Demarkacioni, ende çështje e hapur në marrëdhëniet Kosovë-Mali i Zi

Çështja e demarkacionit ishte në qendër të takimeve që Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli pati në Podgoricë me autoritet shtetërore të Malit të Zi.

kosova başbakan yardımcısı ve dışişleri bakanı behgjet pacolli.jpg
karadağ dışişleri bakanı srdjan darmanovic.jpg
karadağ-ın başkenti podgorica-da türk halk müziği konseri_01.jpg
karadağ-ın başkenti podgorica-da türk halk müziği konseri_02.jpg
karadağ-ın başkenti podgorica-da türk halk müziği konseri_03.jpg

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme i Kosovës Behgjet Pacolli qëndroi për një vizitë zyrtare në Podgoricë ku u takua me personalitetet më të larta të shtetit dhe me përfaqësues të subjekteve politike shqiptare që veprojnë në këtë republikë. Fillimisht z.Pacolli u takua me homologun e tij Srgjan Darmanoviq. Pas takimit dy shefat e diplomacive mbajtën konferencë me gazetarë ku kanë shfaqur qëndrime të kundërta rreth demarkacionit. Ministri i jashtëm i Kosovës me këtë rast ka deklaruar se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në “këtë moment është i pamundur”.

Pacolli në Mal të Zi - Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, tani i pa mundur në Parlamentin e Kosovës 

“Ne jemi të vetëdijshëm se marrëveshja është nënshkruar por ju lutem të kuptoni dhe të keni durim” u tha Pacolli gazetarëve në Podgoricë. Më tej ai ka shpjeguar se ratifikimi i marrëveshjes është momentalisht “i pamundshëm” për shkak të raportit të forcave në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq ministri i jashtëm malazez Srgjan Darmanoviq tha se pret që institucionet e Kosovës ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion “Unë besoj se institucionet kosovare do të marrin vendimin për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit duke u bazuar në atë se kufijtë që kanë ekzistuar në Ish Republikën Federative të Jugosllavisë janë vërtetuar nga dy komisionet tona dhe një komision ndërkombëtar”.

Darmanoviq: Çështja e marrëveshjes së demarkacionit për malin e Zi ka përfunduar.

Siç kam deklaruar më herët demarkacioni midis dy vendeve është “punë e kryer“ ka thënë Darmanoviq. Rikujtojmë që marrëveshja për kufirin midis Malit të Zi dhe Kosovës është nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë përfshirë edhe z.Ramush Haradinaj, i cili tani është në postin e Kryeministrit të Kosovës. Përndryshe mediat në Mal të Zi i kanë kushtuar vëmendje të veçantë vizitës së shefit të diplomacisë kosovare në Mal të Zi. Ai citohet po ashtu të ketë thënë se Kosova është e gatshme që të nënshkruajë marrëveshjen strategjike me Malin e Zi dhe qeveritë e dy vendeve të mbajnë mbledhje të përbashkëta. Po ashtu Pacolli ka falënderuar Malin e Zi dhe qeverinë saj për çdo gjë që ka bërë e veçmas për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë qëndrimit në Mal të Zi z.Pacolli u takua edhe me nënkryetarin e qeverisë për sistem politik Zoran Pazhin. Duke e falënderuar që vizitën e parë zyrtare pikërisht e realizon në Malin e Zi z.Pazhin ka theksuar që Mali i Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira miqësore dhe janë partner të fuqishëm për zhvillim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me qëllim të stabiliteti dhe zhvillimit të qëndrueshëm në tërë rajonin. Numri një i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli ka thënë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë njëri nga prioritetet e Qeverisë së re kosovare. Në këtë kontekst ai prezantoi edhe qëllimet e politikës së jashtme duke apostrofuar rëndësinë e zhvillimit politik dhe ekonomik si dhe marrëdhënieve të përgjithshme me Malin e Zi. Pacolli po ashtu i bëri ftesë  nënkryetarit të Qeverisë së Malit të Zi z. Pazhin që të vizitojë Kosovën. 

