Turqia do të mbështesë arsimin e lartë në Malin e Zi

Mali i Zi do të ketë përherë përkrahjen e shtetit turk në avancimin e fushës së arsimit të lartë.

Kosova ile Karadağ arasındaki sınır sorunu.jpg
Srgjan Darmanoviq_Karadağ Dışişleri Bakanı.jpg
Karadağ turizmi_Ulqini_Ülgün sahilleri.jpg
Karadağ_Yunus Emre_panel.jpg

Rektori i Universitetit të Malit të Zi Prof. dr. Danilo Nikoliq u takua me Ambasadorin e Turqisë në Mal të Zi Z. Serhat Galip. Në takim u bisedua për avancimin e bashkëpunimit dhe vënien e urave komunikuese me institucionet e arsimit të lartë në Turqi. Vëmendje e veçantë iu kushtua mësimit të gjuhës turke në Universitetin e Malit të Zi. Në takim u tha se njohja e gjuhës turke i kontribuon punës hulumtuese shkencore në fushën e shkencave shoqërore humanitare. Këtë veçmas kur kemi para sysh që Mali i Zi dhe Turqia ndajnë të njëjtën kulturë  dhe histori dhe se në arkivin shtetërorë të Turqisë ekziston një numër i madh i dokumenteve i cili ende nuk është përkthyer në gjuhën zyrtare malazeze. Rektori Nikoliq dhe Ambasadori Galip , biseduan dhe për bashkëpunim më të afërt me Universitetet në Turqi. Për momentin Universiteti i Malit të Zi krahas bashkëpunimit bilateral me universitetet e Turqisë bashkëpunon edhe nëpërmes programit të Bashkimit Evropian ERASMUS Plus dhe programit të shkëmbimit të studentëve dhe personelit Mevlana që e financon Qeveria Turke. Rektori Nikoliq, mendon se bashkëpunimi ndërmjet dy Universiteteve përveç  lëmit të shkencave shoqërore – humanitare, mund të zhvillohet dhe në shkencat teknike dhe në art. Nga ana tjetër Ambasadori i Turqisë në Mal të Zi Z. Serhat Galip edhe në këtë takim theksoi se Agjencia Turke për Bashkëpunim Ndërkombëtarë dhe Koordinim TIKA do të vazhdojë të financojë ndërtimin e akademisë së arteve në Cetinjë, që funksionon në kuadër të Universitetit. Ai i bëri thirrje strukturave drejtuese  që të paraqesin edhe të tjera projekte që do të financoheshin nga TIKA. Në takim krahas rektorit Nikoliq me ambasadorin Galip ishin edhe pro rektorja e Universitetit Prof. Dr. Gjurgjica Peroviq dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit “Yunus Emre” në Podgoricë Can Guray.

                                                                               ***

Shefi i Diplomacisë malazeze Srgjan Darmanoviq: “S’do të ketë korrigjime të veçanta të vijës kufitare midis Malit të Zi dhe Kosovës”.

Parlamenti i Kosovës ka paralajmëruar se sot do të debatojë për projekt ligjin për Demarkacionin me Malin e Zi. Miratimi i këtij dokumenti do t’i hapë rrugë Kosovës dhe qytetarëve të sajë për lëvizje të lirë. Ditëve të fundit ndërmjet dy palëve ka pasur takime të niveleve më të larta përfshirë këtu edhe takimin ndërmjet dy presidentëve Vujanoviq – Thaçi. Shefi i diplomacisë malazeze, Srgjan Darmanoviq ka deklaruar se marrëveshja e demarkacionit është e mundur të përcaktojë disa korrigjime teknike të vijës kufitare, por nuk ka ndryshime të veçanta. Presidentët e Malit të Zi dhe Kosovës Filip Vujanoviq dhe Hashim Thaçi në deklaratën e përbashkët të nënshkruar, i bëjnë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen  për kufirin shtetërorë të nënshkruar në Vjenë në gusht të vitit 2015-të. I pyetur nëse në bazë të asaj marrëveshje mund të ndodhë ndryshimi i kufirit, Darmanoviq është përgjigjur se “deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviqit konfirmon atë që tashmë ekziston në marrëveshje në nenin 7”. Prandaj, nuk ka ndryshime të veçanta ka deklaruar Darmanoviq dhe ka shpjeguar se me nenin 7 të dy vendet pasi ta ratifikojnë marrëveshjen, komisioni duhet dalë në teren dhe ta kryej këtë proces. Sipas tij ekziston mundësia që disa korrigjime të vërtetohen metër për metër. Marrëveshja për kufirin duhet të ratifikohet e këtu bëhet fjalë për korrigjime eventuale teknike që nuk sjellin kurrfarë rezultati negativ për asnjërën prej palëve në procesin negociator ka thënë shefi i diplomacisë malazeze Srgjan Darmanoviq.  

                                                                            ***

Mali i Zi prezanton ofertën turistike në panairin e turizmit në Beograd.

