Haradinaj kryeministër, opozita e konteston kabinetin e tij, BE kërkon punë

Pa kaluar dy ditë nga marrja votëbesimit opozita ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për Qeverinë Haradinaj.

kosova meclisi baskanini secti.jpg
Transparenca në Institucionet e Kosovës megjithatë nuk është zero, por 0.6.jpg
Kosova Meclisi_olağanüstü oturum.jpg
Priştine Rahibe Teresa katedrali_kutsama töreni.jpg
Ulrike Lunacek_Kosova.jpg

Pas votimit të qeverisë së re të Kosovës të shtunën, të nesërmen është mbajtur seanca e jashtëzakonshme, pas kërkesës së papritur të opozitës të dielën.

seancën e jashtëzakonshme, të kërkuar nga opozita, përkatësisht VV, LDK e Alternativa, është kërkuar përgjegjësi ngakryeministri i ri Ramush Haradinajpër kabinetin e ri qeveritar si dhe për mos-ekzistimin e mirëfilltë të programit të qeverisë.

Në fillim të seancës, Albin Kurti nga Vetëvendosje theksoi se qeveria më e fundit është më e dobëta e pasluftës.

“Kjo e mbrëmshmja është qeveria më e dobët e pasluftës, si për nga formimi e orientimi, po ashtu edhe nga përmbajtja e pesha. Shumica dërmuese e ministrave janë asistent të shefave, por edhe më shumë se kaq nuk kanë lidhje me dikasterët që do ti drejtojnë. Në këtë qeveri ka tepër ministra, sepse ka shumë kryeministra. Tre a katër në Prishtinë dhe njëri vendimtar në Beograd. Kjo qeveri u formua sepse Vuciqi, e as PAN-i nuk mund ta paramendojnë Vetëvendosjen në udhëheqje të qeverisë”, ka thënë Kurti.

Kurti në vazhdim ka qenë mjaft kritik edhe për sa i përket dhënies së ministrisë së Bujqësisë, Listës serbe për të udhëhequr.

“Hipokrizia është se e gjithë kjo qeveri që u bë e sekserëve, në fushatë patën thënë se do t’i marrin votat e fermerëve e të bujqve, të gjithë këta kanë premtuar fonde pa fund për bujqësinë, e tani bujqësinë ia dorëzuan serbëve. Turp duhet t’iu vijë. A e dinë këta se në Kosovën tonë që e lanë të prapambetur e që i kanë mbyllur fabrikat, shumica e popullit jeton përmes bujqësisë. Me cilin moral ia kanë dorëzuar ministrinë e bujqësisë listës serbe. Çfarë do t’u thonë fshatarëve e fermerëve të Drenicës e të Dukagjinit, e të Anamoravës? Me cilën fytyrë do të shkojnë nëpër fshatra që t’iu shpjegojnë atyre se subvencionet për bujqësinë e blegtorinë do të jenë të varura nga Serbia?

Pas Kurtit, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së ka folur Avdullah Hoti, i cili u tregua shumë kritik ndaj Haradinajt.

“Z. Haradinaj duhet të përgjigjet se çfarë përfaqëson Dardan Gashi në këtë koalicion, duke e ditur historinë e tij. Tash këtij personi i është caktuar edhe ministria e drejtësisë dhe është shtuar edhe resori i investimeve strategjike. Në anën tjetër duke pasur ministrinë e zhvillimit ekonomik, ministrinë e tregtisë dhe industrisë, ministrinë e arsimit. Çfarë do të bëjë ministria e inovacionit dhe ndërmarrësisë me Besim Becajn, duke e ditur në veçanti historinë e këtij personi në privatizimin e Distribucionit, rastin e Axos-it në privatizimin e PTK-së, aferat Pronto të tij”,- potencoi Hoti.

Këto fjalime u mbajtën përderisa askush nga kabineti qeveritar nuk ishte në këtë seancë sikur edhe nga partitë e koalicionit në pushtet, me përjashtim të kryetarit të Kuvendit si dhe deputetit të Nismës, Milaim Zeka, i cili për shkak të fjalorit banal të përdorur, u përjashtua nga seanca nga kryetari Veseli. Shkaku i mungesës së kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit të tij, deputeti i LDK-së Avdullah Hoti propozoi ndërprerjen e seancës dhe vazhdimin të martën.

“Kërkoj nga ju dhe nga sekretaria e Kuvendit që të shtoni këtu karriget që ti akomodoni të gjithë ministrat që i keni 26 apo 30 se as vet nuk i dini sa janë. Dhe kërkoj që kjo seancë të vazhdoj të martën në orën 10 me diskutimet e deputetëve sepse ka shumë çështje, shumë pyetje nga të gjithë deputetët. Edhe unë në fjalimin në emër të LDK-së kisha disa pyetje për kryeministrin, i cili duhet të jaëp përgjigje para nesh dhe para qytetarëve”,- kërkoi Hoti.

Kryetari i Kuvendit e miratoi këtë kërkesë që njëkohësisht u bë edhe nga Vetëvendosje dhe e ndërpreu seancën.

***

Haradinaj habitet me seancën e jashtëzakonshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është paraqitur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në kohën kur opozita ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me “parimet programore” të Qeverisë Haradinaj.

Por, Haradinaj e ka quajtur të habitshme thirrjen e kësaj séance dhe ka treguar arsyet e mos-pjesëmarrjes.

“Dje ishte seanca për zgjedhjen e qeverisë, sot na kanë njoftuar se ka ftesë edhe për një seancë të jashtëzakonshme. Shumë e habitshme kjo ftesë për shkak se kërkesa për ndërprerje të debatit erdhi pikërisht nga opozita edhe kanë bërë 40 nënshkrime për një seancë, kurse janë 31 deputetë në sallë. Ne nuk e vlerësuam të nevojshme që ti përgjigjemi kësaj ftese. Do ta respektojmë Parlamentin çdo herë, por kjo e sotmja nuk meriton respekt”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj më tej ka thënë se ai vet një ditë më herët ka kërkuar debat për të dhënë sqarime për çështjet e ngritura, mirëpo ka qenë opozita që e ka lëshuar sallën. Prandaj seancën e jashtëzakonshme e ka vlerësuar të pakuptimtë.

***

5 zëvendës-kryeministra, 21 ministra 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 61 vota për kanë zgjedhur kabinetin e ri qeveritar, i cili do të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj. Deputeti i Nismës, Zafir Berisha ka abstenuar. Menjëherë pas votimit i gjithë kabineti qeveritar është betuar. 

Mandatari për formimin e qeverisë, tash kryeministër Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në kuvend ka thënë se qeveria që do ta drejtojë ai do të kërkojë shumë punë, besim e përkushtim. Fokusi i qeverisë do të jetë në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, shëndetësinë dhe integrimin në BE, duke mos anashkaluar vazhdimin e dialogut me Serbinë, është shprehur Hardinaj.

Kurse pas seancës, kryeministri Haradinaj, u ka thënë gazetarëve se do ta krijojë një Kosovë të re dhe do të ketë një mobilizim qeverisës. Ai ka thënë se pret nga LDK dhe Vetëvendosje që të jenë ata që duhet të jenë në Kuvend. 

***

Deputetët e rinj që i zëvendësojnë ata që u bënë pjesë e kabinetit qeveritar

Kabineti qeveritar i kryesuar nga Ramush Haradinaj përbëhet nga 21 ministri. Përveç Haradinajt kryeministër, zëvendës-kryeministër i parë është Behgjet Pacolli, pastaj zëvendës-kryeministrat Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj, Dardan Gashi e Dalibor Jevtiq.

Deputetët e koalicionit qeverisës, të cilët tanimë janë betuar si ministra të Qeverisë së Kosovës, do t’ia lirojnë vendin kolegëve nga partitë e tyre, përveç, Ramush Haradinajt që ia liron vendin një kandidati të PDK-së dhe Behgjet Pacollit, i cili ia liron vendin një kandidati të LDK-së.

Duke marrë parasysh që deputetët në momentin që bëhen ministra, zëvendësohen nga koleget e tyre brenda koalicionit, në bazë të renditjes së votave, del që kryeministrin Haradinaj do ta zëvendësojë Nait Hasani nga PDK-ja dhe, pastaj në vend të Enver Hoxhajt do të vije Fadil Beka po ashtu nga PDK-ja. Kurse, Fatmir Limajn do ta zëvendësojë kolegu i tij nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti.

Në vend të Pal Lekajt, deputet do të bëhet Gani Dreshaj i AAK-së, kurse, në vend të Rrustem Berishës, pjesë e legjislaturës së re do të jetë Bekë Berisha nga AAK.

Vendin e Behxhet Pacollit në Kuvend do ta zë ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani nga radhët e LDK-së.

***

BE kërkon punë nga Haradinaj

Bashkimi Evropian ka dhënë një deklaratë dy ditë pas zgjedhjes së kryeministrit të ri të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kjo është deklarata e plotë e Zyrës së BE-së në Kosovë

"Formimi i institucioneve në Kosovë, pas disa javë paqartësish politike, është një hap shumë i rëndësishëm. Kosova përballet me sfida të vështira, duke përfshirë korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit, papunësi të lartë dhe performancë të dobët në sistemin arsimor. Këto janë pengesa serioze për zhvillimin e ekonomisë, për të tërhequr investime të qëndrueshme dhe për të krijuar mundësi punësimi. BE-ja dëshiron që Kosova të ketë sukses dhe u bënë thirrje politikanëve të fokusohen në këto çështje të përditshme me rëndësi për njerëzit.