Takim të veçantë z Pacolli pati edhe me Presidentin e Malit të Zi Filip Vujanvoiq ku çështja e refugjatëve ka qenë në qendër të vëmendjes. Ndërkohë që në takimin me Kryetarin e parlamentit të Malit të Zi Ivan Brajeviq u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit të dy parlamenteve si dhe raportet e mira të forcohen  edhe më shumë në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosvës Behgjet Pacolli u takua edhe me përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare dhe me deputet shqiptarë në parlamentin e Malit të Zi.

                                                                        ***

Së shpejti në Mal të Zi vizitë zyrtare e Kryeministrit të Kosovës Rasmush Haradinaj.

Çështja e Demarkacionit midis Malit të Zi dhe Kosovës do të jetë temë diskutimit edhe në ditët e ardhshme. Thuhet se Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj  pas vizitës së parë që do të ketë në Tiranë, në agjendën e tij ai e ka dhe vizitën në Malin e Zi. Ende nuk është konfirmuar se kurë vizita do të ndodhë. Shtypi i këtushëm citon zëdhënësin e qeverisë së Kosovës të ketë thënë se paraprakisht nuk mund të themi se çfarë do të jete tema e diskutimeve, por sigurisht pos marrëdhënieve shumë të mira midis dy palëve, do të preket dhe tema e ratifikimit të demarkacionit. Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Natalia Apostolova citohet të ketë thënë se ndër vizitat e para të Kryeministrit Haradianaj do të jetë vizita në Mal të Zi.

***

Ministria e arsimit paralajmëron investime në infrastrukturën parashkollore dhe shkollore në komunën e Ulqinit. 

Kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu në Podgoricë u takua me ministrin e Arsimit në qeverinë e Malit të Zi Damir Shehoviq. Në takim vëmendje i është kushtuar arsimit parashkollor, fillor dhe atij të mesëm në komunën e Ulqinit. Vëmendje e veçantë i është kushtuar realizimit të dy projekteve: ndërtimit të një kopshti për fëmijë dhe një shkolle në fshatin Sukobinë komuna e Ulqinit. Në takim u veçuan veprimet e duhura që duhet të ndërmarrë Ministria dhe komuna për realizimin sa më të shpejtë të këtyre projekteve. Në takim u tha se aktivitetet e përbashkëta janë kusht për sigurimin e arsimit më cilësore të fëmijëve dhe nxënësve. U la që së shpejti Ministri Shehoviq të vizitojë komunën e Ulqinit dhe institucionet arsimore në këtë qytet.

                                                                  ***

Artistët nga Stambolli sollën perla të muzikës tradicionale turke dhe u mirëpriten nga publiku i Malit të Zi.

Në qendrën Kulturore Informative “Budo Tomoviq” në Podgoricë, Instituti Yunus Emre organizoi Koncertin e muzikës tradicionale turke. Ky aktivitet që u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe turizmit të Turqisë hapi siparin e aktiviteteve të Institutit për këtë sezon. Duke iu drejtuar të pranishmëve drejtori i Institutit Yunus Emre në Podgoricë doc.dr Cihan Ozdemirtha se “edhe gjatë muajve në vazhdim publiku i qendrave të ndryshme në Mal të Zi e sidomos komunat bregdetare do te përcjellin aktivitete të larmishme të këtij Institucioni që është bërë përçues i vlerave të kulturës, artit dhe gjuhës turke në Mal të Zi”. Formacioni shtatë anëtarësh nga Stambolli solli këngë të njohura tradicionale turke, e Interpretimet e këngëtares Neshe Demir u duartrokitën nga publiku, i cili shoqëronte dhe këngët nga skena. Këtij aktiviteti i kushtohet rëndësi në mediat e këtushme. Muzika tradicionale turke përfaqëson si nga pikëpamja lëndoro-substanciale ashtu dhe nga pikëpamja strukturore formale një pasuri kulturo-artistike monumentale me vlera të rralla, e cila dhe ka pas ndikim edhe tek popujt e tjerë të Ballkanit. Në koncertin e zhvilluar në Podgoricë dhe Nikshiq ishin të pranishëm Ambasadori i Turqisë z. Serhat Galip, si dhe diplomatë të tjerë të akredituar në Mal të Zi.

- Përgatiti për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi Vera ALIBEGU KATANA



Lajme të ngjashme