Befasi në balotazh për kryetar komunash në Kosovë

Befasia më e madhe është vlerësuar fitorja e Vetëvendosjes në Prizren, ku kandidati i saj Mytaher Haskuka ka fituar ndaj kandidatit të PDK-së Shaqir Totaj.

kosova yerel secimler.jpg
Kosova_Kendin Karar Ver Hareketi_Levizja Vetevendosje.JPG
Kosova erken seçim_ramush haradinaj.jpg
kosova seçim.jpg

Në Kosovë të dielën është mbajtur raundi i dytë zgjedhjeve për kryetarë të komunave, ku ndodhën disa befasi. Befasia më e madhe është vlerësuar fitorja e Vetëvendosjes në Prizren, ku kandidati i saj Mytaher Haskuka ka fituar ndaj kandidatit të PDK-së Shaqir Totaj.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, bëri të ditur se në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave votuan 38.10 për qind e qytetarëve me të drejt vote në 19 komuna. Daka theksoi se procesi ka qenë i mirë dhe pa raportimin e ndonjë parregullsie e cila do ta dëmtonte procesin e zgjedhjeve. Ajo ka falënderuar edhe qytetarët për kulturën e treguar gjatë procesit zgjedhor.

“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur që procesi i votimit ka kaluar qetë dhe pa raportime që do ta cenonte integritetin e këtyre zgjedhjeve. Në emër të KQZ-së dua të falënderoj të gjithë qytetarët që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar dhe për kulturë të lartë demokratike të treguar gjatë ditës së sotme”, ka thënë Daka.

Daka po ashtu bëri të ditur se pjesëmarrja e qytetarëve në këtë raund të zgjedhjeve ka qenë 38,10 për qind. Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve në po të njëjtat komuna përqindja del të jetë më e ulët për 5 %.

“Dalja e votuesve në zgjedhje është 516 mijë e 573 votues apo 38.10 %. Krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve me 22 tetor deri në të njëjtën kohë në këto komuna kanë votuar 43.70% e votuesve”, tha Daka.

Në Prishtinë dalja e qytetarëve del të jetë 44. 5% , në Prizren 30.6 % e kështu me radhë. 

***

Shpend Ahmeti feston 

Kryetari i Prishtinës, sipas rezultateve preliminare, Shpend Ahmeti në një konferencë për media, pas mbylljes së vendvotimeve falënderoi të gjithë qytetarët që i dhanë besimin dhe për një mandat.

 “Kishte një angazhim dhe nga AKR për këtë raund të dytë. Ju duhet ta keni të qartë, sepse nuk ishim përball vetëm një kandidati. Ne kishim përballë një makineri të tërë. Sepse Prishtina ishte tepër e rëndësishme për disa nga subjektet, të cilat  gjatë gashtë muajve të fundit, kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për të na sulmuar. Prandaj kur e dimë se e marrim këtë përqindje të votave, këto dhjetëra mijëra votave që sot na u konfirmuan, kjo është një mbështetje për ta vazhduar punën tutje”, ka thënë Ahmeti.

***

Abrashi thotë se ende nuk ka përfunduar gara

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka thënë se ende janë në garë dhe se do të fitojnë.

“Do t’i numërojmë të gjitha votat. Jam besimplotë se brenda atyre fletëvotimeve që kanë mbetur pa u numëruar, është fitorja jonë, fitorja e Prishtinës evropiane. Me qetësi, me durim, me mençuri e me vendosmëri, do ta administrojmë procesin në vazhdim. Për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të Prishtinës. Unë besoj në fitore. Ashtu sikurse Ju besoj”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

***

LDK e konsideron veten fituese

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është fituese e numrit më të madh të komunave në Kosovë. Zëdhënësi i Shtabit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konference për media, tha se LDK ka numrin më të madh të komunave që do t’i qeverisë në këtë mandat, përfshirë edhe Prishtinën, edhe pse sipas tij, rezultatet janë në proces të numërimit për kryeqytetin.

