Protokoll bashkëpunimi për luftën kundër terrorizmit me Shqipërisë dhe Maqedonisë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë në Maqedoni, ku u prit në Ohër nga homologu maqedonas, Oliver Spasovski.

903169
Protokoll bashkëpunimi për luftën kundër terrorizmit me Shqipërisë dhe Maqedonisë

Shqipëria dhe Maqedonia nënshkruan sot në Ohër, protokollin e bashkëpunimit në kuadër të luftës kundër terrorizmit.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë në Maqedoni, ku u prit në Ohër nga homologu maqedonas, Oliver Spasovski.

Në axhendën e bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, luftës kundër trafikut të drogës, terrorizmit, si dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Gjatë kësaj vizite u nënshkrua “Protokolli i bashkëpunimit për luftën kundër terrorizmit”, i cili u finalizua pas një pune të ekspertëve nga dy vendet. Një çështje tjetër, me rëndësi në bisedimet e zhvilluara ishte ngritja e një Qendre Rajonale e Bashkëpunimit Policor, për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky projekt i propozuar nga Xhafaj ka marrë mbështetje nga vende të ndryshme të BE-së, nga Komisioneri Avramopulos, dhe u përkrah plotësisht edhe nga Ministri Spasovksi.

Po ashtu në bisedime u ra dakord gjithashtu edhe për nisjen e punës për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare në Qafë Thanë, Tushemisht dhe Trebisht.

Pas takimit, në konferencë për mediat, ministri Xhafaj u shpreh se “nuk kishim asnjë çështje ku ndaheshim, por ishin të gjitha çështje që kishim dakordësi shumë të mirë midis nesh”.

“Unë besoj se çështjet që diskutuam për luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër krimit të organizuar, kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë në dy vendet tona, por kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë edhe në rajon”, theksoi Xhafaj.

Xhafaj shtoi se “kjo marrëdhënie që kemi vendosur midis dy ministrave dhe midis dy ministrive, mund të jetë një model shumë i mirë edhe për marrëdhëniet e tjera në këtë rajon”.

Ndërsa Ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski, u shpreh se “gjatë takimit  biseduam për bashkëpunimin që ne kemi pasur në të kaluarën, por gjithashtu u angazhuam për bashkëpunim të mëtejshëm edhe në të ardhmen”.

“Gjithashtu me rëndësi të madhe është edhe firmosja e memorandumit mes dy vende, në drejtim për forcimit të bashkëpunimit policor dhe luftës kundër terrorizmit ndërmjet të dyja vendeve. Biseduam edhe për nismën e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për hapjen e qendrave të përbashkëta kufitare të Ballkanit Perëndimor, nismë të cilën ne si ministri e pranuam me kënaqësi”.

Nga ana e tij, Ministri Xhafaj e ftoi homologun maqedonas për vizitë në Shqipëri.



Lajme të ngjashme