Viti 2018, përcaktues për një hap historik të Shqipërisë drejt BE-së

I ftuar në studion e emisionit “Tonight Ilva Tare”. ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se viti 2018 është përcaktues për një hap historik të Shqipërisë në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian...

Viti 2018, përcaktues për një hap historik të Shqipërisë drejt BE-së

Viti 2018 është përcaktues për një hap historik të Shqipërisë në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kështu deklaroi të hënën në mbrëmje ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i ftuar në studion e emisionit “Tonight Ilva Tare”.

Duke folur për ecurinë e procesit të integrimit në BE, Bushati u shpreh se “në muajin shkurt Komisioni Evropian do të prezantojë strategjinë e zgjerimit dhe rigjallërimit të politikave të procesit të zgjerimit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Po ashtu, viti 2018 është një vit i rëndësishëm, sipas tij, sepse “në prill ne presim nga ana e KE-së që të vijë me një propozim për hapjen e negociatave dhe më pas në Samitin e majit në Bullgari, të kemi mundësi të marrim një mesazh të qartë politik, që do të hapte dritën e gjelbër për një vendimmarrje nga vendet anëtare të BE-së”.

“Vetë BE do të përfshihet në një proces ripërtëritës në vitin 2019, kur do të ketë zgjedhje në BE dhe normalisht humbet disi fokusi i vetë BE-së, përsa i takon procesit të zgjerimit. Ndaj ky konsiderohet si një moment oportun për Shqipërinë që pret fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, tha Bushati.

Bushati theksoi se “Shqipëria pret që në muajin shkurt të vendosen disa binarë të rëndësishëm sa i përket këtij procesi”. “Vetë BE do të bëjë rishikimin e buxhetit 7- vjeçar ku do të reflektojë politikën e zgjerimit si prioritet, sepse nuk ka zgjerim pa faturë financiare. Presim të ketë një fokus më të madh te procesi i ndërlidhjes. Në prill, KE do të publikoj raportet individuale për secilin nga vendet që janë pjesë në këtë proces dhe ne presim që në këtë raport Komisioni të konfirmoj progresin e Shqipërisë në drejtim të 5 prioriteteve dhe reformës në drejtësi, për t’i dhënë mundësinë një shqyrtimi nga ana e vendeve anëtare që do të ndodh në fundin e qershorit. Maji është i rëndësishëm sepse do të mblidhet Samiti i Posaçëm për Vendet e Ballkanit Perëndimor në Bullgari, si shprehje e vlerësimit të BE-së për të gjithë rajonin”, tha Bushati.

Opozita të mos hedhë baltë mbi Shqipërinë

Vendimi për hapjen e negociatave është historik ndaj është e rëndësishme që të jemi të gjithë bashkë, tha Bushati ndërsa kërkoi që opozita të mos hedhë baltë mbi Shqipërinë. “Opozita të mos shoh sukseset në procesin e integrimit evropian si një kërcënim ndaj saj “, tha Bushati.

Klima politike në Shqipëri, Sipas Bushatit, “përgjithësisht është e polarizuar dhe reflekton tiparet e një vendi ballkanik dhe mesdhetar. “Një klimë politike e përmirësuar do ta ndihmonte Shqipërinë për të ecur në këtë proces. Nëse do ta kishim këtë klimë ndoshta Shqipëria do të ishte në pararojë në rajon”, tha Bushati.

Ministri Bushati theksoi se “klima politike dhe mënyra se si tentohet për të minuar zbatimin e reformës në drejtësi, natyrisht që ka pasoja që i vuajnë shqiptarët dhe imazhi i Shqipërisë”.

“Të kërkosh zgjedhje të parakohshme nga ana e opozitës është thjesht një taktikë elektorale, që çdo opozitë mund ta përdorë për të motivuar mbështetësit dhe për të mbajtur gjallë shpresën që pushteti nuk është edhe aq larg. Për të bërë protesta dhe pasur këndvështrim ndryshe nga ne për reformat, edhe kjo është normale, por jo hedhja baltë ndaj Shqipërisë dhe imazhit të Shqipërisë në ambientet e Parlamentit Evropian. Kjo e ka lënë Shqipërinë në këtë stad ku është”, tha Bushati.

Bushati u shpreh se “ne do të vazhdojmë deri në fund të jemi këmbëngulës për bashkëpunim me PD-në për ndërmarrjen e reformave shtetndërtuese”. “Ajo që unë nuk shoh nga ana e opozitës është nevoja për të promovuar Shqipërinë, jo Edi Ramën dhe këtë qeveri”, tha Bushati.

