Autostrada në drejtim të Maqedonisë mbaron në fund të 2018

Segmente të autostradës së dytë në Kosovë në drejtim të Maqedonisë që realizohet nga konsorciumi turko-amerikan Bechtel-Enka janë vënë që tani në shërbim të automjeteve, por tërësisht autostrada do të jetë gati në fund të vitit 2018.

10-11/Files/UploadedImages/5728152734kosovaotoban1.jpg
küçük resim_Haradinaj_Rikalo hakkında.jpg
Kıvılcım Kılıç_Ramush Haradinaj.jpg
kosova bayrağı.png
Kosova meclis binası3.jpg
QUINT quint Kosova

Konsorciumi turko-amerikan Bechtel Enka është duke vazhduar me punimet në ndërtimin e autostradës 62 kilometra e gjatë në drejtim të Maqedonisë, edhe pse qeveria e Kosovës u ka mbetur borxh. Megjithatë, pas formimit të qeverisë së re, obligimet pritet të kryhen. Këtë e konfirmoi vet kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, pas një vizitë në Ministrinë e Infrastrukturës, ku u takua me bashkë partiakun e tij, ministrin Pal Lekaj. Ministri Lekaj më pastaj vet i inspektoi punimet në autostradë, duke shkuar deri në kufi me Maqedoninë. Ai u shpreh i kënaqur me punimet, duke u zotuar se qeveria do të kryejë obligimin e saj financiar ndaj konsorciumit, me ç’rast edhe afatet e ndërtimit do të respektohen. 

“Edhe pse ka pas prolongime jo me fajin e konsorciumit Bechtel-Enka por me ngecjet në qeveri, mund të them lirshëm që segmenti i dytë do të përfundojë me 31 dhjetor në fund të vitit dhe ne u zotuam që do ti kryejmë obligimet tona”, tha Lekaj.

Kurse segmenti i tretë përmbyllës, që fillon nga Doganaj deri në Han të Elezit, Lekaj tha se do të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm, kur edhe do të përurohet komplet autostrada.

*** 

Ministri Lekaj informohet për kushtet e punëtorëve nga konsorciumi

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, gjatë prononcimit për gazetarë në kohën e inspektimit të autostradës në drejtim të Maqedonisë, potencoi kushtet e mira të punëtorëve.

“Më bëri përshtypje standardi i punimeve dhe siguria e punëtorëve, për këtë periudhë kohore që kanë punuar 1600 punëtorë, nuk ka ndodhur asnjë aksident. Është duke u zhvilluar një standard i lartë i punimeve dhe duhet vlerësuar”, ka thënë Lekaj.

Por në vërejtjen tonë, se informatat me gjasë ai i kishte marrë nga punëdhënësi, dhe në pyetjen se a kishte kontaktuar edhe punëtorët pasi ka shumë ankesa për shkeljet e të drejtave të tyre, ministri Lekaj u përgjigj.

“Kur e bëni këtë pyetje unë mendoj se më duhen informata shtesë mirëpo sa pata kontakt edhe me punëtorët janë mjaft të kënaqur… por sa I përket pagesave, por në këtë drejtim më duhet kohë shtesë të marrë informacione të sakta që të japi përgjigje”, theksoi Lekaj.

Kurse drejtori i projektit Ryadh Alkhazraji tha se me ministrin e ri janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin.

***

Zyrtarët e BE-së vazhdojnë të kërkojnë ratifikimin e demarkacionit

Angelika Ajhorst, zëvendës-drejtoreshë menaxhuese për Evropë, njëkohësisht drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin e Jashtëm Evropian, ka takuar në Prishtinë kryeministrin Haradinaj dhe krye-parlamentarin Veseli. Në një adresim për media, ajo ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.

“Çështja është se qëndrimi  nuk ka ndryshuar, ne konsiderojmë se marrëveshja për demarkimin mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet sa më shpejt, dhe këtë shumë qartë ia kam thënë edhe kryeministrit kur e kam diskutuar me të, dhe këto janë pritjet tona”, ka thënë ajo. 

Zyrtarja e BE-së, Angelika Ajhorst, njëkohësisht ka kërkuar nga liderët institucionalë reforma në fushën e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut. Ajo theksoi se kuvendi duhet urgjentisht të ratifikojë marrëveshjen e financimit IPA 2016, duke thënë se kjo i sjell Kosovës 70 milionë euro përkrahje nga Bashkimi Evropian. Zyrtarja e BE-së po ashtu tha se liderët politikë duhet të përmbushin kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave.

“Është një përkrahje e pa rezervë për perspektiven evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe mendoj se ka ardhur koha që njerëzit të cilët jetojnë në Kosovë të ndjejnë këtë përkushtim. Të plotësojë kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave: Tregoni se jeni në gjendje të ofroni zgjidhje, të ushqeni marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të jeni një partner i besueshëm. Kjo do të hapë derën për investime dhe do të zhvillojë ekonominë e Kosovës. Kjo do t'ia mundësojë popullit të Kosovës të ndjehet pjesë e plotë e familjes evropiane. Ju lutemi të bëni atë për ta”, është shprehur Ajhorst. 

Ndryshe, krye-parlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit me zyrtaren e BE-së, përmes komunikatave kanë shprehur përkushtimin e institucioneve të reja në përmbushjen e kritereve që mundësojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

*** 

Haradinaj ofendon gazetarët gjatë pyetjes për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se nuk kishte dëgjuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë thënë se nuk e pranojnë një marrëveshje të re të demarkacionit. Një pyetje nga mediat, se amerikanët nuk po e pranojnë një marrëveshje të re të demarkacionit, e bëri paksa nervoz kryeministrin Haradinaj.

“Kam respekt për media shumë, besoni, por shumica prej jush as nuk dini me lexua anglisht, a nuk po dini me kuptua çka kanë thënë, problemi është i juaj. S’kam ndonjë koment. Ju po raportoni, pa ditë si po raportoni më besoni. Shkoni më shumë në shkollë, kqyrni çka po thonë ata. E kam lexu deklaratën e tyre, kjo çka po thua se amerikanët nuk po pajtohen nuk është ashtu. Nuk ka asnjë fjalë diku që thotë se nuk pajtohem me këtë apo atë. Ata thonë se nuk insistojnë ku është vija kufitare, e dyta thonë se ne kemi mendua që kjo marrëveshje duhet me shkua kështu, pra lexoni mirë”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri vizitoi ministrinë e Infrastrukturës, ku pas takimit me bashkë-partiakun e tij, ministrin Pal Lekaj, përsëri sikur një ditë më herët gjatë vizitës në KEK, dha mesazhe se nuk do të tolerohet neglizhenca në punë.

“Pra nuk do të tolerohet më skena që kemi parë në të kaluarën, një kolicë, një bager i vogël, i ndryshkur dhe një punëtor diku. Nëse e ka marrë dikush përgjegjësinë me i krye punë këtij vendi, atëherë ka me krye ose në afat kohor, ose ka me u përjashtua prej mundësisë që me marrë punë më prej publikut,” tha Haradinaj.

***

AGK reagon ndaj kryeministrit Haradinaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i dëshpëruar me deklaratat e kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj, i cili ironizoi me përgatitjen profesionale të gazetarëve. AGK e konsideron të papranueshëm veprimin e kryeministrit, ndërkohë që për deklaratat e bëra nga ai thotë se paraqesin ofendim ndaj gazetarëve në vend.

“Duke përcjellë me shqetësim këtë deklarim të kryeministrit të ri, ne rikujtojmë se misioni i gazetarëve është që të bëjnë pyetje sa herë që ata kanë nevojë për përgjigje ndërkohë që përmbajtjen e pyetjes nuk do të mund ta kontrollojë askush”, shkruan në komunikatën e dërguar për media nga bordi i AGK-së.

Me këtë rast, AGK-ja kërkon nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jetë bashkëpunues me gazetarë, si dhe të punojë intensivisht në rritjen e bashkëpunimit me media. Gjithashtu, pritjet e gazetarëve janë edhe për transparencë të qeverisë.

Prokuroria hap hetime ndaj ministrit të qeverisë së Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e hetimeve ndaj ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili është akuzuar nga disa qytetarë të lagjes “Dardania” në Prishtinë  për maltretime gjatë kohës së luftës.

Zyrtarë të prokurorisë thonë se do të fillojnë me mbledhjen e informacioneve, provave e dëshmive, për të vazhduar me hetime penale.

***

Haradinaj thotë se nuk ka mund t’i konfirmojë akuzat ndaj ministrit Rikalo

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përmes një deklarate për media ka thënë se institucionet e sigurisë së shtetit nuk kanë të dhëna se ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo ka qenë i përfshirë në krime gjatë luftës në Kosovë. Zyra për media e kryeministrit bën të ditur se, kryeministri Haradinaj i ka marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999. 

“Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër. Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Haradinaj nëpërmjet kësaj deklarate siguron qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veprojë sipas ligjit dhe përgjegjësive që ka.

***

Nxënësit e trashë të Prishtinës, shqetësojnë zyrtarët 

Çdo i katërti nxënës në Prishtinë nga klasat e para, të pesta dhe të nënta, ka rezultuar se vuan nga obeziteti (mbipesha). Prandaj, mbipesha ka rezultuar të jetë njëri ndër problemet shëndetësore shqetësuese, kanë thënë të enjten zyrtarë të lartë të institucioneve shëndetësore në Komunën e Prishtinës , gjatë prezantimit të raportit të hartuar pas kontrolleve sistematike mjekësore të mbi 11 mijë nxënësve nëpër shkollat e Komunës së Prishtinës. Problemi me i madh nga statistikat e nxjerra ka dalë të jetë obezitetiti tek fëmijët, theksoi doktori i Mjekësisë Familjare Nexhmedin Hoti.

“Problematikë këto katër vite, e sidomos kohen e fundit e që se kemi pritur fare, na kanë dal fëmijët më mbi peshë. Kjo përqindje po rritet për çdo vit, e që është shqetësuese për neve. Për ketë temë do të ju kisha lutë shumë juve, prindërve, komunës si sit ë veprojmë me këta fëmijë që janë me mbipeshë”, ka thënë Hoti.

Doktorët të cilët kanë marrë pjesë në këto kontrolle sistematike, sugjerojnë prindërit që sa me shumë fëmijët e tyre të merren me aktivitete fizike në mënyre që mos të kenë probleme me mbipeshën. Probleme dhe sëmundje të ndryshme mund të shfaqen nga mbipesha.

Sigal Prishtina të martën luan në FIBA Ligën e kampionëve në basketboll

Kampioni I Vala Superligës në basketboll, Sigal Prishtina, të martën luan për herë të parë ndeshjen më të rëndësishme, historike në Ligën e Kampionëve në basketboll, në organizim të FIBA-s. Sigal Prishtina më 19 shtator në Prishtinë e prêt kampionin e shumëfishtë të Bjellorusisë, Tsmoki Minsk. Ndeshja e kthimit zhvillohet më 21 shtator.

Nëse e kalon këtë raund kualifikues, në raundin e dytë Sigal Prishtina e pret kampionin e Ukrainës, Budivelnik.

Ndërsa, nëse e tejkalon edhe këtë ekip, në raundin e tretë të fundit kualifikues, e prêt ekipi shumë I fortë francez, Nanterre 92, që është aktualisht kampion I Fiba Euro Kupës.

Fituesi I këtij ballafaqimi do të kualifikohet në fazën e grupeve, ku  e presin ekipet si Beshiktashi, Arisi, si dhe 5 ekipe tjera.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme