Shqipëri – Bushati: Ligji i luftës me Greqinë do të shfuqizohet së shpejti

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, informoi të hënën në mbrëmje, në emisionin “Studio e Hapur”, mbi ecurinë e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë...

Shqipëri – Bushati: Ligji i luftës me Greqinë do të shfuqizohet së shpejti

Ligji i luftës me Greqinë do të shfuqizohet së shpejti dhe nga kjo do të përfitojnë 3 kategori, të cilëve iu ishin sekuestruar pronat.

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, informoi të hënën në mbrëmje, në emisionin “Studio e Hapur”, mbi ecurinë e negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Bushati u shpreh se është bërë një hap përpara shumë pozitiv në këtë drejtim, pasi sipas tij, “në radhë të parë kemi njohjen e kësaj çështje si një çështje problematike madje e konsideruar relike absurde e së shkuarës nga ministri i Jashtëm grek, Kotsias”.

“Ligji i luftës do të shfuqizohet me një akt ekuivalent të së drejtës së brendshme greke. Shfuqizimi ka pasoja politike dhe ligjore. Ne jemi në një rrugë të sigurt të shfuqizimit të ligjit të luftës nga ana e autoriteteve greke. Nuk ju konfirmoj sot datë, sepse mendoj se dita e shfuqizimit do të jetë një ditë e afërt. Kemi rënë dakord në princip për mënyrën se si do të shkohet drejt heqjes së ligjit të luftës”, tha Bushati.

Duke folur për pasojat ligjore, Bushati tha se bëhet fjalë për 3 kategori përfituese nga shfuqizimi i këtij ligji. “Me vendosjen e ligjit të luftës u sekuestruan pronat e shqiptarëve, shtetasve shqiptarë me kombësi greke dhe pronat e shtetit shqiptar. 3 kategori që do të përfitojnë nga shfuqizimi i ligjit të luftës”, tha Bushati duke shtuar se për këtë çështje janë zhvilluar edhe seanca konsulte me ekspertë shqiptarë dhe të huaj mbi pasojat juridike.

Heqja e ligjit të luftës, sipas Bushatit, nuk ka lidhje direkte me pronat që pretendon komuniteti çam, pasi ligji i luftës hyri në fuqi në vitin 40′, ndërsa mohimi i pronave të çamëve ndodhi në vitet ’46-’47, pas vendimit të Gjykatës Speciale të Janinës.

“Nëse sot abrogohet ligji i luftës, çdo qytetar shqiptar dhe çdo shtetas shqiptar me kombësi greke ka të drejtën të kërkoj pronën në shtetin grek. Legjislacioni civil parashikon mekanizmat e duhura të kompensimit”, tha Bushati.

Vendprehjet e ushtarëve grekë, sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2009 

“Në vitin 2009 qeveria Berisha kishte konkluduar me palën greke këtë marrëveshje për ndërtimin e dy vendprehjeve për të rënët grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshje që nuk ishte atakuar për asnjë nga institucionet. Për ne marrëveshja kishte mangësi serioze nga mënyra se si duhej të implementohej në praktikë. Na janë dashur 2 vite për të hartuar protokollet e zbatimit të marrëveshjes dhe për ta bërë në praktikë garantiste, si për mënyrën se si do të kryhet procesi i gërmimeve në terren, ashtu edhe për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarëve grekë”, tha Bushati.

Sipas tij, gërmime do të kryhen në disa zona, por do të ketë vetëm dy varreza, ashtu siç e parashikon marrëveshja e 2009-s, një në Bularat dhe një në Këlcyrë.

“Lidhur me numrin e ushtarëve grekë, ka shifra paraprake që janë rakorduar fillimisht me palën greke, por jo çdo shifër që është supozuar domosdoshmërisht përputhet me gjetjet në terren. Ky proces po kryhet me shumë seriozitet. Aktualisht po gërmohet në grykën e Këlcyrës dhe nga raporti ditor që bën grupi i ekspertëve, për momentin them se shifra është më e vogël se ajo e supozuar”, tha Bushati.

Sipas tij, bota demokratike ka disa shembuj se si veprohet në një rast të tillë, ku njihet edhe ndërtimi i vendprehjeve. Ndërkohë mund të bëhet edhe tërheqja e eshtrave, apo ndërtimi i një obelisku.

Lidhur me pretendimet për zbulimin e eshtrave të ushtarëve italianë gjatë këtyre gërmimeve, Bushati tha se përmes një note verbale edhe ambasada italiane në Tiranë ka shprehur interesimin e saj dhe autoritetet shqiptare do të bashkëpunojnë me ato italiane në këtë drejtim. “Mund të mos evitohen ato raste ku edhe mund të ketë edhe eshtra të ushtarëve italianë”, tha Bushati duke shtuar se SHBA-ja po asiston procesin me një ekspert.

Çështja çame, në një fazë intensive të dialogut

I pyetur mbi deklaratën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias se pas dy takimeve që zhvilloi me homologun e tij shqiptar nuk kishin diskutuar për çështjen çame, pasi ajo nuk ishte pjesë e agjendës, Bushati tha se “nuk dëshiroj që të hyjë në proces replikash, përgjigjesh dhe kthim përgjigjesh, sepse jemi në një fazë intensive të dialogut”.

“Mund t’ju them se për ne kjo çështje është e trajtuar në shinat për të cilat unë sapo fola. Jo vetëm në Kretë dhe në Korçë është diskutuar por kam shkëmbyer një dokument që ka nxitur më pas mekanizmit e dialogut në këtë proces dhe do të jetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur për këdo, që të shkojë poshtë atij standardi që është vendosur. Koha dhe mënyra se si do të trajtohen këto çështje është diçka tjetër. Edhe komisioneri Hahn konfirmoi se palët kanë referuar një dokument, pasi të dyja palët këtë çështje ia kanë bërë të ditur edhe KE-së. Edhe po të lexosh deklaratën e ministrisë së Jashtme greke më tepër shpreh mendimin e vet. Një gjë tjetër është që të njohësh një çështje. Ne e kemi ngritur këtë çështje në drejtimet që unë thash. Do të vijojë që të jetë një çështje për ne, për sa kohë që nuk merr rrugën e zgjidhjes”, tha Bushati.

Bushati theksoi se këtë çështje Shqipëria e konsideron si çështje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Marrëveshja e detit me Greqinë, zgjidhje e qëndrueshme dhe përfundimtare

Lidhur me negociatat për marrëveshjen për detin, Bushati tha se “ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon marrëveshjen që u konkludua në vitin 2009 nga qeveria “Berisha” dhe ai vendim është perimetri nëpërmjet të cilit operon sot ekzekutivi shqiptar”.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe janë bërë disa diskutime eksploratore për të kuptuar më mirë jo vetëm gabimet e palës shqiptare në të shkuarën, por edhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Dua të siguroj opinionin publik që çdo marrëveshje e ardhshme do të mbarë parasysh jo vetëm parimet e të drejtës ndërkombëtare por mbi të gjitha vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bushati.

Sipas kryediplomatit shqiptar janë marrë disa modele dhe janë studiuar disa raste. “Jemi marrë vesh me palën greke për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare. Po diskutojmë me palën greke edhe regjimin kufitar tokësor, i cili nuk është i mbyllur sepse ka vite që diskutohet për piramidat në kufirin tokësor dhe menaxhimin e incidenteve në kufi. Jemi në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje të pranueshme në parim. Më pas do duhet të diskutohet në nivel ekspertësh siç përcakton praktika jonë dhe vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Kam parasysh edhe aktet procedurale”, tha Bushati.

Arritja e marrëveshjes për vulën apostile u kursen shqiptarëve 4 milionë euro në vit

Bushati theksoi se “sot është bërë një tjetër raund për njohjen e patentave, një çështje që e kemi kërkuar me insistim në tryezë”.

“Presim që në muajin e ardhshëm të kemi lajme pozitive për aplikimin e vulës apostile. Duket detaj teknik por iu kushton xhepave të shqiptarëve në Greqi sepse shteti grek ka rezerva për dokumentacionin që lëshojnë zyrat në Shqipëri”, tha Bushati.

Arritja e marrëveshjes për vulën apostile, sipas Bushatit, “do t’u kursejë shqiptarëve 4 milionë euro në vit”. /ATSH



Lajme të ngjashme