Zaev ftohet nga homologia serbe për të vizituar Serbinë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në takimin joformal të shefave të Qeverive të Ballkanit Perëndimor në Durrës, deklaroi se kriza me Serbinë ka marr fund.

Zaev ftohet nga homologia serbe për të vizituar Serbinë

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në takimin joformal të shefave të Qeverive të Ballkanit Perëndimor në Durrës, deklaroi se është ftuar nga Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, për të vizituar Serbinë gjatë muajit nëntor, pas zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Zaev bëri të ditur se ka zhvilluar një takim bilateral miqësor me homologen e tij serbe dhe vlerësoi se vizita e tij në Serbi do të jetë mundësi për të përparuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë ekonomik në të cilën siç tha ai, ka potencial të madh.

“Maqedonia dhe Serbia kanë marrëdhënie të shkëlqyera miqësore që ne mund t’i përparojmë në çdo fushë”, u shpreh Zaev, duke shtuar se është rënë dakord për takim të përbashkët mes qeverive të të dy vendeve fqinje.

 

Kryeministri i Maqedonisë u pyet edhe për krizën diplomatike mes Maqedonisë dhe Serbisë, pasi që javën e kaluar kjo e fundit tërhoqi personelin e ambasadës së saj në Shkup për konsultime në Beograd. Zaev theksoi se kriza diplomatike mes dy vendeve ka përfunduar dhe se tani mbetet përmirësimi i bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Kriza diplomatike mes Serbisë dhe Maqedonisë ka përfunduar. Atë e dija që kur bisedova me Presidentin Aleksandar Vuçiç. Patëm një bisedë të gjatë dhe i shqyrtuam të gjitha çështjet. Vendosëm theksin në perspektiva. Me disa fjalë i përfunduam debatet që ekzistonin dhe u drejtuam ndaj perspektivave”, tha Zaev.

Zaev komentoi edhe çështjen e votimit të Kosovës në UNESCO, gjë për të cilën tha se: “Unë e di se nuk ka aplikim për Kosovën. Edhe këtë vit kjo çështje nuk do të diskutohet. Shpresoj se momentalisht kur do të diskutohet kjo çështje do të kemi rrethana me të vërtetë më të përshtatshme. Rajoni patjetër të shoh vetëm pozitivisht me perspektiva përpara dhe në asnjë mënyrë asnjë vend të mos japë shkaqe për përçarjen e marrëdhënieve fqinjësore dhe rajonale”.

Takimi joformal është organizuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa, Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, Kryeministri malazez, Dushko Markoviç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, si dhe Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller.



Lajme të ngjashme