BE-ja e nxitë qeverinë e sapoformuar të fillojë menjëherë të punojë për forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e ekonomisë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Agjendën e Reformave Evropiane si dhe marrëveshjeve tjera përkatëse mes BE-së e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë t'i marrin seriozisht këto sfida dhe të veprojnë në mënyrë efektive në interesin më të mirë të popullit të Kosovës. Ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë parësore për forcimin e sundimit të ligjit, përmes një reforme të sistemit gjyqësor në përputhje me standardet më të mira evropiane.

Është thelbësore që Kosova të punojë për kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave duke ecur përpara në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe duke ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE-ja pret që qeveria e re të luajë një rol aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe të punojë së bashku me Beogradin për të siguruar që një hap para është bërë në Dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshjet e arritura në këtë kontekst duhet të zbatohen plotësisht.

Siç e përsëriti javën e kaluar Përfaqësuesja e Lartë Federika Mogerini, Kosova ka perspektivë evropiane. Njerëzit e Kosovës duan dhe meritojnë të njëjtat mundësi, mbrojtje dhe të drejta të njëjta si të gjithë qytetarët e vendeve tona. Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Politikë-bërësit e Kosovës duhet të tregojnë udhëheqje të përgjegjshme dhe të përmbushin pritjet e qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Be-së.

***

Lunacek kërkon trajtimin e çështjeve urgjente 

Eurodeputetja dhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, njëkohësisht raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek është shprehur se Qeveria e re e Kosovës duhet të fillojë trajtimin e problemeve urgjente të Kosovës që nga dita e parë.

“Një rrugëdalje nga kriza ekonomike, iniciativa për tërheqjen e investimeve, krijimi i vendeve të reja të punës, dhe përmirësimin e shërbimeve në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit për qytetarët”, ka thënë Lunaçek.

Ajo më tej ka nënvizuar se sigurisht që institucionet dhe sundimi i ligjit duhet të forcohen, duhet të intensifikohet e drejta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ky aspekt i fundit është gjithashtu një nga dy që nevojiten për të bërë të mundur që ne në BE të vazhdojmë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lunacek.

Por Lunaçek ia kujton Haradinajt Demarkacionin duke thënë ”Siç dihet mirë është ratifikimi i shpejtë i marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi nga ana e Kuvendit.”

Më tej shton se rruga e Kosovës në BE duhet të intensifikohet, për shembull duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe Agjendën Evropiane të Reformës.

“Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë fqinjë, gjej faktin se Lista Srpska ka votuar për ish-Udhëheqësin e UÇK-së Ramush Haradinaj si Kryeministër një sinjal pozitiv për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë: “Realizmi” është gjithashtu çfarë kërkon presidenti serb Vuçiq, kështu që shpresoj se përparimi në rrugën e tij!” përfundon deklaratën Lunaçek.

***

Shugurohet Katedralja në Prishtinë

Një vit pas shenjtërimit të Nënës Terezës me 5 shtator 2016 nga Papa Francesku, me një ceremoni solemne, u bë Shugurimi i Katedrales në Prishtinë, e cila mban emrin Shën Tereza. Presidenti i vendit Hashim Thaci, ftoi Kardinalin shqiptar Ernest Simon Troshani, që t’i dërgojë mesazh Papa Franceskut, për tolerancën që është shtyllë e vlerave të popullit të Kosovës.

Ndërkaq i dërguari i Papa Franceskut, Kardinali Shqiptar, Ernest Simon Troshani, i cili edhe udhëhoqi ceremoninë e Shugurimit të Katedrales në Prishtinë, tha se Shën Tereza, është pasqyrë dhe shembull për të gjithë njerëzimin.

Kurse Ipeshkëvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, u bëri thirrje popujve të rajonit dhe gjithë botës, që të vizitojnë Katedralën Shën Nëna Terezë në Prishtinë, dhe të miqësohen me popullin e Kosovës.

***

Komuna e Prishtinës vazhdon me sisteme kundër korrupsionit 

Komuna e Prishtinës ka lansuar sistemin elektronik për menaxhimin e subvencioneve, për kulturë, rini dhe sport, i cili ka për synim zvogëlimin e korrupsionit. Projekti synon ngritjen e nivelit të transparencës dhe shmangien e korrupsionit. Tani qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësi që përmes aplikimit elektronik për subvencione, të përcjellin procedurat e dhënies së tyre. Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi konsideron se ky projekt, i pari i këtij lloji në Kosovë, do të lehtësojë aplikimin për subvencione si dhe do të ndikojë në ngritjen e transparencës.

Ndërkaq, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Besart Vllahinja tha se ky sistem digjital do t’u mundësojë qytetarëve përcjelljen e të gjitha procedurave që nga aplikimi deri te marrja e përgjigjes.

Menaxheri i programit antikorrupsion, në Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP, Albert Avdiu tha se kjo platformë synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në Komunën e Prishtinës.

 - Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme