Ka shpresa për rifillimin e bisedimeve Shkup-Athinë për emrin

"Negociatat mbi çështjen e emrit ende nuk kanë filluar, por aktualisht janë duke u ‘vizatuar konturet’ e formatit", tha ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në prezantimin e punës së ministrisë që drejton.

Ka shpresa për rifillimin e bisedimeve Shkup-Athinë për emrin

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në prezantimin e punës dhe angazhimit të ministrisë që drejton ai për 100 ditët e kaluara të Qeverisë së re, deklaroi se “Qeveria e re ka arritur të krijojë një frymë të re në marrëdhëniet me fqinjët dhe këtë e dëshmon Marrëveshja për fqinjësi të mirë e nënshkruar me Bullgarinë”, raporton agjencia Anadolu Agency (AA).

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë iu referua edhe çështjes së emrit me Greqinë, për të cilën në përgjigje të pyetjes së gazetarëve theksoi se “negociatat mbi çështjen e emrit ende nuk kanë filluar, por aktualisht janë duke u ‘vizatuar konturet’ se në çfarë formati dhe kur do të fillojnë”.

“Mendoj se nuk është e dobishme të spekulohet për diçka që është apo nuk është brifing i ministrit Kotzias, për këtë duhet të pyetet vetë ministri Kotzias nëse është e vërtetë ose jo. Mendoj se është shumë e rëndësishme të shohim përpara. Është e rëndësishme që çështjet e identitetit të përjashtohen nga ai proces, sepse ashtu praktikisht asnjëherë nuk do të zgjidhet ajo çështje. Dhe, shumë është e rëndësishme të vazhdojmë me këtë proces duke sjellë së bashku dhe kuptuar shqetësimet kryesore nga ana jonë dhe nga ana e tyre”, tha Dimitrov në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, duke i mohuar informacionet që në bisedimet me Greqinë diskutojnë për identitetin maqedonas.

Ai shtoi se nuk është historikisht e përshtatshme që në vitin 2017 në Evropë të kundërshtohet identiteti i fqinjit, veçanërisht të një fqinji që është në prag të Bashkimit Evropian dhe Aleancës së NATO-s.

Lidhur me informacionet për të rishikuar historinë midis dy vendeve fqinje, ai theksoi se nëse "duam të zhvillohen marrëdhëniet midis dy vendeve", duhet të pyeten historianët si grekët i shohin maqedonasit në kontestin historik dhe anasjelltas.

“Çështja e emrit është bilaterale, por ka implikime rajonale dhe evropiane”

Lidhur me takimin e ardhshëm rajonal që do të mbahet në Selanik, i cili do të sjellë së bashku shefat e diplomacisë së Maqedonisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, Dimitrov tha se takimi do të fokusohet në çështjet e energjisë, sigurisë, ekonomisë dhe bashkëpunimit rajonal.

Lidhur me pyetjen nëse do të përfshihen Bullgaria dhe Shqipëria në bisedimet për çështjen e emrit, Dimitrov u përgjigj se aktualisht është e paraparë që bisedimet të zhvillohen në mënyrë bilaterale mes Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësim të Matthew Nimetz, përfaqësuesin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

“Çështja është bilaterale, megjithatë ka implikime rajonale, por edhe implikime evropiane. Ndikon edhe në kredibilitetin e politikës së zgjerimit për të gjithë Ballkanin, që e përfshin edhe Maqedoninë. Mendoj se në këtë fazë procesi është bilateral dhe do të zhvillohet nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi Dimitrov.



Lajme të ngjashme