Shqipëri – Schutz: Lufta ndaj krimit të organizuar dhe Vettingu, faktorë kyç drejt BE-së

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe Vettingu janë faktorë kyç në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH)...

Shqipëri – Schutz: Lufta ndaj krimit të organizuar dhe Vettingu, faktorë kyç drejt BE-së

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe Vettingu janë faktorë kyç në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Diplomatja gjermane theksoi se Vettingu është proçes kyç për një drejtësi që bazon vendimet e saj në ligji dhe jo në faktor të tjerë. Ambasadorja tha se investitorët e huaj, por jo vetëm, duan të kenë besim se gjykatat japin drejtësi.

“Procesi i Vettingut është thelbësor për një drejtësi të bazuar në ligj. Unë jam shumë e bindur se Vettingu do të influencojë pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe rritjen e investimeve të brendshme në Shqipëri. Sipërmarrësit e huaj duan të kenë garancinë e duhur se nëse trokasin në gjykatë do të marrin drejtësinë që i takon”, tha Schutz.

Ajo vlerësoi luftën e Shqipërisë ndaj krimit të organizuar, teksa shtoi se pret dhe rezultate konkrete.

“Lufta ndaj krimit të organizuar është thelbësore për një Shqipëri që kërkon integrimin në familjen evropiane. Lufta ndaj krimit të organizuar është temë qendrore e përmbushjes së kritereve kyç për Shqipërinë me qëllim hapjen e negociatave për integrimin në BE. Prandaj shpresoj dhe uroj të kemi rezultate konkrete dhe pozitive në këtë drejtim duke përfshirë këtu dhe arrestimin e 'kokave të mëdha'”, vijoi Schutz.

Duke folur për punësimin në Gjermani, ambasadorja gjermane në Tiranë u shpreh se shqiptarët duhet ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.

“Më vjen keq, por duhet të them se të gjithë do të kthehen, pasi Gjermania nuk pranon azilkërkues nga Shqipëria, por mirëpret ata shtetas shqiptarë që ndjekin rrugën ligjore për të mbërritur në Gjermani, prandaj ftoj të gjithë shqiptarët të ndjekin rrugën e përcaktuar, të shkojnë tek institucionet përkatëse dhe të informohen pranë Ambasadës gjermane për këtë”, përfundoi Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz. /ATSH



Lajme të ngjashme