”Edhe një herë raundi i dytë i votimeve e konfirmon Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë më të madhe në vend. Katër komuna të fituara në raundin e parë i shtohen edhe plotë të tjera. Në radhë të parë ne dëshirojmë t’i urojmë kryetarët e rijnë, të Gjilanit, të Podujevës, Istogut dhe Vushtrrisë nga radhët e LDK-së, të cilët me fitore bindëse kanë përfunduar rezultatin zgjedhor. Gjithashtu kemi rezultate inkurajuese nga Dragashi, Kamenica, Ferizaj dhe Suhareka… Sa i përket Prishtinës rezultatet janë në proces të numërimit e sipër. Ne vlerësojmë matjet eventuale për të dhënat tona nga terreni tregojnë për një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të qytetarëve nga 85 mijë votues në këtë raund dhe jep rezultat inkurajues për LDK-në”, ka thënë Abdxhjiku.

***

Haskuka feston

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit Mytaher Haskuka ka fituar në Prizren ndaj rivalit të tij nga PDK, Shaqir Totaj, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja.

Me 100 për qind të votave të numëruara, Haskuka ka marrë 50,32 për qind të votave kundër Totajt që ka 49,68 për qind.

Haskuka mori si aleatë partitë e reja, Nisma dhe Alternativa. Ndërkaq në këtë garë, Totaj mori mbështetjen e AAK-së dhe KDTP-së.

Haskuka pas fitores në sheshin Shadërvan ku ishin mbledhur shumë simpatizuar të VV-së I emocionuar ka falënderuar qytetarët e Prizrenit për mbështetjen e dhënë dhe ka thënë se do të jetë kryetar I të gjithëve, pa dallime partiake.

***

Totaj i pret edhe votat me kusht

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren përmes një komunikate për media thotë se bashkë me kandidatin për kryetar komune, Shaqir Totaj, falënderojnë qytetarët për pjesëmarrjen dhe kulturën e treguar në procesin zgjedhor.

“PDK i falënderon të gjithë përkrahësit që i besuan sot me votën e tyre, Shaqir Totajt, për kryetar komune dhe projektit të tij”, thuhet në komunikatë.

Tutje aty thuhet se rezultati zgjedhor për Prizrenin është shumë i ngushtë dhe si i tillë është në favor të PDK-së. Prandaj, këto rezultate preliminare do të finalizohen pas disa ditësh kur të numërohen edhe mbi 1500 vota me kusht, të cilat “PDK beson se mbi 70% prej tyre janë të demokratëve të saj”.

PDK u bën thirrje votuesve të saj që të tregojnë qytetari dhe të presin finalizimin e rezultateve për garën e Prizrenit në 5 ditët e ardhshme.

***

Haradinaj: Do t’i drejtojmë shtatë komuna

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka përgëzuar qytetarët për zgjedhjet e balotazhit meqë sipas tij këto zgjedhje dëshmojnë se Kosova është pjesë e familjes eropiane. Haradinaj ka vënë në theks se në zgjedhjet e 19 nëntorit AAK ka fituar në tetë komuna duke llogaritur edhe Istogun.

 “I përgëzoj të gjithë për zgjedhjet fer që janë mbajtur në Kosovë. Këto Zgjedhje dëshmojnë që Kosova është demokraci premtuese na bëjnë pjesë të familjes evropiane. Në këto zgjedhje AAK ka fitu besimin në disa komuna. Sot është konfirmuar fitorja në Gjakovë, Obiliq Rahovec, e Klinë po presim fitore edhe në Istog me këtë kemi 8 komuna që iu është dhënë besimi. I uroj gjithë kryetarët që kanë marrë besimin e qytetarëve dhe ju premtoj bashkëpunim”, ka thënë Haradinaj.

***

Vetëvendosje do të udhëheq në tri komuna 

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (VV), ka arritur që t’i fitojë tri komuna.

Derisa në vitin 2013, VV-ja kishte fituar vetëm kryeqytetin, në vitin 2017, kjo komuna do të drejtojë Prishtinën, Kamenicën dhe Prizrenin.

Derisa Shpend Ahmeti, ka arritur që ta rifitojë Komunën e Prishtinës, Mytaher Haskuka dhe Qëndron Kastrati, kanë arritur ta fitojnë Prizrenin dhe Kamenicën, respektivisht e kanë sfiduar Shaqir Totajn nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Shaip Surdullin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). 

***

PDK-ja i humb katër komuna

Pas publikimit të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rezulton se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka humbur në katër komuna në raundin e dytë, por ka fituar në katër sosh.

Kandidatët e PDK-së, komunat, të cilat i kanë humbur, sipas rezultateve preliminare, do të drejtohen nga VV-ja në Prizren, LDK-ja në Vushtrri dhe nga AAK-ja në Klinë dhe Rahovec.

