pikë. Kjo është mundësia më e mirë që kam parë për ta përfunduar këtë. Shpresoj t’i drejtoheni deputetëve se sa e rëndësishme është të kaloni këtë marrëveshje menjëherë. Le të jem i qartë, kjo është thjeshtë vota për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe mundësisë tuaj të udhëtoni. Shpresoj të më bashkoheni dhe të punojmë për sukses. Në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, kjo është mundësi e madhe që të transformoni vendin për dekadën e dytë”, ka thënë ai në një video të postuar në Twitter.

***

Rifilluan bisedimet në Bruksel, mes Prishtinës e Beogradit

Prishtina dhe Beogradi kanë rifilluar në Bruksel dialogun, me ndërmjetësim të BE-së. Të martën diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, energjinë dhe urën në Mitrovicë, përderisa të hënën është diskutuar për implementimin e marrëveshjes së lirisë së lëvizjes, drejtësisë dhe Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka njoftuar se të hënën në Bruksel, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, kanë zhvilluar biseda për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

Kocijançiq ka thënë se dy palët, në dialogun teknik, kanë biseduar për marrëveshjen për lëvizjen të lirë, atë për drejtësi dhe marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

“Bisedimet do të vazhdojnë të martën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, energjinë, urën në Mitrovicë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga Avni Arifi kurse delegacionit serb, nga Marko Gjuriq.

“Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive. Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë e tyre për të rifilluar diskutimet mbi tema të ndryshme”, ka thënë Kocijanciq.

Kurse presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka thënë se BE dëshiron normalizim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me një marrëveshje ligjërisht obliguese.

“Nuk na takon neve t’ju tregojmë se cili do të jetë karakteri i marrëveshjes, por i takon Beogradit dhe Prishtinës që të përcaktojnë se si do të duket”, ka thënë Juncker në Beograd, pas takimit të tij me presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic.

E presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se gjetja e një marrëveshjeje të ligjshme me Prishtinën është pengesa më e vështirë në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

“Është me rëndësi të gjendet kompromisi me shqiptarët dhe të kemi miqësi mes dy popujve. Edhe Beogradi edhe Prishtina do të humbnin diçka, e jo njëra palë të fitojë gjithçka e tjera të humbë”, tha Vuçiq.

***

Haradinaj kërkon financim të projekteve nga BERZH

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në Samitin e Londrës, të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Haradinaj në këtë samit ka prezantuar dhjetëra projekte konkrete, me qëllim financimin për realizimin e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, potencoi se në Kosovë mund të investohet në mënyrë të sigurt.

“Unë kam disa projekte me vete, që vijnë nga sektori publik dhe ai privat dhe janë disa ide për investime. Sfidat e Kosovës janë papunësia e lartë por është edhe një përparësi së kemi një popullatë të re për të punuar, do të them se ka mjaftë mundësi për investim në Kosovë”, është shprehur Haradinaj.

Kurse, kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq ka folur për disa projekte rajonale që mund të realizohen në bashkëpunim me shtetet fqinje.

Në këtë samit, qeveria e Kosovës ka prezantuar 39 projekte konkrete, që kapin vlerën e rreth 500 milionë eurove. Projektet vijnë nga sektori publik dhe ai privat.

***

Kryetari i Prishtinës dakordohet me BERZH për financimin e Unazës së Qytetit

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se është dakorduar me ekipin e Infrastrukturës komunale të BERZH për të negociuar financimin e Unazës së qytetit të Prishtinës.

Ahmeti përmes llogarisë zyrtare në Facebook, ka theksuar se ky projekt për realizim kushton mbi 60 milionë euro por që komuna nuk ka kapacitete ta financojë atë.

”Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim në Londër me ekipin e Infrastrukturës Komunale të BERZH u dakorduam për të negociuar financimin e Unazës së Qytetit. Ky projekt që kushton mbi 60 milion euro nuk mund të financohet nga komuna dhe kërkon kredi me garancion të sovranitetit nga qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ekipet e para teknike pritet të vijnë shumë shpejtë për ta vlerësuar fizibilitetin e rrugës”.

Ky dakordim u bë në takimin e së hënës në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim në Londër.

***

Bora e mbulon Kosovën

Bora që ka rënë dy ditët e fundit në Kosovë ka vështirësuar trafikun rrugor. Megjithatë sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, të gjitha rrugët në magjistrale janë të kalueshme. Ministria apelon për kujdes të shtuar nëpër akse të ndryshme rrugore si dhe përdorimin e pajisjeve dimërore.

Edhe në kryeqytet, zyrtarët thonë se rrugët janë të kalueshme.

***

Kosova pëson thellë nga Lituania

Kosova ka pësuar një tjetër humbje në kualifikimet për Botëror në basketboll. Këtë herë, ajo pësoi thellë nga Lituania 106:50, për të bërë që Lituania të arrijë më së shumti pikë në një ndeshje në këtë fazë kualifikimesh. Pak ditë më parë Kosova u mposht nga Polonia, me rezultat 90-62.

Në kuadër të Grupit C, Kosova është e fundit me vetëm katër pikë pas po aq ndeshjeve.

-Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI



Lajme të ngjashme