Koment - Periudhë e re në marrëdhëniet Turqi-Serbi

Vizita e Presidentit Erdoan në Beograd dhe Sanxhak paralajmëron fillimin e një periudhe të re në marrëdhëniet dypalëshe, por jo vetëm, afrimi Ankara-Beograd do ti bëjë mirë edhe pjesës tjetër të Ballkanit.

erdoğan Sırbistan
sibistan erdoğan.jpg
erdoğan.jpg
Erdoğan Serbistan.jpg

Në datat 9-11 tetor Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) bëri një vizitë zyrtare në Serbi me ftesë të homologut serb, Aleksandar Vuçiç. Marrëveshjet e firmosura dhe deklaratat e bëra në kuadër të vizitës në fjalë tregojnë se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Serbisë po hyjnë në një periudhë të re dhe kanë nisur të shndërrohen në një partneritet strategjik. Një rëndësi e madhe në takimet që u realizuan mes palëve iu kushtua zhvillimit ekonomik të rajonit duke u pajtuar në mendimin që marrëdhëniet miqësore ndërmjet Turqisë dhe Serbisë do ti japin kontribute të rëndësishme stabilitetit të Ballkanit. Forumi i Biznesit Turqi-Serbi, që u mbajt në kuadër të vizitës së Presidentit Erdoan, dhe 16 marrëveshje në sektorë të ndryshëm që u nënshkruan treguan se të dyja vendet po punojnë për ti ngritur marrëdhëniet e tyre ekonomike në nivele më të larta. 

Ata që janë të interesuar për historinë e Ballkanit e dinë se ndërmjet mbretit të Jugosllavisë, Aleksandar Karaxhorxheviç dhe Ataturkut ka pasur një miqësi të veçantë. Besohet se mbreti Aleksandar e fitoi zemrën e Ataturkut duke refuzuar të merrte pjesë në planet e Fuqive të Antantës për të okupuar Perandorinë Osmane, e cila kishte dalë e mundur nga Lufta e Parë Botërore. Kur Aleksandri u vra në Marsejë, në vitin 1934, në mesazhin e ngushëllimit që i dërgonte Beogradit, Ataturku do të shkruante se “kishte humbur vëllain e shtrenjtë”. Vizita e kreut të Jugosllavisë komuniste Josip Broz Tito në Ankara në vitin 1954 ishte gjithashtu mjaft madhështore. Vetëm se pas vitit 1955, me ndikimin e vijave ndarëse ideologjike të Luftës së Ftohtë, marrëdhëniet Ankara-Beograd filluan ta humbasin entuziazmin e dikurshëm. Në periudhën pas viteve 1990, marrëdhëniet Ankara-Beograd u ndikuan shumë nga zhvillimet që rrodhën në ish-Jugosllavi. Ato që ndodhën në Bosnjë- Hercegovinë midis viteve 1992 dhe 1995, dhe më pas në Kosovë në vitin 1999 bënë që marrëdhëniet midis Turqisë dhe Serbisë të karakterizohen nga një ecuri e luhatshme.  

Me ardhjen në pushtet të forcave demokratike në Serbi në tetor të vitit 2000, marrëdhëniet dypalëshe të Turqisë me Serbinë hynë në procesin e rimëkëmbjes. Kurse pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të 2008-ës, në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë filloi të fryjë sërish era e ftohtë. Turqia u rendit në valën e parë të vendeve që njohën pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Ankaraja dhe Beogradi arritën që në tetë vitet e fundit të hedhin hapa të vendosur në drejtim të ndreqjes dhe përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe. E parë nga pika e sotme, pritja në mënyrë madhështore e Presidentit Erdoan nga Presidenti i Serbisë Vuçiç të kujton miqësinë me mbretin Aleksandar në kohën e Ataturkut.

Edhe pse ndërmjet dy vendeve nuk ekziston një kufi i përbashkët, autoritetet turke me çdo rast e thonë se Serbinë e shikojnë si një vend fqinj. Serbinë, e cila ndodhet mbi rrugën më të shkurtër të Turqisë për t’u hapur drejt Evropës, Ankaraja e sheh si një vend kyç për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kur është fjala për Serbinë, duket se Beogradi po interesohet nga afër me kapitalin turk vitet e fundit për sa i përket zhvillimit të disa projekteve infrastrukturore dhe rritjes së punësimit.

Pjesa e Serbisë në tregtinë e jashtme, që ka realizuar Turqia me 10 vendet e Ballkanit në vitin 2016, ishte 6,7 për qind për eksportet dhe 4,5 për qind për importet. Kurse vlera kumulative e investimeve turke në Serbi deri në fund të vitit 2016 ishte 113 milionë dollarë. Gjatë vizitës së Presidentit Erdoan në Serbi u njoftua se një kompani turke tekstili do të bëjë në qytetin Kraljevo një investim me vlerë 35 milion euro. Përveç kësaj, Turqia është e angazhuar gjithashtu edhe për mbështetjen e projektit lidhur me ndërtimin e autostradës Sarajevë-Beograd, e cili pritet të kushtojë rreth 800 milion euro. Për më tepër, infrastruktura e nevojshme e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve është forcuar në mënyrë të konsiderueshme falë 16 marrëveshjeve në shumë fusha, duke filluar nga transporti e deri tek energjia e arsimi, që u nënshkruan në kuadër të kontakteve të Presidentit Erdoan në Beograd. Mendohet se tani e tutje biznesmenët turq do të jenë më të gatshëm për të bërë biznes në Serbi.

Presidenti Erdoan gjithashtu mbështet edhe përfshirjen e Serbisë në projektin e gazsjellësit “Rryma Turke”, i cili do të kalojë përmes Detit të Zi dhe do të arrijë në Evropë përmes Turqisë. Me shumë gjasa edhe Moska është dakord me këtë ide. Por Beogradit ndoshta do ti duhet, që në lidhje me këtë çështje, të marrë paraprakisht leje nga Bashkimi Evropian, me të cilin vazhdon negociatat për anëtarësim të plotë.

Për periudhën e re që ka nisur në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Serbisë gëzohet edhe krahina e Sanxhakut, e banuar kryesisht nga boshnjakët. Si pjesë e vizitës së tij në Serbi, Presidenti Erdoan i shoqëruar edhe nga Vuçiç, vizitoi gjithashtu Pazarin e Ri, zemrën e Sanxhakut, dhe rifreskoi kujtesën se Ankaraja e shikon këtë rajon si një urë miqësie midis Turqisë dhe Serbisë. Për fat të keq, krahina e Sanxhakut vazhdon të jetë një ndër krahinat më pak të zhvilluara të Evropës. Për këtë arsye boshnjakët e Sanxhakut shpresojnë që disa projekte në lidhje me zhvillimin të bëhen realitet falë kapitalit turk si dhe presin hedhjen e hapave më konkretë në drejtim të zhvillimit të bashkimeve e komunave të Sanxhakut.  

Cila do qoftë arsyeja, afrimi që vihet re ndërmjet Turqisë dhe Serbisë vitet e fundit tregon se problemi i mungesës së dialogut mes dy vendeve ka ekzistuar më parë. Dhe dialogu i pamjaftueshëm në fjalë në periudha të caktuara ka shkaktuar madje edhe luftëra mediatike. Kurse Sot, paralelisht me afrimin e Ankarasë me Beogradin ndikohen pozitivisht edhe mediat e të dy vendeve. Megjithatë, afrimi mes Ankarasë dhe Beogradit ndonjëherë mund të shkaktojë edhe reagime të panevojshme që vijnë nga Bosnjë- Hercegovina dhe shqiptarët e rajonit. Ndërkohë që afrimi i Ankarasë me Beogradin do të reflektojë pozitivisht edhe në pjesën tjetër të Ballkanit. Këtë duhet ta kuptojë edhe BE-ja, e cila e shikon praninë turke në Ballkan me syrin e rivalit. Në fakt, me bashkëpunimet që mund të bëhen në Ballkan, mund të marrin një shtyrë të re edhe marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

 


Lajme të ngjashme