Mali i Zi intensifikon bashkëpunimin me Turqinë në fushën e sigurisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Turqisë, Selami Altinok ka qëndruar për një vizite pune në Mal të Zi, ku temë qendrore e takimit me zyrtarët e lartë malazez ishte parandalimi dhe goditja ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm.

843256
Mali i Zi intensifikon bashkëpunimin me Turqinë në fushën e sigurisë
Selami Altınok Karadağ ziyareti_01.jpeg
Selami Altınok Karadağ ziyareti_02.jpeg
Mehmet Zenka.jpg
Karadağ_Ulqin_Nar Günleri_02.jpg
Kosova ile Karadağ arasındaki sınır sorunu.jpg

Ministri i brendshëm i Malit të Zi Mevludin Nuhoxhiq dhe drejtori i përgjithshme i policisë së shtetit Slvako Stoajnoviq pritën në një takim një delegacion të lartë të policisë turke të kryesuar nga z. Selami Altinok, guvernator dhe drejtor i përgjithshëm i sigurisë i Republikës së Turqisë. Fokusi i këtij takimi ishte diskutimi i çështjeve në interes të përbashkët për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Përkrahja reciproke dhe mirëkuptimi ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë i kontribuojnë bashkëpunimit cilësor të dy shteteve në planin e sigurisë dhe punëve të policisë thuhet në kumtesën e lëshuar pas takimit. Zyrtarët e lartë të Malit të Zi dhe ata të Turqisë kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore malazeze dhe turke dhe takimi i fundit ishte një shans për koordinim dhe veprim të policive të dy vendeve në planin rajonal dhe ndërkombëtar, veçmas në sferën e shkëmbimit te informacioneve dhe të dhënave operative ndërmjet Interpolit të dy vendeve. Një çështje e veçantë në takim ishte dhe parandalimi dhe goditja ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të pa ligjshëm.

                                                                          ***

Qeveria e Malit të Zi i ka dërguar parlamentit për miratim propozim-ligjin për përdorim të lirshëm të simboleve kombëtare. Me miratimin e këtij ligji në Parlament, shqiptarët në Mal të Zi do të kenë mundësi të përdorin simbolet kombëtare në festa dhe tubime të ndryshme në qytetet ku pakicat nacionale përbëjnë shumicën. 

Qeveria e Malit të Zi miratoi ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave nacionale. Ky ligj së shpejti do i paraqitet Kuvendit të Malit të Zi për aprovim. Ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Mehmet Zenka, në një intervistë ekskluzive për Zërin e Turqisë thotë se miratimi i këtij ligji është një tjetër arritje për shqiptarët në Mal të Zi dhe një premtim i përmbushur kundrejt koalicionit “Shqiptarët e vendosur”.

M. Zenka: “Ky është dhe një hap përpara në drejtim të realizimit të aspiratave të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo njëkohësisht është edhe pika kyçe e marrëveshjes me partnerët e koalicionit dhe vjen si rrjedhojë e aprovimit të ligjit për pakica si ligj bazë për realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi. Ligji për përdorimin e lirë të simboleve vjen si një vazhdimësi e realizimit apo kompletimit të drejtave të pakicave në Mal të Zi, mirëpo çfarë është më me rëndësi, përdorimi i simboleve siç e dimë më në fund ky ligj para disa viteve është parashtruar në Parlamentin e Malit të Zi, mirëpo ai është tërhequr nga miratimi për shkak të mosmarrëveshjeve nga ana e deputetëve në Parlament. Kështu që pas katër-pesë viteve më në fund u arrit një konsensus shumë i gjerë si nga ana e këshillave nacionale, si nga përfaqësuesit politikë të pakicave në Mal të Zi ashtu edhe nga koalicioni ynë, dhe më në fund ky ligj mori miratimin e Qeverisë së Malit të Zi. Vlen të përmendet që edhe krahas këtij ligji, në Parlament do të parashtrohet edhe ligji për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, gjegjësisht neni 23, ku sanksionohet përdorimi i simboleve nacionale. Ky nen do të ndryshohet dhe do të përshtatet me ligjin për përdorimin e simboleve nacionale. Gjithashtu, ndryshim do të pësojë edhe ligji për përdorimin e simboleve shtetërore. Me një fjalë, kjo është edhe një arritje e Koalicionit “Shqiptarët të vendosur”, andaj neve na mbetet që të vazhdojmë me aktivitetet tona në realizimin e pikave të tjera të marrëveshjes”.

Miratimit të këtij ligji i ka paraprirë një fushatë e gjerë veçmas në trevat e banuara me shumicë shqiptare në Mal të Zi. Ministri Zenka thotë se të gjitha propozimet e vyera janë marrë në konsideratë dhe grupi i ekspertëve ka bërë inkorporimin e tyre në tekstin final të propozim-ligjit.

Të gjitha propozimet që kanë mbërritur dhe që kanë qenë të arsyeshme ne i kemi marrë në konsideratë. Megjithëse nuk kemi pasur shumë sugjerime pasi janë koordinuar në mes vetes, sepse edhe bashkëpunimi ka qenë në një nivel shumë të lartë. Pastaj, edhe në shqyrtime publike ka qenë transparencë maksimale në të gjitha qytetet ku pakica përbën shumicën. Në Ulqin, Podgoricë, Tuz e Malësi, Plavë, Guci, Rozhaj dhe Tivar. Në të gjitha ato vende ku kemi të koncentruar numrin e madh të pakicave nuk kemi pasur sugjerime të mëdha që dëshmon në kualitetin e këtij ligji. Kjo ka qenë një shtysë e madhe për ne që këtë ligj ta përgatisim dhe t’ia ofrojmë Qeverisë për miratim. Falë kuptimit të mirëfilltë të partnerëve të Koalicionit është miratuar një zëri pa kundërshtime, andaj tani presim miratimin e këtij ligji në Kuvend”, shprehet Zenka.

Ministri Mehmet Zenka tha po ashtu për Zërin e Turqisë se me miratimin e këtij ligji, përdorimi i simboleve kombëtare do të ketë një përdorim më të gjerë se deri tani.

E drejta e përdorimit të simboleve nacionale, gjegjësisht flamurit, ka përdorim të lirë në organizimet politike, kulturore, organizimet private, siç janë dasma e festa të ndryshme, mund të vendoset edhe në ndërtesën e komunës, ku pakica përbën më shumë se 5% dhe gjitha institucionet e tjera të cilat i ka themeluar komuna, ku pakicat përbëjnë shumicën. Kjo do të thotë se përdorimi ka një spektër të gjerë. Ndoshta ka pasur hapësirë ndonjë përmirësim ose ndonjë të drejtë tjetër shtesë, mirëpo për momentin kjo paraqet optimumin e arritjes për përdorimin e një simboli. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen e afërt nuk do të kemi edhe përmirësime në përdorimin e këtyre simboleve”.

                                                                                    ***

Për Malin e Zi, çështja e demarkacionit me Kosovën është çështje e mbyllur. Sipas Ministrit të jashtëm të Malit të Zi, në Vjenë kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare me Kosovën dhe atë marrëveshje e kemi ratifikuar në Kuvend, ashtu siç kërkojnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare. 

Për Malin e Zi, çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën është e mbyllur dhe se ky nuk është qëndrim vetëm i Podgoricës, por edhe i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara (ShBA). Nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që kam thënë disa herë në lidhje me këtë temë. Ne e kemi bërë atë që na ka takuar. Në Vjenë kemi nënshkruar marrëveshjen ndërkombëtare me Kosovën dhe atë marrëveshje e kemi ratifikuar në Kuvend, ashtu siç kërkojnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet midis vendeve”, tha Darmanoviq për gazetarët në Podgoricë. Ai tha se Mali i Zi nuk ka anuluar kurrë një marrëveshje të ratifikuar dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në rastin me Kosovën. “Natyrisht se kemi durim për të pritur ndonjë zhvillim pozitiv të ngjarjeve në Kosovë, sepse kjo është çështje e tyre e brendshme. Nuk duam të bëjmë presion dhe as të krijojmë ndonjë atmosferë  parregullsish”, tha mes tjerash ministri malazez. Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015. Kuvendi i Kosovës nuk e ka ratifikuar ende këtë marrëveshje për shkak të kundërshtimeve të opozitës së mëparshme, e cila ka këmbëngulur se me të, Kosova humb territor”.

                                                                    ***

Në Ulqin u organizua manifestimi tradicional “Ditët e Shegës 2017. Është ky një aktivitet i përvitshëm që ka për qëllim promovimin e frytit të shegës ne shërbim të pasurimit të ofertës turistike të qytetit të Ulqinit dhe zonës së Anës së Malit.

Zona e Anës së Malit në komunën e Ulqinit është një nga prodhuesit e mëdhenj të frytit të shegës. Për të promovuar edhe më shumë këtë produkt dhe për të rritur interesin turistik, për të gjashtin vit me radhë në organizim të “Biznes Klub Ana e Malit”, Organizatës turistike dhe Komunës së Ulqinit, u mbajt Manifestimi tradicional “Ditët e Shegës 2017”. Dhjetëra fermerë në stenda të veçanta ekspozuan varietet e shegëve që i kultivojnë prej vitesh duke ruajtur një tradite shekullore të shqiptarëve të këtyre anëve. Në panair u ekspozuan prodhimet të artizanatit, veshje kombëtare dhe specialitete të kulinarisë tradicionale. Sabri Salaj, koordinator i manifestimit “Ditët e Shegës“ tha për Zërin e Turqisë se ky aktivitet ka për qëllim promovimin e frytit të shegës si një produkt së bashku me ullirin dhe fikun kanë një lashtësi mbi pesëmijë-vjeçare.

“Shega është një prodhim i cili rritet në trevën tonë, Anë të Malit, Ulqin dhe Tivar e që tregon njëkohësisht shtrirjen e shqiptarëve historikisht. Ky fryt së bashku me ullirin, ku shega bashkë tregon lashtësinë e popullit tonë në këto treva. Kjo është dhe njëra ndër arsyet përse dhe organizohet një manifestim i tillë. Kjo po ashtu ka dhe anën tjetër që ka të bëjë me promovimin e prodhimeve dhe agrumeve tjera, nga bujqit dhe vendasit e trevës së Anës së Malit, Krajës, Mërkotit, Tivarit etj”.

“Mendoj se çdo aktivitet që organizohet në trevën e Anës së Malit, e cila vazhdon të braktiset nga të rinjtë, e ka të nevojshme dorën institucionale, sidomos nga Komuna e Ulqinit, mos ta lë në atë gjendje që vazhdon të jetë ndër vite për shkak që migrimi është shumë evident, i cili bëhet drejtë zonave urbane për mungesë të infrastrukturës, që për fat të keq nuk kënaq, dhe emigrimit që bëhet jashtë trevës se Ulqinit. Mendoj që jo vetëm dita e shegës dhe dita e diasporës, por duhen edhe aktivitete tjera që atë zonë ta gjallërojmë dhe ta bëjmë pjesë të pandashme me Komunën e Ulqin ashtu siç e meriton”.

-Përgatiti për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi, Vera Alibegu KATANA -



Lajme të ngjashme