Euractiv: Shqipëria përgatitet për hapin e madh drejt BE-së në 2018-n

Shqipëria pret që Bashkimi Evropian të njohë potencialin e saj për të qenë partnerë duke hapur pranverën e 2018-s bisedimet për anëtarësimin...

Euractiv: Shqipëria përgatitet për hapin e madh drejt BE-së në 2018-n

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, shpjegon për portalin euroactiv.com(platformë mediatike e specializuar në publikimin "online" të artikujve të fokusuar te politikbërja në Evropë) se përse 6 muajt e ardhshëm, nën presidencën bullgare, do të jenë të një rëndësie vendimtare.

"Teksa po i afrohemi nisjes së presidencës bullgare të BE-së, e cila përkon me një intensifikim të marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor gjatë dy viteve të fundit, bëhet gjithmonë e më e qartë se kjo periudhë do të jetë vendimtare për shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim. Në Shqipëri, ne kemi ndërmarrë me sukses disa hapa të rëndësishme në 2017-n. Kaluam unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë një reformë të paprecedent në sistemin e drejtësisë, e cila ndryshon radikalisht Kushtetutën tonë, duke ngritur për herë të parë një procedurë të re vetingu për sistemin e drejtësisë", thotë Bushati.

"Pavarësisht pengesave të shumta dhe një rezistence kokëfortë, nisëm zbatimin e reformës në drejtësi duke ngritur komisionet e vetingut, të ndihmuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë besoj se ajo që kemi arritur deri më tani përfaqëson një platformë të rëndësishme për punën e mëtejshme në kornizën e bisedimeve të anëtarësimit, për kapitujt 23 dhe 24 dhe besoj se e gjithë kjo na bën të gatshëm për të ecur më tej në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Reforma në drejtësi do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rendimentin tonë në fusha të tjera si lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar", shton ai.

"Reforma të tilla të thella përballen shpesh me qëndresë dhe mosbesim. Por, përkundër të gjithë parashikimeve, ne jemi të vetëdijshëm që nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër. Shqipëria prej kohësh ka treguar një vazhdimësi dhe qartësi strategjike në orientimin e saj euroatlantik. Mosshikimi i kësaj pikëpamjeje strategjike do të ishte një gabim fatal dhe thjesht nuk mund të jetë një opsion. Strategjia Globale e BE-së, e publikuar një vit më parë, njeh se një politikë zgjerimi e besueshme përbën një investim strategjik për sigurinë dhe mirëqenien e Evropës. Në Ballkanin Perëndimor, kjo qasje ka ndikuar prej kohësh në stabilizimin, paqtimin dhe progresin e rajonit", thekson Bushati.

"Nuk është idealizmi ai që i bën qytetarët e Shqipërisë entuziastë rreth Bashkimit Evropian. Është realizmi, njohja e interesave tona të përbashkëta, perspektiva e një paqeje, sigurie, mirëqënieje dhe mirëqëverisjeje të qëndrueshme. Një bashkëpunim më i ngushtë midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor përbën garancinë më të mirë për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në këtë kënd të Evropës. Në Shqipëri, ne presim që BE-ja të njohë potencialin tonë për të qenë partner duke hapur bisedimet e anëtarësimit në pranverën e 2018-s. Ne jemi të vetëdijshëm që hapja e bisedimeve do të jetë thjesht fillimi i një procesi mësimi të gjatë dhe sfidues. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që do të nevojitet ende kohë, kohë të cilën ne duam ta shfrytëzojmë për të transformuar më tej vendin tonë në çdo drejtim të mundshëm dhe për afrimin e qytetarëve tanë më pranë Evropës. Nëse do të shtyjmë më tej hapjen e negociatave, do të jetë e vështirë që të bindim të rinjtë mbi përfitimet e integrimit evropian; realisht do të nevojiten më shumë se 5 dekada për vendet e Bashkimit Evropian për t’u ngritur në standardin e Evropës Perëndimore dhe të rinjtë tanë, në mënyrë të kuptueshme janë të paduruar.

Megjithatë nga Brukseli dhe rajoni në vetvete vijnë lajme të mira, të cilat na bëjnë të kemi arsye për optimizëm. Gjatë 4 viteve të shkuara, të udhëhequra nga energjitë e investuara në Procesin e Berlinit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar për të rrëzuar çdo barrierë për tregtinë e lirë duke nxitur zhvillimin e ekonomisë ndërrajonale. Në korrik të këtij viti, në Trieste, ne u dakordësuam për themelimin e Zonës Ekonomike Rajonale. Ne presim që ky hap të rrisë shkëmbimet tregtare duke çliruar energji të ndrydhura në të mirën e të gjitha ekonomive tona.

Ne mirëpresim faktin që Bullgaria e ka cilësuar Ballkanin Perëndimor një përparësi kyçe të presidencës së saj të Këshillit dhe besojmë se gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë të një rëndësie vendimtare për ne. Komisioni Evropian do të prezantojë strategjinë e tij të zgjerimit në shkurt 2018 dhe ne presim që ky dokument të paraqesë një vizion të qartë mbi atë që do të bëhet me Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti me Shqipërinë.

Ne gjithashtu shpresojmë të marrim një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në raportin e prillit të Komisionit Evropian dhe presim që Këshilli i ardhshëm i BE-së në muajin qershor të marrë vendimin për hapjen e bisedimeve. Çdo vendim i ndryshëm do të përfaqësonte një shans të humbur.

Disa muaj më parë, Presidenti Junker nisi fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e Unionit duke theksuar nevojën për një perspektivë të besueshme zgjerimi për Ballkanin Perëndimor, çka do të garantojë më shumë qëndrueshmëri në periferinë e BE-së.

Disa javë më pas, Presidenti Macron i bëri jehonë të njëjtës pikëpamje. Kemi mirëpritur ato deklarata, pasi mbetemi thellësisht të bindur se rigjallërimi i politikës së zgjerimit do të shërbejë si një katalizator për zhvillimin e mëtejshëm e njëkohësisht do të përbëjë një deterrent për të kundërshtuar narrativën e dizintegrimit të nxitur nga idetë populiste dhe nga propaganda e aktorëve të tretë antievropianë.

Ne i kemi mëshuar gjithmonë bindjes që secili vend duhet të jetë në gjendje që të ecë përpara me shpejtësinë e tij individuale drejt integrimit evropian, në përputhje me kapacitetet, shpejtësinë e reformave dhe vazhdimësinë e përmbushjes së angazhimeve evropiane. Ndaj u kërkoj partnerëve evropianë që të shohin progresin që Shqipëria ka bërë duke na akorduar një përspektivë dhe një udhërrëfyes të qartë për integrimin tonë evropian", përfundon ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. /ATSH

Artikulli orogjinal: Albania 2018: Preparing for a breakthrough



Lajme të ngjashme