Mozaik nga Mali i Zi

Mali i Zi për të parën herë mori pjesë në Konferencën e Komitetit ushtarak të NATO-s si anëtare me të drejta të plota...

NATO Askeri Komitesi Genelkurmay Başkanları Toplantısı sona erdi.jpg
NATO askeri komitesi genelkurmay başkanları Tiranda toplandı_06.jpg
NATO Arnavutluk.jpg
Karadağ_Podgorice_Saat Kulesi.jpg
Ulqin-Krythe yol inşaatı.jpg

Delegacioni i Ushtrisë së Malit të Zi i kryesuar nga shefi i mbrojtjes gjenerallejtnant Lubisha Jokic mori pjesë në Konferencën e Komitetit Ushtarak të NATO-s që u mbajt në Tiranë. Ishte hera e parë që Mali i Zi merr pjesë në këtë konferencë si anëtarë me te drejta të plota i Aleancës. Temë kryesore e diskutimeve në këtë konferencë ishte situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit perëndimor si dhënia e rekomandimeve për vazhdimësinë e misioneve (Resolute Support) në Afganistan dhe KFOR  në Kosovë. Shefi i mbrojtjes i Malit të Zi Jokiq u takua me homologun e tij shqiptar gjenerali Kollçak si dhe me atë të Kroacisë gjeneralin Shundov. Në takime të ndara krye shefat e mbrojtjes kanë diskutuar për marrëdhëniet  midis ushtrive dhe mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e stërvitjes  

                                                                  ***

Mali i Zi fton biznesmenët kinezë që të investojnë dhe në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore 

Në Podgoricë u mbajt Forumi i dytë i kryetarëve të kryeqyteteve të Kinës dhe shteteve të Evropës qendrore dhe lindore. Duke përshëndetur pjesëmarrësit e takimit Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq i bëri ftesë investitorëve kinezë që të investojnë në Mal të Zi dhe në vendet e Evropës qendrore dhe lindore. Ai njëkohësisht i bëri thirrje afaristëve malazezë që nëpërmes kontakteve të drejtpërdrejta me partnerët Kinez që t’i hapin dyert investimeve. Sipas tij Mali i Zi me ndërtimin e autostradës si dhe lidhjes nëpërmes Portit të Tivarit me korridorin e Evropës lindore dhe qendrore edhe më shumë do të forcojë pozicionet e tij dhe do të bëhet nyje e fortë përmes të cilit do t’u bënte shkëmbimi i mallrave ndërmjet Evropës dhe Kinës.

                                                                 ***

Më në fund realizohet një kërkesë e hershme e banorëve të Komunës së Ulqinit. Fillon ndërtimi i rrugës qe lidh Malin e Zi me Shqipërinë në aksin Ulqin-Krythë.

Filluan punimet në rikonstruimin e rrugës magjistrale Ulqin–Sukobinë, respektivisht në segmentin rrugorë Ulqin– Krythë në drejtim të pikës kufitare që lidh Malin e Zi me Shqipërinë. Ministria e Komunikacionit dhe Detarisë ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën me SH.P.K “Metal Alu&Plast” nga Danillovgradi, e cila do të zhvillojë punimet në rekonstruksionin e kësaj rruge. Me kontratë është paraparë që punimet, konformë standardeve më të larta, në tërësi të përfundojnë për 360 ditë, ndërsa vlera e këtij projekti kaq të rëndësishëm është 5.824.687.33 euro. Rruga Ulqin–Krythë do të krijojë lehtësira në lëvizjen e mjeteve dhe njerëzve në këtë pjesë kaq të frekuentuar, veçmas gjatë stinës së verës. Me realizimin e këtij projekti përmbushet një kërkesë e hershme ndërkohë që përmirësimi i infrastrukturës rrugore mbetet detyrë dhe prioritet për strukturat udhëheqëse komunale.

                                                             ***

Nënshkruhet marrëveshja për avancimin e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe Marokut 

Ministri i zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit i Malit të Zi Pavle Radulloviq nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij nga Maroku Muhamed Said. Me këtë rast Radulloviq tha se shkëmbimi i përvojave në të gjitha fushat dhe specifikat e ekonomisë turistike në vendet tona ka potencial që në masë të madhe  të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi dhe Marokut si destinacion modern turistik. Ai më tej tha se është e rëndësishme që Mali i Zi plasmanin e prodhimit turistik nuk e ka kufizuar vetëm me vendet përreth por edhe në tregun e vendeve  më të largëta. Ketë gjë, sipas tij duhet ta ndjekin edhe vendet e tjera të Mesdheut. Nga ana tjetër Ministri Said ka deklaruar se në takim ndër të tjera është bërë fjalë edhe për mundësinë e shkëmbimit të bashkëpunimit në fushën e turizmit me anije të mëdha si dhe interesimit për lidhje ajrore midis dy vendeve.

                                                             ***

Kulla e Sahatit në Podgoricë trashëgimi e përbashkët kulturore midis Malit të Zi dhe Turqisë. Heqja apo jo e kryqit të vendosur në maje të Kullës së Sahatit po  tërheq vëmendjen e opinionit. Mbi 90% të të anketuarve nga RTV i Malit të Zi, janë pro heqjes së kryqit. 

Ka ditë që Agjencia Turke për zhvillim TIKA ka nisur rikonstruimin e Kullës së Sahatit në Podgoricë, projekt ky që do të kushtojë rreth 400 mije euro. Kulla e Sahatit është cilësuar si trashëgimi e përbashkët kulturore e Malit te Zi dhe e Turqisë, respektivisht simbol dhe tregues i marrëdhënieve të mira midis dy popujve. Mirëpo vëmendjen e opinionit të këtushëm e ka tërhequr  mënjanimi i një kryqi i cili ka qenë i vendosur në majë të këtij objekti. Kjo ka bërë që të reagojnë përfaqësuese të komuniteteve fetare, studiues dhe njohës të trashëgimisë kulturore  Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi Rifat Fejziq ka thënë se Kullat e Sahatit siç është ajo në qytetin e vjetër të Tivarit, në Ulqin, Herceg Novi dhe në Plevle, janë pasuri që i përkasin trashëgimisë Osmane dhe trashëgimisë Islame në arkitekturën dhe trashëgiminë Kulturore. Ai ka sqaruar se asnjë nga Kullat e Sahatit ashtu si Xhamitë dhe objektet e tjera Islame  nuk kanë pasur dhe as kanë mundësi të kenë kryqin si karakteristikë. Vënia e. kryqit në maje të Kullës së Sahatit në Podgoricë sipas tij është e një periudhe të re ashtu siç janë dhe uzurpimet që i janë bërë pasurisë së Bashkësisë Islame në Mal të Zi. Ne kemi kohë ka thënë Fejziq që insistojmë në heqjen e kryqit dhe ka shprehur habinë se si disa zyrtarë lokal kanë biseduar me disa përfaqësues të Kishës Ortodokse duke lënë anash Bashkësinë Islame si palë e pa shmangshme në bisedime të kësaj natyre.  Lidhur  me këtë kanë reaguar edhe studiues  të njohur. Kështu dr. Novak  Kilibarda , letrar dhe ish politikan i njohur, kërkesën që në Kullën e Sahatit të vendoset kryqi e ka cilësuar hap të gabuar që shkon kundër harmonisë ndër nacionale në Mal të Zi. Mendim të ngjashëm me prof. Kilibardën ka dhe  historiani Zhivko Andrijasheviq, i cili ka thëne se është e pa lejueshme që në Kullën e Sahatit të vendoset një tjetër objekt fetar. Këtë gjë e kundërshton Kisha Ortodokse serbe në mal të Zi dhe disa përkrahës të sajë  Në një anketë të zhvilluar nga Radio Televizioni shtetëror i Malit të Zi në pyetjen se a janë qytetarët pro apo kundër heqjes së kryqit nga Kulla e Sahatit, mbi 90 % e të anketuarve kanë votuar pro heqjes së tij. Mbetet të pritet se çfarë qëndrimi do të mbajnë autoritetet e pushtetit të Podgoricës dhe institucionet e ruajtjes së trashëgimisë Kulturore në Mal të Zi.

- Përgatiti për TRT Shqip, Vera ALIBEGU KATANA -



Lajme të ngjashme