Ministria e zhvillimit ë qëndrueshëm dhe turizmit e Malit të Zi dhe Organizata nacionale turistike në bashkëpunim me organizatat partnere strategjike të ekonomisë turistike, do të prezantojnë Malin e Zi në Panairin e 40-të ndërkombëtar të Turizmit IFT 2018, i cili do të zhvillohet në Beograd nga data 22-25 shkurt. Delegacionin e Malit të Zi do ta kryesojë Ministri i zhvillimit të qëndrueshëm dhe Turizmit Pavle Raduloviq, i cili në panair do të takohet me nënkryetarin e qeverisë së Serbisë dhe ministër i tregtisë, turizmit dhe telekomunikacionit Rasim Lajiq. Shoqata për turizëm e dhomës ekonomike e Malit të Zi dhe ajo e Serbisë në ditën e dytë të panairit do të organizojnë forumin turistik në temën Avancimi i Bashkëpunimit Rajonal Nëpërmes Shfrytëzimit të Mjeteve Zhvillimore –Ndihmë turizmit “.Në forum do të flasë sekretari shtetërorë në ministrinë e turizmit Damir Davidoviq dhe drejtoresha e Organizatës nacionale turistike Zhelka Radak Kukaviçiq. Në kuadër të promovimit në Beograd  më 23 shkurt organizata nacionale do të organizojë konferencë me gazetarë në stendën e Malit të Zi ndërkohë që hotelierët kanë paralajmëruar zbritje të veçantë çmimesh për vizitorët e panairit, ndërkaq përfaqësuesit e Organizatave Lokale Turistike do te kenë prezantime të larmishme të lokaliteteve turistike në Mal të Zi dhe ngjarjeve kulturore që parashihen të organizohen gjatë sezonit turistik. Përndryshe panairi ndërkombëtarë i turizmit në Beograd është njëri ndër manifestimet më të mëdha turistike në Evropën Jug- Lindore që këtë vit do të tubojë më shumë se 1200 ekspozues nga 50 vende. Pritet që këtë eveniment ta vizitojnë mbi 70 mijë pjesëmarrës.

                                                ***

Konferenca për imunizimin. Vaksinimi shpëton ç’do vit 2-3 milionë njerëz.

Delegacionet e 11 shteteve te Evropës Juglindore janë tubuar në një konferencë në Podgoricë për të diskutuar për progresin në lëmin e imunizimit në Evropë si dhe sfidat dhe problemet, me të cilat ballafaqohet secili shtet pjesëmarrës, kur është në pyetje ngritja e vetëdijes së qytetarëve për domosdoshmërinë e vaksinimit. Epidemitë që po godasin rajonin dhe shtetet e Evropës janë shenjë e dobësive të sistemeve shëndetësore u tha në konferencë, andaj është e domosdoshme që të punohet në rritjen e nivelit të imunizimit. Në këtë kontekst vaksinimi është forma më e mirë në parandalimin e shumë sëmundjeve. Se sa i rëndësishëm është imunizimi flasin faktet që pikërisht duke u nënshtruar vaksinimit, shpëtohen 2-3 milionë jetë njerëzish në vit. Sipas pjesëmarrësve të konferencës kjo ka ndikuar në zvogëlimin e sëmundjeve globale dhe  përparimin më të madh të fëmijëve të shëndoshë.

                                                 ***

Qeveria e Malit të Zi e gatshme të ndihmojë në lirinë e shtypit dhe medias.

Në organizim të Qendrës për gazetari hulumtuese në Mal të Zi, Rrjetit Ballkanik dhe me ndihmën e Delegacionit Evropian, në Podgoricë po zhvillon punimet  konferenca në temën “gazetaria hulumtuese dhe kodi etik – pengesat, sfidat dhe arritja e standardeve profesionale”. Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi Zoran Pazhin, duke folur në punimet e konferencës u ka bërë thirrje përfaqësuesve të mediave dhe ekspertëve të fushës, që në mënyrë aktive të marrin pjesë në procesin e ndryshimeve të ligjit të medias me qëllim të arritjes së standardeve më të larta ndërkombëtare sa i përket lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në Mal të Zi. Ai tha po ashtu së në këtë drejtim mediat do të kenë përherë përkrahjen e Qeverisë dhe se ajo nuk do të kursejë as resurset e as angazhimin që të kemi një koncept të qëndrueshëm sa i përket mediave dhe trupit rregullues të të njëjtave. Të gjitha këto duke mos u përzier në pavarësinë e mediave, ka shtuar Pazhin. Ai me këtë rast u rikujtoi të pranishmëve ekspozenë e Kryeministrit Markoviq në të cilën qartë thuhet se qeveria nuk dëshiron “media qeveritare”. Në përputhje me detyrimet kushtetuese jemi të gatshëm që të punojmë së bashku në avancimin e kornizës ligjore, e cila rregullon lirinë e mediave ka thënë ai.

                                                               ***

Panel shkencor për arkitekturën e kohës së Perandorisë Osmane. 

Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë në vazhdën e aktiviteteve kulturore dhe shkencore ka paralajmëruar për datën 27 shkurt Panelin shkencor në temën “Zhvillimi i teorisë arkitekturore dhe praktika në hapësirat e Ballkanit gjatë periudhës së Perandorisë Osmane”. Në këtë panel diskutim, i cili do te mbahet në qendrën kulturore të Universitetit të Malit të Zi do të flasin Prof. dr Mehmet Zeki Ibrahimgil, Prof. Dr. Hamza Kelesh nga Universiteti i Ankarasë dhe mr. Sahret Hajdarpashiq nga Mali i ZI.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme