Një ditë për viktimat e diktaturës, Shqipëria do t’i bashkohet 23 gushtit

Shqipëria pritet ti bashkohet ditës përkujtimore të shpallur nga Parlamenti Evropian në kujtim të viktimave të regjimeve, naziste, komuniste apo fashiste.

Një ditë për viktimat e diktaturës, Shqipëria do t’i bashkohet 23 gushtit
Arnavutluk_totaliter rejimin şehitlerini anıyor_01.jpg

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar zhvilloi një aktivitet të përbashkët, me rastin e përkujtimit të Ditës Evropiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit.

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, do ti propozojë parlamentit që 23 gushti të shpallet edhe në Shqipëri dita e kujtimit të viktimave të regjimeve totalitare.

 “Rrjeti Evropian i Kujtesës është një rrjet që mbledh vende të ndryshme nga Evropa, si Gjermania, Polonia, Austria, Çekia, Rumania, Bullgari, etj., duke tentuar të zgjerohet në Ballkan. Ky rrjet është aktivisht i përfshirë në diskutimin ndërkombëtar mbi historinë dhe kujtesën e historisë së re të Evropës, të shekullit 20-të. Ndonëse është shekulli më modern, që supozohej të ishte më human, në fakt nuk ishte ashtu, pasi u përfshi nga dy luftëra botërore, zhyti gjysmën e Evropës në diktaturë, prodhoi sisteme totalitare, fashiste, staliniste, prodhoi gjenocide, miliona të vdekur, të humbur dhe të burgosur”, u shpreh Sula në fjalimin e saj.

Pas aktivitetit, ajo në një prononcim mediatik u shpreh:

"...Si Autoritet kemi rënë dakord t’i propozojmë parlamentit shqiptar që këtë ditë ta vëmë si ditë kombëtare të përkujtimit të viktimave qoftë të fashizmit, qoftë të komunizmit pa dallim ngjyre sepse diktaturat, sistemet totalitare janë njësoj me pasoja, janë çnjerëzore që synojnë shtypje me bazë racore nga një vend tek tjetri ose me bazë klasore siç ndodhi në Shqipëri..."

Ndërsa, Ambasadorja gjermane, e cila ishte pjesë e këtij organizimi u shpreh se hapja e dosjeve është shumë e rëndësishme për zbardhjen e të vërtetës historike në Shqipëri.

"...Hapja e dosjeve të sigurimit në Shqipëri ka ardhur pak me vonesë. Hapja e dosjeve është e rëndësishme pasi është përballja me të vërtetën dhe jo me të shkuarën me rëndësi kjo gjë është edhe për shkollat dhe institucionet e tjera..." 

Në aktivitetin e organizuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë ishin të pranishëm diplomatë, historianë, kërkues shkencorë, studentë, përfaqësues të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare, etj. 

Me rastin e ditës Europiane të kujtimit të viktimave të regjimeve totalitare në Muzeun Historik u hap një ekspozitë ku u ekspozuan disa objekte të viktimave të regjimit komunist dhe nazist.

Ndërkohë, 23 gushti përkujton Ditën Evropiane të Viktimave të Nazizmit e Stalinizmit, duke i konsideruar “dëbimet, vrasjet dhe skllavërimet masive të kryera në kuadër të akteve agresive të stalinizmit dhe nazizmit, kategori e krimeve kundër njerëzimit”.

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme