Komisioni Evropian vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e masave për emigrantët

“Përshëndes përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për forcimin e masave për trajtimin e emigrimit të parregullt”, deklaroi komisari për Emigracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos...

872925
Komisioni Evropian vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e masave për emigrantët

“Përshëndes përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për forcimin e masave për trajtimin e emigracionit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së më të prekura deri tani. Megjithatë tani përpjekjet duhen mbështetur më tej për të siguruar që progresi të vazhdojë i pandërprerë, veçanërisht fushatat e ndërgjegjësimit mbi detyrimet dhe kushtet e udhëtimit pa viza dhe përmirësimi i kontrollit të kufijve, si dhe shtimi i hetimeve dhe ndjekjes penale të grupeve të krimit të organizuar”.

Dimitris Avramopoulos, komisar për Emigracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, duke folur në lidhje me Shqipërinë, në ditën e publikimit nga Komisioni Evropian të raportit për liberalizimin e vizave, theksoi se, “ne jemi plotësisht të përkushtuar për ta ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor. Por kjo shoqërohet me përgjegjësi, si për qytetarët ashtu dhe për autoritetet përkatëse”.

Komisioni raportoi sot për përmbushjen e vazhdueshme të standardeve për liberalizimin e vizave nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia), si dhe nga vendet e Partneritetit Lindor (Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina).

Raporti tregon se, ndërsa kërkesat për liberalizimin e vizave për vendet në fjalë vazhdojnë të përmbushen, kërkohet veprim në një numër fushash specifike për të ruajtur zbatimin e tyre të qëndrueshëm.

Dimitris Avramopoulos theksoi se raporti i sotëm është vlerësimi i parë në kuadrin e mekanizmit të ri të monitorimit për tetë vendet që kanë kryer dialog për liberalizimin e vizave me BE-në.

“Vlerësimi tregon se të tetë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor kanë demonstruar një angazhim të fuqishëm për të përmbushur kërkesat e nevojshme dhe kanë ndërmarrë përpjekje të rëndësishme për të zbatuar një numër reformash me ndikim të gjerë, që janë përcaktuar në kuadrin e procesit të liberalizimit të vizave. Tani është e domosdoshme që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe që vendet të mos tërhiqen në arritjet e tyre. Raporti i sotëm fokusohet në fushat ku nevojiten veprime të mëtejshme, në veçanti migracioni i parregullt dhe ripranimi, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, si dhe rendi dhe siguria publike”, tha ai.

Përpjekjet për të frenuar migrimin e parregullt po japin rezultate

Masat që të tetë vendet kanë vazhduar të marrin për të trajtuar migracionin e parregullt po japin rezultate. Këto përpjekje kanë rezultuar me një rënie të konsiderueshme të përgjithshme të numrit të kërkesave për azil të bëra në Shtetet Anëtare të BE-së nga qytetarët e vendeve në fjalë, thuhet në raport.

Megjithatë, sfidat ende vazhdojnë, veçanërisht në Shqipëri, vendi me numrin më të madh të aplikimeve të pabazuara për azil mes shteteve pa viza. Autoritetet shqiptare kanë qenë aktive për forcimin e masave për të trajtuar migracionin e parregullt dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me Shtetet Anëtare më të prekura. Këto përpjekje po japin tashmë rezultate, por përpjekjet duhen mbështetur për të siguruar që zbatimi të vazhdojë i pandërprerë.

Me një numër të ndryshueshëm refuzimesh të hyrjes dhe qëndrimesh të parregullta, Komisioni u bën thirrje të gjitha vendeve të interesuara që të ndërmarrin veprime specifike, duke filluar nga forcimi i kontrolleve kufitare deri tek organizimi i fushatave informuese për udhëtimin pa viza.

Bashkëpunimi për riatdhesimin vazhdon normalisht për të gjitha vendet pa viza të Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor me përqindje të përgjithshme të larta të kthimit. Për të përmirësuar më tej bashkëpunimin për kthimin, Komisioni u bën thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë zbatimin efektiv të marrëveshjeve të riatdhesimit dhe po të jetë e nevojshme, të përfundojnë protokolle zbatuese me Shtete Anëtare shtesë.

Nevojitet më shumë punë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar, grupe kriminale nga vendet pa viza në fjalë janë ende aktive përmes një gamë të gjerë veprimtarish kriminale në BE, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe të mallrave të paligjshme, krimin ndaj pronës, kontrabandën e migrantëve dhe krimin kibernetik. Të tetë vendet duhet t’i shtojnë veprimet e tyre për ta trajtuar më tej çështjen e krimit të organizuar.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporti i ri zëvendëson raportet e mëparshme të monitorimit pas liberalizimit të vizave dhe mbulon periudhën që nga raporti i fundit i tillë i shkurtit të vitit 2015.

Të tetë vendet kanë demonstruar angazhim të plotë për përmbushjen e kërkesave të nevojshme dhe kanë ndërmarrë përpjekje të rëndësishme për të zbatuar një numër reformash me ndikim të gjerë të përcaktuara në kuadrin e proceseve të tyre të liberalizimit të vizave.

Komisioni konsideron se të gjitha vendet e vlerësuara vazhdojnë të përmbushin standardet e liberalizimit të vizave.

Megjithatë, kërkohet veprim i menjëhershëm në një numër fushash specifike për të ruajtur zbatimin e tyre të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.

Për disa vende, nevojitet më shumë punë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të mbajtur nën kontroll migracionin e parregullt.

Tani është e domosdoshme që këto reforma të jenë të qëndrueshme dhe që vendet të mos tërhiqen në arritjet e tyre.

Konkluzionet e raportit nënvizojnë faktin se Shqipëria, Republika e Moldavisë dhe Ukraina duhet të ndërmarrin veprim të menjëhershëm në mënyrë që të sigurojnë përparim të vazhdueshëm në fusha të caktuara. Për Shqipërinë, sfidat e migracionit të parregullt duhet të trajtohen më tej.

Komisioni do t’i raportojë sërish Parlamentit Evropian dhe Këshillit për përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave të liberalizimit të vizave nga vendet e treta në vitin 2018. /ATSH



Lajme të ngjashme