Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta: Jo normale letra e Metës për Trumpin

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta, foli për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kundër vendimit për Jerusalemin...

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta: Jo normale letra e Metës për Trumpin

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta, foli për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kundër vendimit për Jerusalemin.

Në emisionin “Kjo javë”, i cili transmetohet në televizionin “News24”, Baleta tha se kjo rezolutë nuk mund të quhet votë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi vetë rezoluta e OKB-së nuk është protestë ndaj SHBA-së. Sipas tij, kjo rezolutë ishte një formë kërkesë ndaj Uashingtonit për të rishikuar qëndrimet e tij.

Duke u ndalur në situatën e krijuar në Shqipëri pas kësaj vote, ish-ambasadori Baleta tha se “debati për këtë rezolutë ka kaluar nga një çështje ndërkombëtare e shtetit shqiptar, në një përplasje të brendshme politike”.

Nga ana tjetër, ai ka komentuar reagimet e bëra nga Presidenti Ilir Meta dhe nga opozita lidhur me votën e Shqipërisë në OKB.

“Në një shtet serioz, ku vërtet funksionojnë institucionet siç duhet, titullarët e institucioneve shohin interesin e shtetit dhe nuk merren vendime pa komunikuar me njëri-tjetrin. Por situata në vendin tonë nuk është normale. Imazhin e keq Shqipërisë nuk ka për t’ia krijuar ai votim atje, por kjo situatë politike që pasoi këtu në vendin tonë. Letra e Metës për Trumpin është anormale”, u shpreh ish-ambasadori Baleta.

I pyetur lidhur me pasojat që mund të ketë Shqipëria, Baleta tha se nuk pritet të ketë të tilla. Ai u shpreh se deri më tani, ndihma amerikane në Shqipëri nuk është financiare, por është e madhe në shumë fusha.

“Linja jonë evropiane është ajo e Brukselit, Parisit, Londrës, nuk është ajo e Varshavës. Një pjesë e mirë e këtyre reagimeve që shoh unë, janë në bazë të qëndrimeve të mëparshme. Pra, janë grupe që kanë prirje të ndryshme”, tha Baleta. /ATSH



Lajme të ngjashme