Mouzalas: Ka gjurmë të forta për komplotistët e arratisur në Greqi

Ministri grek i Migrimit, Ioannis Mouzalas, tha se ekzistojnë “gjurmë të fuqishme” se tetë ish-ushtarakët turq, që kërkuan azil në Greqi pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016, u përfshinë në përpjekjen për grusht shteti në Turqi.

Mouzalas: Ka gjurmë të forta për komplotistët e arratisur në Greqi

Komentet e ministrit Mouzalas erdhën gjatë një programi të transmetuar në kanalin televiziv grek “Skai”.

Më herët këtë javë, një gjykatë greke pezulloi një dhënie të azilit, të pranuar për njërin nga ushtarakët, duke thënë se më 15 shkurt gjykata do të merrte një vendim përfundimtar për të arratisurin (Süleyman Özkaynakçı).

Süleyman Özkaynakçı, i cili bashkë-pilotoi një helikopter nga Turqia me shtatë ushtarakë të tjerë në bord më 16 korrik të vitit 2016, në mëngjesin e parë pas përpjekjes për grusht shteti, i është pranuar azili në fund të dhjetorit nga një komitet i pavarur.

Mouzalas tha se qeveria greke kishte apeluar kundër vendimit të komitetit në mënyrë që të sigurohej se komplotistëve të grusht shtetit nuk u është dhënë e drejta për azil.

“Si një shtet i qeverisur nga sundimi i ligjit, ne apeluam kundër këtij vendimi”, tha ministri grek, duke theksuar se ata nuk kishin kundërshtuar “1.500 vendimet e mëparshme”.

“Cili është ndryshimi? (Në këtë rast) Ka gjurmë të fuqishme se këta njerëz ishin komplotistë të grusht shtetit”, shtoi Mouzalas.

Duke vënë në dukje se qeveria greke është duke ndjekur një procedurë specifike ligjore në rastin e ish-ushtarakëve të kërkuar nga Ankaraja (për ekstradim), Mouzalas tha se fjalën e fundit për këtë çështje do ta thonë gjykatat greke.

- “Të motivuar politikisht”

Janarin e kaluar, Gjykata e Lartë Greke vendosi të mos ekstradojë tetë ish-oficerë në Turqi; një vendim i kritikuar si “i motivuar politikisht” nga Ministria e jashtme turke.

Ministri grek i Drejtësisë, Stavros Kontonis, tha se qeveria do të konsiderojë mbajtjen e një procesi gjyqësor për ata nëse Ankaraja paraqet një kërkesë zyrtare.

Ministria turke e Drejtësisë ka dërguar disa kërkesa për ekstradim për ish-oficerët.

Çështja u diskutua gjithashtu gjatë vizitës historike të muajit të kaluar të presidentit turk Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në Greqi.

Organizata terroriste Fethullahiste (FETO) dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gylen, orkestruan tentativën për grusht shteti që la prapa 250 dëshmorë dhe rreth 2.200 të plagosur.

Ankaraja akuzon FETO-n se qëndron prapa një përpjekje të gjatë për të përmbysur shtetin nëpërmjet infiltrimit në organet dhe institucionet turke, veçanërisht ë ushtri, polici dhe gjyqësor. (Anadolu Agency - AA)

 


Lajme të ngjashme