“Në takimet që ne zhvilluam me autoritetet më të larta të institucioneve të BE-së mesazhi i përbashkët i këtyre takimeve është se Shqipëria mund të konsiderohet një shembull në rajon sa i takon reformës në drejtësi, po e lufton me vendosmëri krimin e organizuar, trafiqet, bashkëpunon me shtetet partnere dhe është i vetmi vend sot në rajon që ka përfshirë kaq shumë ekspertizën ndërkombëtare në procesin e vettingut dhe i vetmi vend në rajon që e ka të linjëzuar poltikën e  saj të jashtme me BE-në”, tha Bushati.

Mesazhi i dytë që vjen nga këto institucione, sipas tij, është se “në rast se Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë këtë trajektore, janë të gatshëm për të propozuar çeljen e negociatave për anëtarësim”.

Procesi i diskutimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk do të ketë kthim pas

“Nuk mendoj se procesi i diskutimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë do të ketë kthim pas”, deklaroi ministri i jashtëm Bushati, duke iu përgjigjur pyetjes nëse “Greqia do të kushtëzojë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE-së me ecurinë e negociatave mes dy vendeve”.

Duke informuar mbi negociatat që po zhvillohen me homologun grek, Bushati u shpreh se “në marrëdhëniet ndërshtetërore është e natyrshme që krahas takimeve zyrtare dhe ministerialeve mund të ketë edhe takime më intensive në çështje të caktuara ku duhet të skicohen rrugëdalje”. “Ne kemi krijuar një mekanizëm dialogu në samitin e NATO-s që u mbajt qershorin e vitit të kaluar, ku  Rama dhe Cipras dhanë një mandat të qartë për dy ministrat e Jashtëm, për të ngritur nivelin e  dialogut në nivelin e ministrave”, tha Bushati.

Sipas tij, në këto negociata po diskutohet paketa e luftës, ku përfshihen pronat, çamët, varrezat dhe vendprehjen e ushtarëve grekë. “Po ashtu, diskutohet për lejet e drejtimit, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi, tekstet shkollore, zgjidhja përfundimtare e regjimit kufitar etj”, tha Bushati.

Lidhur me çështjen çame, Bushati theksoi se “ajo është çështje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe duhet të trajtohet si e tillë”.

“Ne presim nga ana e Greqisë për të vijuar me shfuqizimin e ligjit të luftës në përputhje me praktikën kushtetuese, çështje që i takon palës greke nuk na përket ne. Ne jemi të interesuar që të kemi një shfuqizim efektiv të ligjit të luftës”, tha Bushati.

Bushati theksoi nevojën për çlirimin e sa më shumë energjie pozitive mes dy vendeve, ndërsa përmendi rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe rolin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi. “Ne kemi po ashtu edhe projekte të përbashkëta si TAP, dhe ne duhet ta konsolidojmë më tej këtë marrëdhënie gjithmonë duke ballafaquar alternativat tona”, shtoi Bushati.

Lidhur me dhënien e nënshtetësisë shqiptare për Janullatos, Bushati tha se “ky vendim reflekton kontributin e  pamatë të Janullatos në ringritjen e Kishës Autoqefale Shqiptare”. “Feja dhe shteti janë të ndara me njëra-tjetrën. Nuk është pjesë e paketës së diskutimeve, por duke pasur parasysh origjinën, ky vendim do të ketë impakt pozitiv”, tha Bushati.

Rezoluta për Jeruzalemin në OKB nuk është një rezolutë antiTrump

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati duke komentuar qëndrimin e Shqipërisë në OKB për çështjen e Jeruzalemit, tha se “qëndrimi i Shqipërisë për shumë çështje nuk ka ndryshuar që nga vitit 2006”.

“Në rastin e Jeruzalemit, në OKB ka disa rezoluta dhe ngatërrohet shpesh statusi i Jerusalemit me vendngulimet në Palestinë dhe aktivitetin nuklear në Lindjen e Mesme. Për statusin e Jeruzalemit ka një konsensus ndërkombëtar 70-vjeçar. Qëndrimet e Shqipërisë për këtë rezolutë nga 2006 e deri më sot kanë qenë krejt të njëjta”, duke theksuar se “kjo nuk është një rezolutë antiTrump”.

Po ashtu, Bushati tha se “nuk ka pasur asnjë demarzh nga SHBA për këtë çështje”. /ATSH



Lajme të ngjashme