Mali i Zi shpreson të hyjë në BE para 2025-ës

Nëse Mali i Zi arrin rezultate adekuate mund të bëhet pjesë e BE-së para vitit 2025, ka thënë Kryeministri Dushko Markoviq në një komentim që i ka bërë strategjisë së Unionit për zgjerimin.

Kryeministri Dushko Markoviq- Foto 1 storia e parë.jpg
Karadağ Ulqin_Ülgün_genel görüntü.jpg
Karadağ_Ulqin_Ülgün_yerel seçimler2.jpg
Karadağ_çocuk şiddetine karşı gösteri_3.jpg
Karadağ_çocuk şiddetine karşı gösteri.jpg
pegasus.jpg

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka thënë se nëse Mali i Zi arrin rezultate adekuate mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian (BE) para vitit 2025. Këtë deklaratë numri një i Qeverisë malazeze e bëri duke komentuar Strategjinë e Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim.

Në Konferencën me gazetarë pas takimit në Podgoricë me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) Aivo Orav, Markoviq ka thënë se ky është plani me të cilin Bashkimi Evropian përgatitet që në një të ardhme të afërt të ketë anëtarësuar me shumë se 27 shtete. Sipas tij, ky është një sinjal i qartë dhe pozitiv, kur në pyetje është kredibiliteti dhe perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtë mesazh sot e kemi marrë. Anëtarësimi në BE nuk është i lehtë. Ai kërkon angazhim dhe punë. Ne i jemi përkushtuar këtij drejtimi dhe do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian (BE), ishte i prerë Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq. Për Malin e Zi strategjia ka një rëndësi të madhe sepse vendi jonë përmendet si i pari i radhës për anëtarësim deri në vitin 2025. Nëse arrijmë rezultate adekuate anëtarësimi do të bëhet edhe më parë ka thënë Markoviq. Në konferencën me gazetarë pas takimit me zyrtarin e lartë evropian, Kryeministri malazez ka thënë po ashtu se pajtohet me qëndrimin e Brukselit që reformat në sundimin e ligjit duhet të aplikohen në fazën e hershme të negociatave, por është me rëndësi që Komisioni Evropian, të vazhdojë të përkrahë Malin e Zi duke ofruar asistencë me ekspertë, asistencë teknike e po ashtu edhe financiare. Në këtë mënyrë procesi i aderimit do t’u përshpejtonte edhe më shumë. Nga ana tjetër Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi Aivo Orav ka theksuar se suksesi për anëtarësim nuk varet vetëm nga pushteti, por edhe nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të jetës politike dhe sociale duke aluduar kështu edhe në opozitën malazeze, e cila vazhdon të bojkotojë punimet e parlamentit.

***

Mesazhe përkrahjeje dhe vizita të shpeshta të zyrtarëve të Bashkimit Evropian për Malin e Zi. 

Komisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave për zgjerim, Johanes Han, do të qëndrojë të premten në Mal të Zi. Ai do të takohet me Kryeministrin Dushko Markoviq, Kryetarin e Parlamentit Ivan Brajoviq e po ashtu sipas agjendës ai do t’u drejtohet edhe deputetëve të Parlamentit Republikan. Ende nuk është konfirmuar pjesëmarrja e opozitës në punimet e Parlamentit në ditën kur zyrtari i lartë evropian do t’u drejtohet deputetëve.

                                                         ***

Anulohet vizita e Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq në Kosovë

Është anuluar vizita e Kryeministrit të Malit të Zi në Prishtinë, Dushko Markoviq, e paraparë të zhvillohej më 6 shkurt. Donjeta Gashi, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës ka thënë se vizita është anuluar për shkak të kushteve të rënda atmosferike në aeroportin e Prishtinës. Për kohën dhe vizitën, mbetet të ketë një koordinim të ri ndërmjet qeverive përkatëse, ka thënë ajo. Vizita ka qenë e paraparë të zhvillohet në kohën kur Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë shqyrtimin dhe votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për shkak të mungesës së konsensusit politik. Marrëveshja është nënshkruar në vitin 2015. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar atë, por jo edhe ai i Kosovës. Marrëveshja është kontestuar kryesisht nga partitë opozitare në Kosovë, duke thënë se me të, Kosova humb territor.

                                                                     ***

Ende nuk është arritur marrëveshje për formimin e koalicionit, i cili do të udhëheqë Ulqinin në 4 vitet e ardhshme. 

Siç ju kemi informuar, të dielën në Ulqin, përndryshe komunën më të madhe me shumicë shqiptare në Mal të Zi, u organizuan zgjedhjet lokale. Tetë parti politike dhe dy koalicione kanë propozuar kandidatët e tyre për 33 këshilltarë sa numëron Asambleja Komunale e Ulqinit. Sipas rezultateve zyrtare Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), përndryshe partia më e madhe në pushtet në Mal të Zi, ka fituar 9 mandate. Forca e re Demokratike 8, Koalicioni “Zgjohu Ulqin”  7 mandate, Unioni Demokratik i Shqiptarëve(UDSH) 3, Social Demokratët (SD) 3 këshilltarë, Lëvizja qytetare Ura dy këshilltarë si dhe Partia Boshnjake (BS) një këshilltar. Asnjëra nga partitë dhe koalicionet nuk e ka numrin e nevojshëm të mandateve për të formuar vetë pushtetin, andaj në ditët në vijim pritet të zhvillohen bisedime për formimin e koalicioneve, të cilat do të udhëheqin Ulqinin në 4 vitet e ardhshme. Kryetari i Këshillit Komunal i Partisë Demokratike të Socialistëve në Ulqin, Loro Nrekiq, partia e të cilit ka marrë numrin më të madh të mandateve, ka thënë se është i kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale. Duke folur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes me ndonjë parti për koalicionet e mundshme, ai ka shtuar se ende është herët të flitet, por sidoqoftë prioritet do të kenë ato parti me të cilat janë në koalicion edhe në nivelin republikan.

                                                                             ***

Protesta në Podgoricë kundër dhunës ndaj fëmijëve.

Ka ditë që në Mal të Zi po tërheq vëmendjen e opinionit një ngjarje e rëndë, ku ka humbur jetën një foshnjë 15-muajshe, si pasojë e rrahjes brutale nga ana e prindërve. Me këtë rast në Podgoricë është organizuar një protestë masive kundër dhunës. Qindra qytetarë të tubuar nga të gjitha qytetet e Malit të Zi i janë bashkuar protestës me mesazhet që dhuna duhet ndaluar dhe nuk duhet heshtur ndaj kësaj lloj dukurie. Protestuesit kanë mbajtur në duar parulla “Mbroni fëmijët”, “Të ruajmë jetën- të reagojmë”, si dhe duke kërkuar dënime të rënda ndaj dhunuesve të fëmijëve. Në këtë drejtim ka reaguar edhe Ministri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave Mehmet Zenka, i cili ka thënë se dhuna kundër fëmijëve paraqet njërën prej formave më të rënda të shkeljes së drejtave të njeriut dhe se në këtë drejtim kjo Ministri do të angazhohet edhe më shumë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve sepse ato janë të varur nga përkrahja dhe ndihma e të rriturve.

***

Së shpejti pritet të vendoset linjë e re ajrore në relacionin Stamboll-Tivat  

Kompania ajrore Turke me kosto të Ulët “Pegasus Airlines” ka kërkuar nga drejtoria e Aeroporteve të Malit të Zi lejen për qarkullim në aeroportin e Tivatit, me qëllim që gjatë sezonit veror të vendosë linjën ajrore Stamboll –Tivat. Siç bëhet e ditur “Pegasus Airlines” planifikon që në këtë relacion të transportojë udhëtarë dy herë në javë. Nëse arrihet marrëveshja kjo kompani ajrore do të jetë kompania e pestë me kosto të ulët buxhetor që funksionon në Mal të Zi. Përndryshe nga Stambolli në Mal të Zi tashmë vite me radhë rregullisht operon Kompania Nacionale Turke “Turkish Airlines”, e cila ka paralajmëruar që gjatë sezonit veror do të shtojë edhe më shumë numrin e fluturimeve javore në linjën e saj të rregullt për në Podgoricë.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi përgatiti, Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme