Kosova gati për takimin e MSA-së në Strasburg

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë diskutuar për takimin e përbashkët që do të kenë me përfaqësuesit e Komisionit të Bashkimit Europian (BE) më 17 dhe 18 janar në Strasburg të Francës.

Kosova Meclisi_hükümet üyeleri.jpg
Vjosa Osmani-dışişleri komisyonu başkanı.jpg
Safet Gerxhaliu_Ramush Haradinaj.jpg
Vetevendosje lideri_Albin Kurti.jpg
Besim Beqaj.jpg

Të gatshëm për takimin e MSA-së në Strasburg

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, diskutuan për takimin e përbashkët që do të kenë me përfaqësuesit e Komisionit të Bashkimit Europian (BE) më 17 dhe 18 janar në Strasburg të Francës. Kryetari i Komisionit Parlamentar për MSA, Memli Krasniqi, tha se ky ishte takimi i parë i këtij Komisioni në këtë përbërje, ku janë dakorduar për takimin e kësaj jave në Strasburg.

“Komisioni i përbashkët BE-Kosovë, për MSA-në është një ndër komisionet me të rëndësishme, që  vlerëson jo vetëm zbatimin dhe zbatueshmërinë apo avancimin në kuadër të MSA-së, por dhe të gjitha zhvillimeve tjera, në kuadër të raportit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së, në të gjitha zhvillimet e fushave të ndryshme. Më vjen mirë që kishim një frymë konstruktive të bashkëpunimit për ta përfaqësuar, në mënyrën më të mirë të mundshme Republikën e Kosovës, në këtë takim që do të mbahet me datat 17 dhe 18, në Strasburg të Francës”, ka thënë Memli Krasniqi.

Komisioni takimin e ka mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa pas takimit është prononcuar vetëm kryetari Krasniqi.

***

Projektligji për Demarkacionin dërgohet në Kryesi të Kuvendit

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike në mbledhjen e mbajtur të hënën ka vendosur që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi t’ia kthejë sërish Kryesisë së Kuvendit për shqyrtim dhe pastaj Kryesia të vendos se kur do ta vë në rend dite. Komisioni votoi lidhur me atë se a të dërgohet në Kryesi për shqyrtim apo në seancë për votim dhe si rrjedhojë pasi u votua, kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani e dërgoi sërish për shqyrtim në Kryesi të Kuvendit. Ajo tha se Prokuroria është duke hetuar pretendimet se Komisioni i parë ka punuar në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe është më e arsyeshme derisa prokuroria të dal me ndonjë sqarim të mos u rekomandohet deputetëve se si të votojnë.

Ilmi Reçica nga PDK-ja tha se çështja e demarkacionit ka vite që trajtohet.

“Të mos futemi në kalkulime kush ka të drejtë dhe kush jo. Komisioni në raportimin e fundit nuk ka sjell risi”, tha ai, duke shtuar se meqenëse nuk janë për rekomandim pozitiv të paktën deputetëve mos t’i rekomandohet fare se si të votojnë.

Kurse anëtari i Komisionit Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, tha se ish-komisioni tashmë ka kaluar kompetencat e veta. Këtë e mbështeti edhe Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

***

Vjosa Osmani “e kërcënon” Behxhet Pacollin

Në përfundim të takimit të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ka më shumë se dy muaj që e kanë ftuar për raportim ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Por Pacolli nuk i është përgjigjur thirrjes për raportim. Osmani “kërcënoi” se nëse Pacolli nuk vjen ata dinë të veprojnë edhe “ndryshe”.

“Ka më shumë se dy muaj që jemi duke e ftuar ministrin për raportin. Përsëri kemi dërguar kërkesë për javën e ardhshme. E ftoj që ta marrë me seriozitet ofertën për bashkëpunim, nëse jo ne dimë edhe ndryshe”, ka thënë Osmani. 

***

BE kërkon tërheqjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e “Speciales” 

Bashkimi Evropian kë kërkuar nga Kuvendi që edhe formalisht të tërhiqet kërkesa e 43 deputetëve nënshkrues të iniciativës për shfuqizimin e  ligjit për Gjykatën Speciale. Në një deklaratë të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë thuhet se  iniciativa, që ende është në pritje në Kuvendin e Kosovës, paraqet një shqetësim serioz për BE-në dhe vendet e saj anëtare.

Deklarata e BE-së thekson se çdo tentim për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara, dëmton seriozisht një arritje të tillë, dhe do të rrezikojë punën e përbashkët mes BE-së dhe Kosovës në sundimin e ligjit. Sipas deklaratës kjo do të ndikonte negativisht në raportet e vendit me Bashkimin e Evropian.

BE-ja ka vlerësuar po ashtu reagimet e fundit të disa liderëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile, që kanë kundërshtuar  këtë iniciativë. Bashkimi Evropian thotë se liderët kosovarë duhet të mbajnë Kosovën me vendosmëri në agjendën evropiane, të cilën e ndan Ballkani Perëndimor, në përputhje me dëshirat dhe pritjet e popullit të Kosovës.

***

Programi i Reformave Ekonomike 2018 – 2020, gati për miratim

Ministria e Financave ka bërë prezantimin Raportit mbi Programin e Reformave Ekonomike 2018 – 2020. Programi i Reformave Ekonomike 2018 – 2020 është një vegël përmes së cilës Komisioni Evropian monitoron Qeverinë e Kosovës në transformimin e ekonomisë dhe arritjen e standardëve të tregut evropian, ka thënë me këtë rast ministri i Financave Bedri Hamza.

Sipas ministrit Hamza, përmes analizës makro-ekonomike tregohet se në krahasim me 2017 këtë vit janë mundësit më të mëdha për rritje ekonomike prej mbi 4%.

“Rritja reale pritet të jetë vazhdimisht mbi 4%, rreziqet janë më të balancuara, ambienti i jashtëm ekonomik më favorizues ndërsa aftësia e sektorit publik për financim koncesional nga jashtë është rritur”, tha ai.

Kurse Rikardo Serri nga zyra e BE-së në Kosovë theksoi rëndësinë e këtij program.

“Procesi ku ju si Kosovë jeni të kyçur është në fakt e njëjtë ashtu si procesi ku janë të kyçur edhe vendet shtetet tona anëtare dhe kryhet në mënyrë paralele po ashtu me shtetet tona anëtare”.

Me këtë rast u prezantuan edhe 20 masa për implementim të programit të reformave ekonomike 2018-2020. Programi pritet që në javën e ardhshme të miratohet në qeveri.

***

Fillon punën Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë 

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e ka filluar punën me ç’rast ministri Besim Beqaj ka organizuar një konferencë për media dhe një koktej rasti. Qëllim i ministrisë sipas Beqajt, është krijimi i disa qendrave të ndërmarrësisë dhe zhvillimin e ekonomisë së inovacionit.

Beqaj i përmendi edhe prioritetet për vitin 2018 ku tha se i pari do të jetë promovimi i inovacionit në bazë të sektorëve, hapja e disa qendrave të inovacionit kryesisht nëpër universitete pasi sipas tij, aty mund të kenë qasje të gjithë të rinjtë që të kontribuojnë me idetë e tyre për zhvillimin e këtij sektori. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka buxhet prej mbi 9 milion euro, 7 prej të cilave pritet të investohen në subvencione dhe transfere dhe një milion për arsim.

***

Bursa studentore ri-bëhet 600 euro

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka marrë vendim që të mos ndryshojë vlera e shumës për bursat e studenteve. Vlera e bursës do të mbetet ashtu siç ka qenë në vlerë prej 600 euro.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ismet Salihu, tha se vendimi që vlera e bursës për studentet të jetë 600 euro, është marrë duke u bazuar në buxhetin e Universitetit të Prishtinës, ku për ketë vit nuk është  e mundur të ketë rritje.

Ndërkaq kryetari i organizatës studentore ”Reforma”, Shkumbin Bytyqi, në emër të studentëve ka kërkuar që vlera e bursës të jetë ajo e vitit të kaluar prej 600 euro, dhe sipas mundësive kjo vlerë të rritet ne 900 euro.  Në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh Bytyqi tha se do të  kërkojnë shkarkimin e Këshillit Drejtues.

Vendimi për uljen e vlerës së bursës për studentë në 500 ishte marrë muajin e kaluar. Por pas pakënaqësive të studenteve i njëjti u shfuqizua të premten nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës.

***

Në vend se t’i mbrojë, gjyqësori në Kosovë shkel të drejtat e njeriut

Sistemi gjyqësor dhe sistemi ekzekutiv janë identifikuar si shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë, në një hulumtim të bërë nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i popullit, Hilmi Jashari, gjatë një ligjërate me studentët e Kolegjit AAB.

Jashari shtoi se detyra përfundimtare e Institucionit të Avokatit të Popullit është t’i raportoj Kuvendit për t’i njoftuar edhe deputetët se cila është gjendja e të drejtave të njeriut, në mënyrë që ata pastaj të marrin vendime për të riparuar ose për të rivendosur të drejtat e shkelura.

***

Vendosen banderola në paketimet e miellit

Vendosjen e banderolave do ta lehtësoj kontrollimin e cilësisë së miellit, është thënë në takimin që kryeministri i vendit Ramush Haradinaj pati me ministrin e Financave, Bedri Hamza, drejtorin e Doganës, Bahri Berisha, drejtorin e Odës Ekonomike, Safet Gerxhaliu si dhe përfaqësues të shoqatës së prodhuesve të miellit.

Kryeministri Haradinaj e vlerësoi si hap të rëndësishëm vendosjen e banderolave përmes të cilave do të jetë më e lehtë të kontrollohet cilësia e miellit, informaliteti në ekonomi dhe prodhimi vendor, masa këto që ndikojnë direkt në shëndetin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik.
Vendosja e banderolave pritet të fillojë shumë shpejt, është thënë në takim.
***

Kurti: Diskutimet dhe puna në Lëvizje vazhdojnë 

Pas mbledhjes shumëorëshe të kryesisë dhe grupit parlamentar të Vetëvendosjes të hënën, i nominuari i vetëm për kryetar të kësaj partie, Albin Kurti ka qenë shumë i shkurtë për media, duke pohuar se diskutimet dhe puna në Lëvizje vazhdojnë.

“Ishte mbledhje e gjatë, diskutimet vazhdojnë, e po ashtu edhe puna në Lëvizje”, ka thënë shkurt Kurti, duke mos pranuar të përgjigjet në pyetjen e mediave nëse ka arritur ta bashkojë partinë.

***

Ymeri: S’ka kurrfarë përparimi rreth pajtimit

Ish kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, pas përfundimit të mbledhjes së Lëvizjes Vetëvendosje, ku u diskutua për gjendjen e fundit brenda organizatës, tha se nuk pret përafrim të qëndrimeve mes dy blloqeve.

“Nuk është se ka ndonjë përparim në këtë drejtim edhe pse ka mbetur që formalisht të vazhdojnë diskutimet edhe për një kohë të shkurtë. Por të paktën nga ajo që pash sot në mbledhje nuk shoh ndonjë mundësi as të përafrimit të qëndrimeve as të ndonjë marrëveshjeje”, u shpreh Ymeri.

Ymeri thotë se për problemet të cilat janë krijuar në VV do të vazhdojnë diskutimet ditëve në vijim, ndërsa theksoi se ka edhe probleme tjera që s’kanë dalë në publik.

“Janë zhvillimet e vitit të fundit brenda organizatës, disa i keni dëgjuar e disa jo, që ta kemi një këndvështrim të përbashkët për atë se çfarë ka ndodhur dhe pastaj se si duhet të ecim përpara”,- tha para gazetarëve ish-kreu i VV-së, Visar Ymeri.

***

Liburn Aliu flet ndryshe nga Visar Ymeri 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu pas daljes nga mbledhja e kryesisë së Vetëvendosjes ka shprehur optimizëm për situatën e krijuar pas mbledhjes.

Aliu dha një deklaratë kundërthënëse krahasuar me fjalët e ish-kryetarit Visar Ymeri, i cili deklaroi se “nuk sheh mundësi të gjetjes së një zgjidhjeje”.

Kam qenë pak optimist, tash jam shumë më optimist. Do bëjmë përpjekje me e ruajtur secilin anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq çështja e kandidaturës nuk është hapur fare se a do votojnë apo jo”, tha Aliu para mediave. 

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme