Hahn: Sfida më e madhe e Serbisë për në BE është problemi me fqinjët

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, deklaroi se Serbia para anëtarësimit të plotë në BE duhet t’i zgjidhë problemet aktuale me fqinjët.

Hahn: Sfida më e madhe e Serbisë për në BE është problemi me fqinjët

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, deklaroi se Serbia para anëtarësimit të plotë në BE duhet t’i zgjidhë problemet aktuale me fqinjët.

Hahn në kuadër të vizitës së tij në kryeqytetin e Serbisë në Beograd u prit nga Presidenti i vendit Aleksandar Vuçiç.

Pas takimit në presidencë, në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin serb, Hahn tha se Serbinë po e presin reforma të vështira, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sundimin e ligjit.

Hahn foli edhe për procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ku përgëzoi Vuçiçin për guximin e treguar për nisjen e procesit në fjalë.

Duke rikujtuar se qëllimi i kësaj vizite ka të bëjë me Strategjinë e Ballkanit Perëndimor të Komisionit të BE-së të prezantuar dje, Hahn tha se viti 2025, i përmendur për anëtarësimin e plotë të Serbisë në BE, “është më shumë një perspektivë se sa një datë e saktë”.

Hahn tha se Serbia duhet t’i zgjidhë problemet me fqinjët duke filluar nga Kosova dhe theksoi se BE-ja do të ndihmojë për këtë çështje.

Ndërkaq Presidenti Vuçiç duke falënderuar ata të cilët kanë kontribuar në krijimin e strategjisë për Ballkanin Perëndimor, tha se: “Viti 2025, i përmendur në strategji, edhe pse nuk është në cilësinë e garancës, është dëshmi se kemi ndërmarrë hapa të rëndësishme dhe se kemi bërë punë të mira me BE-në”.

Vuçiç theksoi se BE-ja ka vlera tërheqëse dhe mundësi më të mira ekonomike. Ai shtoi se “BE-ja është një projekt i paqes i krijuar me sukses pas Luftës së Dytë Botërore”.

Më tej, Presidenti Vuçiç theksoi se Serbia dhe Mali i Zi janë shtetet më të afërta rajonale për anëtarësim në BE dhe shtoi se në këtë proces Serbinë e presin detyra të vështira.

Duke folur për pengesat në rrugën e anëtarësimit në BE, Vuçiç tha se pengesa më e madhe e Serbisë në këtë rrugë është çështja e Kosovës.

Ai shtoi se një pengesë tjetër në këtë rrugë është çështja e kufijëve me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kroacinë.

“Të gjitha këto nuk janë pengesa të lehta për t’i tejkaluar. Përpara nesh ndodhen Himalajet”, tha Vuçiç. (AA)



Lajme të ngjashme