Shqipëri - Ambasadori i Turqisë u kthen përgjigje kritikëve për investimet strategjike turke

“Investimet dhe mbështetja turke janë tregues të vëllazërisë mes dy shteteve dhe jo tentativa të shtrembërimit të historisë...”,- është shprehur Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Ahmet Murat Yoruk në përgjigje të disa kritikëve për investimet strategjike tu

İşkodra_kurşunlu camii_türk heyeti_01.jpg
işkodra kurşunlu camii_02.jpg
Edi Rama_Kosova Meclisinde3.jpg
Türk heyeti_işkodra Yunus Emre_ziyaret_02.jpg
Türk heyeti_işkodra Yunus Emre_ziyaret_03.jpg
küçük resim_islam kültür dergisi konferansı.jpg

-Shqipëri-Ambasadori turk u kthen përgjigje kritikëve për investimet strategjike

Një delegacion zyrtar turk zhvilloi një vizitë të shkurtër në xhaminë historike dhe monumentale të Plumbit, ku së shpejti do të nis rikonstrukturimi i plotë, me një fond prej 4 milion euro, financuar nga qeveria turke.

Zv.kryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi ishte së bashku me ambasadorin turk, Ahmet Murat Yörük, Drejtorin e Përgjithshëm i Drejtorisë së Fondacioneve të Kryeministrisë së Republikës së Turqisë, Adnan Ertem dhe drejtuesit e projektit, ku panë nga afër këtë objekt kulti të trashëgimisë kulturore, të kategorisë së parë.

Projekti i xhamisë së Plumbit pritet t’i japë fund historisë së përvitshme të përmbytjes së këtij objekti, i cili mbart vlera të përbashkëta shpirtërore, kulturore dhe historike mes dy vendeve Shqipërisë dhe Turqisë.

Parashikohet se pas 1 muaji do të nisin punimet për kthimin në identitet të saj.

Zv.kryeministrja Mesi tha se do  jetë një investim rreth 4 milion euro, i cili do të zgjasë 1 vit ose 1 vit e gjysmë në varësi të problematikave.

Vlen të përmendet se xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773. Ajo i rezistoi periudhave të errëta komuniste që kaloi Shqipëria dhe mbi supe mban edhe historinë e Shqipërisë demokratike, pasi më 16 Nëntor 1990 u krye falja e parë dhe rikthimi i lirisë së besimit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, ambasadori turk në Tiranë u ka kthyer përgjigje kundërshtarëve dhe kritikëve për prezencën e shtuar të Turqisë në Shqipëri, përmes investimeve në sektorët strategjikë, debat i hapur pas interesit të kompanive për të ndërtuar aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.

Ambasadori, tha se investimet dhe mbështetja turke janë tregues të vëllazërisë mes dy shteteve dhe jo tentativa të shtrembërimit të historisë.

“…Janë interpretime sipërfaqësore dhe jo me këmbë në tokë. Qëllimi jonë është që nga historia e kaluar me Shqipërinë të marrim më të mirën dhe në bashkëpunim me shtetin shqiptar të ndërtojmë projekte që i shërbejnë zhvillimit dhe të ardhmes. Nuk kemi asnjë qëllim tjetër...”.

Një zhvillim tjetër prononcimi nga ana ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Ahmet Murat Yörük është çështja në lidhje me restaurimin e 5 xhamive monumentale, ku gjatë ceremonisë së hapjes së konferencës shkencore ndërkombëtare, me temë “Institucioni i Vakëfit në hapësirën ballkanike” të organizuar në Tiranë nga Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Universitetin Selçuk të Konya me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndër të tjera ka deklaruar:

Fatkeqësisht ditët e fundit disa grupe të caktuara, që janë zgjatime të organizatës terroriste FETO në Shqipëri po përpiqen që disa veprimtari dhe punë që kemi bërë ne ti devijojnë për qëllimet e tyre, sikur i kanë realizuar ata vetë. Ne i ndjekim duke qeshur këto përpjekje të tyre për të dezinformuar opinionin publik dhe për ta orientuar në rrugë të gabuar. Republika e Turqisë nëpërmjet TIKA-s dhe Drejtorisë së Përgjithshëm të Vakëfeve ka realizuar shumë projekte në bashkëpunim me institucionet shqiptare. Vetëm gjatë këtij viti nga TIKA pritet restaurimi i 5 xhamive dhe teqeve që janë vepra të përbashkëta historike të dy vendeve tona me një vlerë 5 milionë euro. Ndërsa, xhamia e Plumbit në Shkodër, e cila u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, restaurimi ka një vlerë prej 4 milionë eurove. Prandaj i bëj thirrje grupeve të caktuara të lidhura me FETÖ-n, të cilët këto përpjekjet tona janë duke u munduar t'i devijojnë dhe t'i tregojnë sikur i kanë realizuar ata vetë, gjeni 10 milionë euro dhe bëjeni vet." është shprehur  më tej ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yörük.

***

-Bashkimi Evropian kundër idesë së Ramës për president kombëtar

Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për një president kombëtar dhe politikë të jashtme të unifikuar, nuk mbështetet nga Bashkimi Europian, ku në një reagim të fundit theksohet se deklarata të tilla nuk ndihmojnë në ndërtimin e raporteve të mira mes vendeve ballkanike si dhe mund të interpretohet si ndërhyrje politike në vendet fqinje.

Zëdhënësja e BE-së, për politikat e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ray, deklaroi se Brukseli pret bashkëpunim dhe reforma për të avancuar në procesin e integrimit në  BE. 

"Deklaratat të cilat mund të interpretohet si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Si rrjedhojë, BE-ja pret nga rajoni që të vazhdojë të ndërtojnë marrëdhënie konstruktive dhe bashkëpunuese, si dhe të vijojnë rrugën e reformave për të ecur përpara drejt integrimin europian".

Kreu i qeverisë, Rama dha idenë e një Presidenti të vetëm si simbol të unitetit kombëtar si dhe politikë të jashtme të unifikuar gjatë fjalimit të  tij, në Kuvendin e Kosovës, me rastin e 10-vjetorit  të Pavarësisë së saj. 

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Mbase, ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia, për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet. E ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj dhe e shkuara e 20 viteve të fundit të këtij vendi, Kosovës, i ka paraprirë falë njerëzve po të këtij vendi, një të ardhmeje që në çdo rast është më e afërt, sesa largësia që shohim sot...”.

***

-Një delegacion zyrtar turk viziton institutin “Yunus Emre” në Shkodër

Ambasadori i Republikës së  Turqisë  në Tiranë, M. Ahmet Yörük, zv. Ambasadori, Sinan Cem Bash, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Fondacioneve të Kryeministrisë së Republikës së Turqisë, Adnan Ertem, Kryetar i Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë pranë Drejtorisë së Fondacioneve të Kryeministrisë së Republikës së Turqisë, Davut Gazi Benli dhe delegacioni shoqërues vizituan pas mbarimit të konferencës shkencore ndërkombëtare, me temë “Institucioni i Vakëfit në hapësirën ballkanike” institutin turk “Yunus Emre”, Shkodër.
Drejtori i institutit “Yunus Emre”, Zafer Kiyici u foli për aktivitetet e larmishme kulturoredhe kurset e gjuhës turke që zhvillohen në institut.

Delegacioni u largua nga instituti, duke shprehur kënaqësinë e tyre gjatë vizitës në këtë  qendër kulturore.

***

-Revista “Kultura Islame”, kujtesë dhe model për kulturën e ditëve tona

Shoqata “Përpjekje”, që mbështetet nga shoqata “Istanbul” në bashkëpunim me Bibliotekën Publike të Shkodrës, “Marin Barleti” organizoi një aktivitet kulturor: “Revista Kultura islame (1939-1945), kujtesë dhe model për kulturën e ditëve tona”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm drejtues të institucioneve të ndryshme të qytetit, intelektualë, pedagogë, studentë, etj.

Drejtori  i bibliotekës, Gjovalin Cuni në temën e tij, “Kultura Islame në kontekstin e periodikëve shqiptarë” citoi se: “…Në kufinjtë pak a shumë të sotëm administrativë  të shqiptarëve, është e pranuar nga të tanë se Shkodra, ishte qyteti ku numëroheshin ma shumë botime. Vetëm gjatë periudhës së Rilindjesu botuan 9 (nëntë) organe të shtypit në gjuhën shqipe dhe 1 (një) në gjuhën turke. Më 24 qershor 1879, filloi botimin e saj në Shkodër në gjuhën turke, por edhe me numra në shqip (gegnisht) gazeta e përjavshme “Ishkodra”, organ zyrtar i Vilajetit të Shkodrës ,… e përjavshme me 4 faqe në turqisht, pjesërisht shqip “.

Sipas Cunit me fillimin e vitit 1939, revista “Zani i Naltë” vijon botimin e saj, “me një shenjë barazimi në përmbajtje”, por kësaj radhe me një emër tjetër: “Kultura islame”, që vijoi të dalë deri në vitin 1945, me Sherif Putra redaktor, Vehxhi Sulejmani, përgatitës etj.

“…Krahas problemeve fetare që zënin vendin kryesor, në revistë u trajtuan edhe mjaft argumenta të etikës, sociologjisë, arsim, letërsisë, (vepra origjinale dhe përkthime), probleme gjuhësore, trajtesa historike, folklor, etnografi etj.

Mes trajtesave nuk mund të lamë pa përmende edhe trajtesat me karakter albanologjik, mes të cilave spikatin edhe studimet mbi arbëreshët...”.

Më pas, referuan Gëzim Puka pedagog në universitetin e Shkodrës, ku u ndal te “Fleta letrare në revistën Kultura Islame”, si dhe Siditë Halluni, specialiste e mediatekës në Bibliotekën Publike të qytetit të Shkodrës, e cila mbajti temën: “Mbi pasqyrimin e revistës Kultura Islame në variant të plotë digjital në faqen elektronike të Bibliotekës Marin Barleti”.

***

-Ambasada e SHBA-së në Tiranë uron dy atletët shqiptarë, kampionë të Ballkanit

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka uruar atletët shqiptarë, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, të cilët fituan medalje ari dhe u shpallën kampionë të Ballkanit gjatë Lojërave Ndërkombëtare të Sallave të Mbyllura në Stamboll të Turqisë.

Në një postim në faqen e saj, ambasada e SHBA-së në Tiranë, shprehet se: “Urime atletëve shqiptarë Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, të cilët fituan medalje ari dhe u shpallën kampionë ballkani gjatë Lojërave Ndërkombëtare të Sallave të Mbyllura që u mbajtën dje në Stamboll të Turqisë”.

 “Gega fitoi në garën e 3000-metërshit, ndërsa Smajlaj në kërcim së larti”, shprehet ambasada SHBA-së në Tiranë, duke postuar dhe foton e dy sportistëve.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

 



Lajme të ngjashme