Festime të shumta në Kosovë për 10-vjetorin e pavarësisë

Më 17 Shkurt 2008 të zgjedhurit e popullit shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.

kosova-nın bağımsızlığının 10. yılı etkinlikleri_geçit töreni_güvenlik güçleri.jpg
kosova-nın bağımsızlığının 10. yılı etkinlikleri_hashim thaçi.jpg
kosova-nın bağımsızlığının 10. yılı etkinlikleri_edi rama.jpg
kosova-nın bağımsızlığının 10. yılı etkinlikleri_kadri veseli.jpg
kosova-nın bağımsızlığının 10. yılı etkinlikleri_ahmet davutoğlu2.jpg
kosova-nın bağımsızlığının 10. yılı etkinlikleri_rita ora2.jpg

Kosova më 17 shkurt shënoi jubileun e pavarësisë së saj. Më 17 Shkurt 2008 të zgjedhurit e popullit shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik. Deklarata e pavarësisë e lexuar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi u nënshkrua nga 109 deputetët e asaj legjislature. Mos anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare, ekonomia e dobët, tensionet me Serbinë stagnimi në proceset euro-integruese, shihen si sfidat kryesore të një dekade të pavarësisë.

Qeveria miraton marrëveshjen Thaçi-Vujanoviç për demarkacionin

Qeveria e Kosovës, më 17 shkurt ka mbajtur mbledhje solemne për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Mbledhje ka nisur me një minutë heshtje për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Qeveria ka votuar ndërkaq, deklaratën e Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi që obligon palët në rishkimimin e marrëveshjes, pasi e njëjta të ratifikohet. 

Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ishte i sigurt se i kanë votat e nevojshme për marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare Kosovë- Mali i Zi.

“Koalicioni qeverisës 61 vota i ka, por besoj e dini marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me  2/3  që nënkupton 80 vota. Besoj se kur kjo çështje është në seancë, sepse mund të ndodh që seanca të mbahet gjatë javës që vjen, jo nesër, do të jenë votat e nevojshme”, ka thënë Haradinaj. 

Në mbledhjen e Qeverisë është votuar deklarata e Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi që obligon  palët në rishikim të marrëveshjes pasi e njëjta të ratifikohet. Haradinaj konsideron se me këtë janë pjekur kushtet që marrëveshja të ratifikohet.

***

Sekretari amerikan Tillerson uron pavarësinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka uruar kosovarët për 10-vjetorin e pavarësisë. Në urimin e Tillerson  thuhet  se “në një dekadë të pavarësisë, Kosova ka treguar vendosmëri për t’u bërë një shtet stabil, demokratik dhe gjithëpërfshirës dhe Uashingtoni vazhdon ta përkrah Kosovën në rrugën e integrimit”. Drejtuesit e institucioneve në vend kanë marrë tashmë telegrame të shumta urimi nga shumë homologë të tyre nga shumë vende të botës që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

***

Qytetarët vërshojnë në Prekaz 

Qytetarë nga mbarë Kosova, zyrtarë dhe drejtues të partive politike bën homazhe në Prekaz në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në këtë festë të pavarësisë, ata kanë thënë që duhet kujtuar se liria e Kosovës i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve. Qytetarët thonë se ende nuk ka shkuar në vend amaneti i dëshmorëve, ndërsa kërkojnë përkujdesje më të madhe për kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Në Prekaz u panë zyrtarë të ndryshëm të komunës së Skenderajt dhe komunave tjera dhe deputetë të zonës. Por nuk ishin parë presidenti Hashim Thaçi e as krye-parlamentari Kadri Veseli, përderisa një ditë më parë atje kishte bërë homazh kryeministri Ramush Haradinaj.

***

Haradinaj priti gjeneralin amerikan

Të arriturat e shtetit të Kosovës në dekadën e parë të pavarësisë dhe roli vendimtar i SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, ishin temat kyçe në takimin që kryeministri Ramush Haradinaj pati me Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralin Tymothy Orr. Për kryeministrin Haradinaj, prezenca e Gjeneralit Orr në një ditë festive për shtetin e Kosovës është nder i veçantë. Nga ana tjetër Gjenerali Orr tha se Kosova për të është shtëpi e dytë dhe se ndjehet i nderuar që është pjesë e festimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së saj.

***

Kuvendi me seancë solemne 

Kuvendi i Kosovës një ditë pas jubileut të 17 Shkurtit, ka mbajtur seancën solemne. Në seancë, përveç deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, kanë qenë të pranishëm mysafirë të shumtë, përfaqësues nga vendet mike dhe diplomatë nga bota, në mesin e tyre edhe ish-kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se orientimi politik i shtetit tonë është pro-perëndimor.

“Integrim në NATO dhe BE, raporte të ngushta e të përhershme me SHBA, Aleanca me shtetet e botës së lirë është qenësore për ne”, ka thënë Veseli.

Ai në vazhdim të fjalimit të tij ka folur për sfidën e transformimit ekonomik të vendit.

“Dekada e dytë e pavarësisë duhet të jetë dekada e mirëqenies ekonomike e qytetarëve të Kosovës, dashuria dhe krenaria për vendin nuk burojnë vetëm nga përvoja e së kaluarës, por mbi të gjitha nga besimi se ky vend krijon kushte për jetë dinjitoze të qytetarëve të tij”, ka thënë Veseli.

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u është drejtuar edhe kongresisti amerikan, Eliot Engel, i cili ka kërkuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

“Dëshiroj që ta përgëzojë presidentin e Kosovës dhe të Malit të Zi për marrëveshjen për shënimin e kufirit dhe shpresoj që Kuvendi do ta miratojë atë ashtu që Kosova të mos jetë vendi i vetëm në Ballkan, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë nëpër shtetet e BE-së pa viza. Nganjëherë këto marrëveshje nuk janë të drejta por është me rëndësi që Kosova të merr vendime të vështira, sepse janë të rëndësishme që Kosova të ecë përpara”,- ka thënë Engel.

Kurse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka parashikuar se në të ardhmen Kosova dhe Shqipëria do të kenë një president i përbashkët.

Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë kryeministri Rama.

Kryeministri Rama ka thënë se ideja e tij mund të duket jo-reale për kohën e sotme, por ka shtuar se ajo që ëndërrohet edhe mund të realizohet.

***

FSK dhe Policia e Kosovës parakalojnë në qendër 

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës kanë parakaluar në sheshin qendror të Prishtinës para mysafirëve dhe qytetarëve të shumtë. Gjatë fjalimit, presidenti Hashim Thaçi u shpreh se ndjehet krenarë me pjesëtarët e FSK-së dhe policisë duke shtuar se Ushtria e Kosovës do të bëhet shumë shpejt.

“FSK dhe Policia e Kosovës janë fuqia e shtetit të Kosovës, janë garancia më e mirë e sigurisë, e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, momenti i shumëpritur i zyrtarizmit të ushtrisë sonë, është duke trokitur në derën e hapur. Partnerët tanë strategjikë dhe NATO e përkrahin plotësisht këtë proces të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi. 

Pas këtij aktiviteti presidenti i vendit Hashim Thaci, ka organizuar një pritje të veçantë mysafirëve nga vendi dhe shtetet e ndryshme botërore në një hotel në periferi të Prishtinës.

***

Haradinaj priti Davutoglu 

Ish-kryeministri i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu, i cili ka qëndruar në Prishtinë me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, është pritur në një takim nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili ka vlerësuar rolin e Davutoğlu-së dhe të diplomacisë turke në lobimin për shtimin e numrit të njohjeve dhe për procesin e përgjithshëm të shtet-ndërtimit.

Nga Zyra e Kryeministri theksuan se në takimin mes Haradinajt dhe Davutoğlu-së është biseduar edhe për zhvillimet e fundit politike, për proceset e integrimit euroatlantik dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri Haradinaj theksoi se në Kosovë është krijuar një klimë e favorshme për investitorët potencial.

Ndërsa Davutoğlu, nga ana e tij, përgëzoi kryeministrin Haradinaj dhe qytetarët e Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar të arriturat dhe sukseset që janë shënuar gjatë kësaj dekade.

Davutoglun e ka pritur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Behxhet Pacolli.

***

Davutoglu promovon librin e tij në Kosovë 

Ish-kryeministri dhe ish-kryediplomati turk, Ahmet Davutoglu, një personalitet në nivel strategu gjeopolitik, ka qenë prezent në  promovimin e veprës më të fundit të tij përkthyer në shqip, “Qytete dhe Qytetërime”, në kryeqytetin kosovar, Prishtinë.

Kjo në kuadër të 10-vjetorit jubilar të Pavarësisë. Vetë Davutoğlu, ka rol historik, pasi Turqia ishte i pari vend që e njohu Kosovën.

“Si sot më kujtohet 17 shkurti i vitit 2008. Në atë kohë isha këshilltar i kryeministrit Erdogan dhe pasi morëm mesazh se Kosova shpalli Pavarësinë, menjëherë nxitova dhe i thashë që ta njohim sa më shpejt. Dhe kështu u bëmë vend i parë që njohu Kosovën si vend të pavarur”, u shpreh Davutoglu.

Aktualisht deputet në Parlamentin e madh të Turqisë, Davutogllu  tha se Prishtinën – ashtu si Konjën (që është vendlindja) – e konsideron shtëpinë e tij.

“Për ne çka do që ndodhë në Prishtinë ose Prizren, është njëjtë sikur të ndodhë në Konja ose Stamboll, sepse ka aq shumë njerëz që zemrat i kanë në Prizren, Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Pejë, etj. Ne i shohim të gjitha qytetet e Kosovës, si ato të Turqisë, sepse i kemi në zemër”,- ka shtuar ai.

Në një moment, Davutogllu, e falënderoi zëvendës-kryeministrin aktual, ish ministrin e jashtëm Enver Hoxhaj që e kishte ftuar në Prishtinë.

“Me duhet të them, një nga personalitetet udhëheqëse që ma bëri këtë ftesë nga zemra, ishte miku im i dashur Enver Hoxhaj. I jam mirënjohës atij, i cili më thoshte ‘eja në shtëpinë tënde!’’, dhe më të vërtetë, Prishtina është shtëpia ime”, u shpreh Davutoglu.

Kurse Hoxhaj nxori nga kujtesa e karrierës së tij diplomatike, një rast kur Davutoglu dhe Erdogan e kishin nxjerrë nga një situatë e sikletshme.

“Isha në Egjipt për të kërkuar njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe aty nuk më njihte askush. Atje ishte edhe miku im Ahmeti, i cili më ftoi në një darkë ku ishin të pranishëm qeveritarë të Egjiptit. Më uli afër vetes dhe Erdoganit. Më pas, pasi më pyetën se kush jam, më kanë ftuar të gjithë zyrtarët e Egjiptit. Kontributi i tij dhënë shtetit të Kosovës është i madh. Në 67 organizata, ku jemi anëtare është kontributi edhe i Turqisë”,- theksoi Hoxhaj.

Nga ana e tij, Davotuglu foli me ndjenja të veçanta për lidhjet e afërta shqiptaro-turke, duke thënë se dhe një kunatë e tij ishte shqiptare.

“Kuptohet si dikush që ka jetuar në Stamboll, në mëhallë siç i quajmë ne, të gjithë ishim të përzierë me shqiptarë. Njëra nga kunatat e mia është shqiptare, njëri nga miqtë e mi është shqiptar. Ka disa njerëz që dëshirojnë ta bëjnë dallimin në mes turqve dhe shqiptarëve në bazë të disa tendencave nacionaliste. Por mjafton të thuhet se ka më shumë shqiptarë që jetojnë në Turqi sesa në Shqipëri”, theksoi Davutoglu.

Duke u ndalur te libri i tij, ai tha se e kishte shkruar atë në kohën që ushtronte postin e ministrit të Jashtëm.

Davutoğlu po ashtu fali namazin e xhumasë në xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë, ku myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, mbajti hytbenë e xhumasë dhe iu drejtua besimtarëve me mesazhin e pavarësisë.

***

Presidenti Thaçi pret ministrin e Bangladeshit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Shahriar Alam. Kreu i shtetit i shprehu falënderimin ministrit Alam për pjesëmarrje në festimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë.

“U jemi falënderues për njohjen e shtetit të Kosovës. Njohja e juaj ka ardhur në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën. Do të jemi gjithmonë mirënjohës”, theksoi i pari i vendit, derisa kërkoi që bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve të thellohet edhe më shumë.”

Kurse, ministri i Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Shahriar Alam ka siguruar presidentin Thaçi se bashkëpunimi ndërmjet Bangladeshit dhe Kosovës do të vazhdojë.

Në fund, presidenti Thaçi kërkoi nga ministri Alam mbështetjen e Bangladeshit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme