Bakir Izetbegoviç: Serbët e Bosnjë-Hercegovinës të pranojnë të vërtetën mbi Mladiç

Anëtari boshnjak i Presidencës Tripalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, u kërkoi të mërkurën serbëve në këtë vend që të pranojnë realitetin mbi krimet e kryera nga Ratko Mladiç duke e cilësuar si të vetmen rrugë për një ardhmëri më të mirë...

853224
Bakir Izetbegoviç: Serbët e Bosnjë-Hercegovinës të pranojnë të vërtetën mbi Mladiç

Kreu politik i boshnjakëve myslimanë, Bakir Izetbegoviç, u kërkoi të mërkurën serbëve të Bosnjë-Hercegovinës që të pranojnë të vërtetën mbi krimet e kryera nga Ratko Mladiç duke e cilësuar si të vetmen rrugë për një të ardhme më të mirë në këtë vend.

“Askush nuk duhet ta cilësojë si një hero, të kompozojë këngë apo të krenohet me krimet e tij”, deklaroi anëtari boshnjak i Presidencës Tripalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, me një serb dhe një kroat.

Duke u prononcuar në Sarajevë para shtypit, ai u shpreh i bindur se serbët e Bosnjë-Hercegovinës nuk do të identifikohen me krimet e tij, të cilat duhet të peshojnë në shpatullat e Ratko Mladiç dhe jo mbi ato të popullit serb.

“Është thelbësore për të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës, veçanërisht për marrëdhëniet ndëretnike, të heqim një peshë të tillë nga shpatullat e popullit për ta vendosur mbi ato të individëve të tillë”, theksoi ai.

“E shkuara është pas nesh, ia vlen t’i referohemi vetëm në masën ku është premtimi për një të ardhme më të mirë”, shtoi ai.

Bakir Izetbegoviç është djali i Alija Izetbegoviç, kreu i boshnjakëve gjatë luftës së viteve 1992-1995, një konflikt që shkaktoi 100.000 të vdekur dhe 2,2 milionë të zhvendosur në Bosnjë-Hercegovinë. Alija Izetbegovic vdiq në vitin 2003. /ATSH



Lajme të ngjashme