Reshjet vazhdojnë të rrezikojnë përmbytjet në Shqipëri

Të gjitha institucionet në terren e gatishmëri për situatën e krijuar nga reshjet

Reshjet vazhdojnë të rrezikojnë përmbytjet në Shqipëri

Një sërë operacionesh shpëtimi janë zhvilluar gjatë orëve të fundit ku janë evakuuar shumë banorë të rrezikuar nga përmbytjet.

Angazhimi i grupeve të emergjencave civile, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, zjarrfikëseve dhe spitaleve ka bërë që të sigurohet jeta e banorëve të rrezikuar.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshi, inspektoi zonën e Mifolit pranë Vlorës, një nga zonat me rrezikshmëri të shtuar për shkak të prurjeve të shtuara të lumit të Vjosës.

Kryeministri përsëriti edhe një herë apelin ndaj qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave civile në rastet kur është i nevojshëm evakuimi.

Ai shtoi se prioritet mbetet shpëtimi i jetëve të njerëzve.

Kryeministri ka falënderuar edhe opozitën,e cila në seancën e fundit parlamentare ka  shprehur mirëkuptimin për të mbyllur seancën në lidhje me buxhetin në një kohë të arsyeshme, për të qenë pastaj në krye të detyrës.

 “Dua në radhë të parë të falënderoj Lulzim Bashën, kryetarin e Partisë Demokratike, i cili dje në mbrëmje shprehu mirëkuptimin për të ndërprerë diskutimet që ishin në rendin e ditës, lidhur me buxhetin, nga ana e opozitës e për të na dhënë mundësinë që ta mbyllim seancën në një kohë të arsyeshme, në mënyrë që të ishin në krye të detyrës”, tha kreu i qeverisë.

Ai falënderoi edhe ministren e Mbrojtjes, e cila ka qenë vazhdimisht në terren gjatë gjithë natës së bashku me Forcat e Armatosura me grupet e Policisë së Shtetit dhe e emergjencës civile.

Besoj se kemi gatishmërinë më maksimale se asnjëherë tjetër, sepse kemi nxjerrë mësimet e eksperiencave të shkuara, por edhe kalimi i Emergjencave Civile nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, si rezultat i reformës që ne kemi nisur, ka përfitueshmërinë e vet. Situata ishte e paralajmëruar. Natyrisht që fuqitë njerëzore, logjistike, jo tonat por të çdo shteti, sado të madh, në këto raste janë të kufizuara”, theksoi Rama.

Reshjet që kanë goditur Shqipërinë në këto dy ditë të fundit cilësohet si reshjet më të mëdha në vlerë absolute në histori nga Emergjencat Civile.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama mblodhi mbrëmjen e të premtes Komitetin e Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile.

Sipas Emergjencave Civile, prurjet në Vjosë dhe Seman në datën 2 dhe 3 pritet të dhjetëfishohen në krahasim me prurjet para fillimit të reshjeve.

EC thotë se situata do të ketë një përmirësim të lehtë në datën 4 dhjetor e në vijim.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se në krahasim me përmbytjet në vitin 2015, prezenca e ushtrisë në terren në ndihmë të qytetarëve është pesëfishuar.

Edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi se angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë maksimal...

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme