Shqipëria dhe Kosova zhvillojnë projekte të përbashkëta

Dy ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kanë vizituar sot Shqipërinë.

Shqipëria dhe Kosova zhvillojnë projekte të përbashkëta

Dy ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kanë vizituar sot Shqipërinë, ku janë takuar me presidentin e vendit, Ilir Meta dhe me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se gjatë takimeve, Meta nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ministrive homologe të Kosovës dhe Shqipërisë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit.

Ndërsa Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, në një njoftim thekson se Klosi dhe Reshitaj, gjatë takimit biseduan rreth problematikave dhe projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit dhe turizmit, duke konfirmuar nënshkrimin e projekteve të përbashkëta në mbledhjen e ardhshme midis dy qeverive.

“Folëm për gjëra konkrete në ndihmesë të dy qeverive tona, të administratave tona për të pasur mundësi që të shkëmbejnë praktikat në të mirë të komuniteteve shqiptare në të dyja anët e kufirit. Ne kemi shumë shanse dhe kemi shumë ide për të realizuar projekte të përbashkëta në mbrojtjen e mjedisit”, tha ministri Klosi në përfundim të takimit me ministren Reshitaj, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ministrja Reshitaj konfirmoi interesin e përbashkët për mbrojtjen e natyrës dhe shëndetit të qytetarëve. “Të gjithë e dimë që mbrojtja e shëndetit të njeriut është një sfidë globale dhe aq më shumë është sfidë për vendet që janë në zhvillim e sipër siç është vendi ynë, prandaj ne me projektet tona të përbashkëta do të sfidojmë këtë gjë dhe do të arrijmë që së bashku t’i japim një ngjyrë më të mirë, më të pastër vendit”, ka theksuar Reshitaj.

Ndërkohë, theksohet se gjatë takimit të ministrit Klosi me ministrin Hasani, është diskutuar mbi projektet në fushën e turizmit, duke u vënë theksin në bashkëpunimin midis dy vendeve. 

Takimet në fjalë realizohen pak javë para mbledhjes së përbashkët midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në fund të nëntorit. (AA)



Lajme të ngjashme