Kosovë – Haradinaj: Të rritet përkujdesja institucionale për qendrat e strehimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi të shtunën se duhet rritur përkujdesja institucionale për të gjitha qendrat e strehimit në vend...

Kosovë – Haradinaj: Të rritet përkujdesja institucionale për qendrat e strehimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi të shtunën se duhet rritur përkujdesja institucionale për të gjitha qendrat e strehimit në vend.

Gjatë një takimi me drejtoreshën e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Valbona Qitaku, drejtoreshën e qendrës së strehimit “Liria” në Gjilan, Nazife Jonuzi, dhe Teuta Abrashin, përfaqësuese e Organizatës për luftën lundër trafikimit të qenieve njerëzore, Haradinaj shprehu mirënjohje për punën që ato bëjnë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Gruas, që shënohet më 25 nëntor, drejtueset e këtyre qendrave e njoftuan kryeministrin me veprimtarinë e tyre në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të viktimave të dhunës dhe me vështirësitë me të cilat përballen qendrat e strehimit.

Në takim, po ashtu u bë e ditur se policia raporton se çdo vit rreth 1.300 persona në Kosovë janë viktima të formave të ndryshme të dhunës.

Shënimi i Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, bën thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave. /ATSH



Lajme të ngjashme