PDK-ja në balotazh, nga komunat të cilat i ka drejtuar, i ka humbur komunën e Prizrenit, Klinës, Rahovecit dhe Vushtrrisë, derisa e ka rikthyer komunën e Ferizajt, vazhdon ta drejtojë Kaçanikun, Shtimen dhe Dragashin.

***

Sa nga sa kryetar komunash kanë fituar subjektet politike

Lista Srpska ka fituar më së shumti kryetar komunash në zgjedhjet lokale, gjithsej nëntë që janë të gjitha vendbanime të vogla me shumicë serbe. Srpska, në raundin e parë ka fituar pa balotazh Leposaviqin, Novobërdën, Shtërpcën, Zubin Potokun, Zveçanin, Graçanicën, Ranillugun, Parteshin, ndërkohë që në Kllokot ka fituar në balotazh.

Kurse, LDK-ja ka fituar në tetë komuna. Fitoreve në raundin e parë në Lipjan, Fushë Kosovë, Viti e Pejë, në balotazh iu janë shtuar edhe Gjilani, Podujeva, Vushtrria e Istogu.

PDK-ja, ndërkaq, ka fituar pesë komuna. Në raundin e parë, Partia e Kadri Veselit kishte fituar vetëm një komunë, Drenasin, përderisa  në raundin e dytë, ka fituar në Dragash, Ferizaj, Kaçanik e Shtime.

Partia e Albin Kurtit nuk kishte fituar asnjë komunë në raundin e parë kurse në balotazh ka fituar tri komuna, përvec Kamenicës edhe dy komuna kryesore të Kosovës, kryeqytetin Prishtinën si dhe qytetin ë dytë me madhësi e numër të popullsisë, Prizrenin.

AAK-ja pa balotazh pati fituar në Deçan e Junik derisa në raundin e dytë ka fituar në Obiliq, Suharekë, Klinë, Gjakovë e Rahovec.

Nisma për Kosovën e ka mbajtur Malishevën. Në balotazh kandidati I saj, kryetari aktual Ragip Begaj e ka mposhtur kandidatin e PDK-së.

Po ashtu AKR-ja e Behgjet Pacollit ka arritur të mbajë një komunë nën pushtetin e saj. Edhe katër vitet e ardhshme do të jetë Agim Bahtiri kryetar, i cili fitoi përballë Valdete Idrizit të PDK-së.

***

Engel: Kosova të mos mbetet peng i demarkacionit 

Kongresisti amerikan, Eliot Engel ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i demarkacionit. Ai gjatë vizitës në Prishtinë ka shtuar se demarkacioni me Malin e Zi, është një prej çështjeve që Kosova duhet ta zgjidhë dhe sa më shpejt që e bën këtë aq më mirë do të jetë.

“Jam kundër mbajtjes peng të Kosovës për shkak të kësaj çështje, por megjithatë është çështje që duhet të zgjidhet”, tha Engel.

Në lidhje me kërkesat e vazhdueshme për përfshirjen e SHBA-së në dialogun e Kosovës me Serbinë, Engel premtoi angazhim për këtë.

“Besoj se duhet të arrihet përparim, por mendoj se SHBA ka një zë që është më i madh, më i zëshëm. Prandaj do të bëjë krejt çka mundem që t’i shtyjë këto gjëra, sepse është e duhura dhe e drejta”, tha Engel.

Kongresisti amerikan mbajti një fjalim edhe në mbledhjen solemne që qeveria mbajti për nderë të tij, ku e vlerësoi lart procesin e djeshëm zgjedhor në Kosovë. Kryeministri Ramush Haradinaj foli për mbështetjen që Engel ka dhënë përgjatë viteve për Kosovën.
Për kontributin e dhënë, kryeministri Haradinaj e nderoi kongresistin Engel me pullën postale që e ka prodhuar Posta e Kosovës me figurën e kongresistit, ndërsa ky i fundit, i dhuroi Haradinajt flamurin amerikan, i cili tha se ka valëvitur në senatin amerikan më 4 Korrik, në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së, me kërkesë të tij për nderë të Ramush Haradinajt. Para mbledhjes solemne të Qeverisë, Haradinaj e Engel, kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e viktimave hebraike që gjendet në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme