Markoviq: Hyrja e Malit të Zi në NATO, arritja më e madhe në 2017

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq në fjalën që mbajti në koktejin tradicional të fundvitit organizuar në Podgoricë e cilësoi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO si arritjen më të madhe për vitin 2017.

876467
Markoviq: Hyrja e Malit të Zi në NATO, arritja më e madhe në 2017
Karadağ NATO üyesi oldu.jpg
Milutin Simoviq_Recep Akdağ3.jpg
Nazif Cungu_Best Practice Programme in local government 2017.jpg
Ulqin_yılbaşı çocuklara yönelik kültürel faaliyet.jpg

Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq organizoi në Podgoricë koktejin tradicional të fundvitit, ku ishin te ftuar personalitete të larta shtetërore, politike, jetës kulturore dhe sociale, korit diplomatik etj. Duke iu drejtuar të pranishmëve Markoviq ka vlerësuar se anëtarësimi në NATO është arritja me e madhe e Malit të Zi për vitin 2017-të. Sipas tij përfshirja në Aleancën me të fuqishme botërore i garanton Malit të Zi mundësinë për zhvillim më të shpejtë dhe arritjen e standardeve më të larta. Me këtë sipas Kryeministrit Markoviq kemi fituar edhe besimin e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe kemi shënuar rritje ekonomike prej 4.5 % rezultat ky që është bazë për një jetë më të mirë të qytetarëve të Malit të Zi. Duke folur për situatën aktuale politike numri një i Qeverisë malazeze Dushko Markoviq ka konstatuar se bojkoti i parlamentit nga ana e bllokut opozitarë është jo racional dhe i pakuptimtë. Ai i bëri thirrje partive opozitare që me anë të dialogut dhe me mençuri të gjejnë pikat e përbashkëta te cilat më shumë do ta afrojnë pushtetin dhe opozitën e jo t’i ndajnë ato. Sipas kryeministrit Markoviq, Mali i Zi gjatë vitit që po lëmë pas ka arritur rezultate të theksueshme edhe sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke hapur kështu edhe 8 kapituj të tjerë të negociatave. Sipas tij qëllimi ynë është që në vitin 2018 të hapim edhe tre kapitujt e mbetur, e pas kësaj me hapa të fuqishëm të nisemi drejt përmbylljes se negociatave.

                                                                ***        

Avancohet bashkëpunimi në fushën e tregtisë midis Malit të Zi dhe Turqisë. Takimi i delegacioneve të përziera ne Ankara. 

Ankara të Turqisë u zhvillua takimi i radhës  i komisionit të përbashkët për implementimin e Marrëveshjes për tregtinë e lirë midis Malit të Zi dhe Turqisë. Delegacionin nga  Mali i Zi e udhëhoqi drejtori i Drejtorisë për Bashkëpunim multilateral dhe Rajonal dhe Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë Goran Shqepanoviq, ndërkaq delegacionin turk e udhëhoqi Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet me Bashkimin Evropian pranë Ministrisë së ekonomisë z. Murat Yapici. Bëhet e ditur se në takim janë shkëmbyer informacionet për implementimin e marrëveshjes që nga hyrja e saj në fuqi ne mars të vitit 2010. Është biseduar për liberalizimin e tregtisë së prodhimeve bujqësore, shërbimeve dhe tregtisë publike si dhe ndryshimi i Protokollit II të marrëveshjes që ka të bëjë me definimin e brentit “prodhime me origjinë”. Takimi i radhës i dy delegacioneve të përziera do të mbahet në Podgoricë në shkurt të vitit 2018-të.

                                                              *** 

Komuna e Ulqinit fiton çmimin parë të Programit të Promovimit të Unvestimeve të Huaja.

Në Podgoricë në organizim të Misionit të OSBE-së dhe Bashkësive të komunave të Malit të Zi, u bë dorëzimi i çmimeve Programi i praktikës më të mirë për vetëqeverisjen lokale në Mal të Zi, që këtë vit shënoi dhjetë vjetorin. Komunës së Ulqinit për praktikën e promovimit të investimeve të huaja i takoi çmimi i lartë “Best Practice Programme in local government 2017”. Çmimi iu dorëzua Kryetarit të komunës Nazif Cungu, ndërkohë që prezantimin para zyrtarëve ndërkombëtarë dhe qeveritarë e bëri Arsllan Hajdinaga, anëtari i ekipit për promovimin e investimeve. Kryetari Cungu tha se ky çmim dëshmon se komuna e Ulqinit  ka potencial rinovues  që mund të jetë shembull edhe për të tjerët. Ai përgëzoi ekipin e komunës dhe llogarit që çmimi do të jetë edhe një impuls  për suksese të tjera.

                                                            ***

Aktivitete të shumta kulturore për festat e fund vitit në Ulqin.

Në organizim të Komunës së Ulqinit dhe Organizatës lokale turistike, në Ulqin nga data 30 dhjetor me një seri aktivitetesh do të fillojë programi i Vitit të ri, me manifestimin ” Këndi Dimëror 2018”. Manifestimi do të filloj  me aktivitete të ndryshme për fëmijë si dhe me panairin e Viti të ri, ku do të marrin pjesë të gjithë fëmijët e kopshteve dhe shkollave fillore të Ulqinit. Aktiviteti qendror do të jetë pritja e Vitit të ri 2018, ku në shëtitoren e Plazhit të vogël do të marrin pjesë grupet Fisniket nga Kosova dhe Trio Gusht nga Kroacia. Për të vazhduar në atmosferën festive gjatë ditës dhe natës në vijim, me 1 janar do të marrin pjesë grupet NRG Band dhe Colonia nga Kroacia, e cila këndon për herë të dytë në Ulqin. Të gjithë qytetarët por edhe vizitorët do të kenë mundësinë të kënaqen dhe të ndjejnë  atmosferën festive të ndërrimit të mot moteve me shoqërinë dhe familjet e tyre. Manifestimin “Këndi Dimërorë” përveç Organizatës Turistike të Ulqinit e përkrah edhe Komuna e Ulqinit, Qendra për Kulturë si dhe afaristët e dalluar ulqinakë.

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, përgatiti Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme