NATO nuk do të ketë bazë në Malin e Zi

Sekretari i përgjithësim i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se Aleanca nuk do të ketë bazë ushtarake në Mal të Zi.

Karadağ_NATO.jpg
karadağ, tören.jpg
Slobodan Vujiçiq_Ramush Haradinaj.jpg
Art Klub_Karadağ Arnavutların Edebiyat Akademisi.JPG
Art Klub_Karadağ Arnavutların Edebiyat Akademisi faaliyet2.jpg

Qeveria e Malit të Zi miratoi projekt- buxhetin për vitin 2018-të. Planifikohet që ky buxhet të jetë mbi 2 milion euro dhe mbështetet  në rezultatet e shkëlqyera ekonomiko- financiare të realizuara gjatë këtij viti.

Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi për ekonomi politike dhe sistem financiar Milutin Simoviq, bëri prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2018-të. Ai tha se Qeveria është e vendosur që të vazhdojë me dinamikë dhe rritje të qëndrueshme ekonomike vizionin e avancimit të përgjithshëm të shoqërisë dhe rritjen e standardit të qytetarëve. Simoviq po ashtu nënvizoi se projektbuxheti për vitin 2018-të do të miratohet pas vitit të parë të konsolidimit financiar dhe rezultateve inkurajuese që janë arritur në avancimin e sektorit financiar dhe ekonomisë së vendit. “Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me dinamikë dhe rritje të qëndrueshme ekonomike realizimin e avancimit të vizionit të zhvillimit të shoqërisë sonë dhe standardit të qytetarëve. Rritja ekonomike që ka shënuar Mali i Zi këtë vit, është më e madhja në rajon dhe ndër më të mëdhatë ne Evropë dhe kjo është dhe një impuls, detyrë dhe sfidë për ne që me të njëjtin ritëm të vazhdojmë edhe në vitin 2018-të ka thënë Simoviq. Ai po ashtu nënvizoi se qëllimet bazë të buxhetit do të jenë stabiliteti i financave publike, rritja e zhvillimit ekonomik, investimet kapitale, sigurimi i qytetarëve, zhvillimi i barabartë rajonal, zhvillimi dhe avancimi i infrastrukturës publike etj.

                                                                               ***

Sekretari i përgjithësim i NATO-s Jans Stoltenberg ka deklaruar se Aleanca nuk do të ketë bazë ushtarake në Mal të Zi. Me këtë ai ka hedhur poshtë pohimet e një pjese të opozitës malazeze se NATO planifikon ndërtimin e dy bazave ushtarake në Mal të Zi.

Ministri i mbrojtjes i Malit të Zi, Predrag Boshkoviq ka përgënjeshtruar zërat se Aleanca Veri-Atlantike (NATO) do të ndërtojë bazë ushtarake në Mal të Zi. Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel i pyetur që të komentojë deklaratat e Frontit opozitar Demokratik se NATO–ja po planifikon të instalojë bazën në Mal të ZI ka thënë se “Në Mal të Zi nuk mund të ketë aktivitete të NATO-s pa konsensus të Qeverisë malazeze. NATO është atje ku ai vend i jep mirëseardhje. Nuk ka plane për bazë të NATO-s deri sa të na ftojnë, ka thënë shefi i Aleancës, Stoltenberg. Njëri nga liderët e frontit demokratik të Malit të Zi, Milan Knezheviq ka thënë se NATO në kohë sa më të shkurtër do të ndërtojë dy baza ushtarake në Mal të Zi dhe këto plane do të realizohen gjatë dy viteve të ardhshme sipas tij, ku njëra bazë do të jetë në det, kurse tjetra në bjeshkë.

                                                                             ***

Kryeminsitri i Kosovës Ramush Haradinaj mbështet afirmimin e vlerave te pakicës malazeze që jeton në Kosovë.

Shtypi në Mal të Zi, i kushton vëmendje takimit që Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili priti në një takim Kryetarin e shoqatës së malazezëve të Kosovës Slobodan Vujiciq. Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve si dhe marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Bashkëbiseduesit kanë folur për nevojën e avancimit të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, ndërkohë që Kryeministri Haradinaj i ka dhënë mbështetje afirmimit të vlerave të malazezëve që jetojnë në Kosovë.     

                                                                         ***

Autorët dhe studiuesit shqiptarë nga Mali i Zi, gjithnjë e më prezent në aktivitetet kulturore te Tiranës zyrtare.

Në Muzeun Historik Kombëtarë në Tiranë, ditën e premte do të prezantohen krijues të njohur shqiptarë nga Mali i Zi. Pritet që publikut t’i prezantohen studime, përmbledhje me poezi, tregime dhe novela të autorëve Ali Bardhi, dr. Gani Karamanaga, Anton Gojçaj, Zuvdija  Hoxhiq  Berisha, dr. Simë Dobreci, Ali Daci dhe Gjekë Gjonaj. Organizimi mbështetet nga Fondi për ruajtjen e kulturës së pakicave në Mal të Zi, Bashkimi i Krijuesve shqiptarë, Akademia e Arteve dhe e shkencave e Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtarë. Veprat e krijueseve shqiptarë nga Mali i Zi do të prezantohen edhe në edicionin e Panairit të Librit, Tirana 2017.

                                                                       ***

- Në datat 20-22 nëntor në qytetin e Nikshiqit mbahen “Ditët e Kulturës së Turqisë" 

Në organizim të Institutit “Yunus Emre” në qytetin e Nikshiqit do të organizohen Ditët e Kulturës turke. Nga data 20-22 nëntor publiku i atjeshëm do të ketë mundësi të përcjellë ekspozitën e fotografive të autorit Ozkan Samioglu, koncertin e Ansamblit folklorik nga qytetit  Edirne i Turqisë si dhe projeksionet e disa filmave të Kinematografisë turke. Krahas Nikshiqit, ansambli folklorit nga qyteti Edirne do të jap shfaqe edhe në kryeqytetin historik të Malit të Zi Cetinje dhe në Plevle.

                                                                    ***

- Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve ART KLUB – akademia e shqiptarëve në Mal të Zi me mbi 120 botime dhe aktivitete të shumta ku prezantohet kultura e shqiptarëve.

Shoqata e artistëve dhe intelektualëve ART KLUB e themeluar që në fillimet e pluralizmit në Mal të Zi shquhet për aktivitete të shumta të kulturës së shqiptarëve në Mal të Zi. Falë kësaj shoqate ndër vite janë organizuar simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, botime dhe promovime librash. Kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve ART KLUB Ismet Kallaba në një intervistë për Zërin e Turqisë thotë se edhe këtë vit kalendarik shoqata ka pasur aktivitete të ngjeshura kulturore: 

I. Kallaba: Një ndër aktivitetet kryesore të shoqatës sonë është veprimtaria botuese. Ne gjatë këtij viti kemi botuar nëntë libra, ndërkohë që në shtyp janë edhe tre libra të tjerë. Kur jemi tek botimet dëshiroj të veçoj katalogun e botimeve të ART KLUBIT, ku janë pasqyruar të gjitha botimet e shoqatës tonë që nga themelimi në vitin 1991, që nga libri i parë i prof.dr. Ruzhdi Ushakut e deri në vitin 2015. Ne deri tani kemi botuar më se 120 botime dhe presim që deri në fund të këtij viti të dalë nga shtypi dhe monografia për piktorin akademik Gjergj Noc Martini. Nga veprimtaritë e tjera unë do të veçoja aktivitetin tonë të përvitshëm “Kalimerja Poetike”, ku këtë vit ky aktivitet ka shënuar 25-vjetorin. Këtë vit programi ka qenë me i begatë, ku përveç tre shkrimtarëve të ftuar ne kemi organizuar një ekspozitë dhe filmin dokumentarë për “Kalimerën Poetike” ndër vite. Krahas këtyre aktiviteteve, ne organizojmë edhe promovime. Kështu së fundmi ne promovuam dy libra në gjuhën malazeze të autorit Riza Rexha. Me këtë aktivitet ne shënuam dhe njëvjetorin e vdekjes se autorit. Prej vitesh ne organizojmë dhe Karvanin e Shkrimtarëve, ku vizitojmë shkollat shqipe në Mal të Zi. Këtë vit në kuadër të Ditës Botërore të Librit ne ishim të pranishëm në shkollat në Guci dhe në Plavë, ku mbajtëm orë letrare me qëllim prezantimin e shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi. Në këtë kuadër ne organizojmë dhe aksione të dhurimit të librave për bibliotekat e këtyre shkollave. Nga aktivitetet e Art Klubit do të veçoja edhe pjesëmarrjen në Panairin e Librit në Ulqin dhe në Podgoricë, ku kemi prezantuar botimet tona.

V. Katana: Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve ART KLUB ndan edhe çmimin vjetor për veprën më të mirë. A është formuar komisioni dhe cilat nga veprat kanë hyrë në konkurrim?

I.Kallaba: Viteve të fundit ne japim çmimin ç’do tre vite. Ndarja e çmimit do të jetë vitin e ardhshëm. Në janar kur të jetë mbajtur kuvendi i shoqatës do të caktojmë dhe anëtarët e jurisë për ndarjen e këtij çmimi.

V. Katana:Sa është numri i veprave të botuara deri tani?

I. Kallaba: Deri tani numri i botimeve tona ka kaluar 120. Mbi 90% e botimeve janë në gjuhën shqipe. Kohëve të fundit ne kemi nisur të komunikojmë edhe me lexuesit e tjerë. Ne kemi nisur të përkthejmë botimet kryesore të shoqatës. Në këtë kuadër do të përmendja edhe dy botimet në gjuhën malazeze të historianit mr.Riza Rexha. Pra bëhet fjalë për librin “Ulqini në vitet e lidhjes shqiptare të Prizrenit 1878-1881” dhe librin “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912”. Po ashtu duhet të theksoj se ne do të botojmë edhe monografinë e piktorit Rudi Goga. Ne do të vazhdojmë me botimin e monografive të piktorëve shqiptarë nga Mali i Zi.

V. Katana:Në vazhdën e përkthimeve nga gjuha zyrtare në gjuhën shqipe dhe anasjelltas çfarë është shumë me rëndësi në kohën kur ne jetojmë. Sa i kontribuon kjo njohjes së kulturave reciproke?

I. Kallaba: Përkthimet janë mënyra më e mirë për të komunikuar me shkrimtarin. Gjatë këtij viti ne kemi përkthyer një shkrimtar shumë të njohur. Bëhet fjalë për Enes Halilovq, i cili këtë vit ishte i ftuar në Panairin e Librit në Ulqin. Në sollëm në gjuhën shqipe librin e tij “Muret”. Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të përkthejmë autorë, që janë të njohur në letërsitë e tyre dhe që paraqesin interes për lexuesin shqiptar. Nga ana tjetër ne planifikojmë që autorin e njohur shqiptar Mehemet Kraja ta botojmë dhe në gjuhën malazeze.

V. Katana:Çfarë bashkëpunimi ka shoqata ART KLUB me shoqatat simotra ne Mal të Zi, Shqipëri dhe në Kosovë?

I. Kallaba: Ne kemi bashkëpunim të mirë me shoqatat kulturore simotra që merren me ruajtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar në mal të Zi. Këtu do të përmendim “Bashkimin e krijuesve shqiptarë në Mal të Zi”, “Asociacionin Ulqini”, “Fondacionin Lika”, Shoqatën “Ilirikum” në Tuz. Sa i përket bashkëpunimit me shoqatat tjera ne marrim pjesë në të gjitha festivalet letrare që organizon shoqata e shkrimtarëve në Shkodër dhe ajo në Durrës.

V. Katana:Cilat janë planet e Art Klubit për vitin 2018-të?

I. Kallaba: Përpos manifestimeve të rregullta tradicionale vitin e ardhshëm do të bëjmë ndarjen e çmimit vjetor të ART KLUBIT. Ne kemi dëshirë të hartojmë fjalorin enciklopedik të shqiptarëve në Mal të Zi. Po ashtu kemi në plan të organizojmë një konferencë shkencore, të cilën to ta bëjmë në bashkëpunim me institucionet shkencore që merren me studime albanologjike në rajon.

- Përgatiti për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, Vera ALIBEGU KATANA -



Lajme të ngjashme