Haradinaj: Duhet parandaluar qasja e drejtpërdrejt e të miturve në narkotikë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj vizitoi Policinë e Kosovës (PK).

Haradinaj: Duhet parandaluar qasja e drejtpërdrejt e të miturve në narkotikë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj vizitoi Policinë e Kosovës (PK). 

Kryeministri Haradinaj u takua në një bisedë pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës. Ai vizitoi edhe Qendrën Operative të Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së ku u informua për punën, mbikëqyrjen dhe kontrollin të cilën e bën kjo qendër për sigurinë në të gjitha qytetet e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj pas takimit dhe vizitës në PK në një deklaratë për media theksoi se PK është institucioni që bart përgjegjësinë dhe barrën kryesore dhe ndodhet çdo herë në vijën e parë në front për të zbatuar ligjin dhe rendin për qytetarët e vendit.

“Rendi dhe ligji është nevojë dhe interes i të gjithë neve, gjithë qytetarëve të vendit kudo që jetojnë në Kosovë, cilësdo përkatësie dhe është parametër që tregon aftësitë e Kosovës për t'u anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtare, pra në mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe në gjithë mekanizmat të tjera”, tha Haradinaj.

Duke thënë se institucioni në fjalë është edhe një tregues se në çfarë norme të sigurisë zhvillohet jeta në Kosovë, kryeministri Haradinaj tha se në takim kanë diskutuar çështje të rëndësishme si siguria e të miturve të cilët kanë qasje direkte me narkotikët dhe parandalimin e vjedhjeve të cilat ndodhin në pronat e qytetarëve të Kosovës.

Ai po ashtu theksoi se të gjithë janë në dakordim se askush nuk do të mund të hyjë në shkolla për t'i rrezikuar fëmijët në Kosovë.

“Diskutuam edhe për detyra më direkte, më urgjente që i kemi. Unë kisha për të veçuar një nga ato e që është droga ose narkotikët tek fëmijët. Për aksesin ose mundësinë që trafikantët e ndryshëm plasojnë droga tek fëmijët e moshës minore. Kjo është e patolerueshme dhe nuk do të tolerohet”, tha Haradinaj. (AA) 



Lajme të ngjashme