Dimitrov: Maqedonia është për zgjidhjen e problemeve në rajon

"Qeveria e Republikës së Maqedonisë as nuk ka pasur qëllim e as nuk ka dhënë urdhra ose udhëzime dhe as nuk ka kryer aktivitete të inteligjencës kundër dhe në dëm të ndonjë fqinji, përfshi edhe Serbinë", tha të martën Nikolla Dimitrov.

Dimitrov: Maqedonia është për zgjidhjen e problemeve në rajon

Në lidhje me vendimin e Republikës së Serbisë për tërheqjen e personelit të ambasadës së saj në Shkup, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, deklaroi se, “thelbi i afrimit drejt bashkëpunimit rajonal i qeverisë së re është themeli i zgjidhjes së problemeve që ekzistojnë në rajon, përkundër krijimit të problemeve”.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë as nuk ka patur qëllim, as nuk ka dhënë urdhra ose udhëzime dhe as nuk ka kryer aktivitete të inteligjencës kundër dhe në dëm të ndonjë fqinji tonë, duke përfshirë këtu edhe Serbinë, por as nuk do të mendojmë ndonjëherë në këtë drejtim. Institucionet shtetërore punojnë në bazë të Ligjit për mbrojtje të rendit kushtetues dhe qytetarëve”, deklaroi Dimitrov.

Ai theksoi se Qeveria e re e Maqedonisë zbaton një politikë me dyer të hapura dhe zgjidhje të re, konstruktive dhe qasje të hapur ndaj fqinjëve, duke shtuar se këto politika çojnë drejt përmirësimit të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet tjera përreth.

“Ne jemi të bindur se kjo është mënyra e vetme që rajoni të vazhdojë përpara me vendosmëri drejt perspektivave evropiane edhe për ato vendet e popuj që e duan integrimin euro-atlantik. Suksesi i fqinjëve tanë është i yni, ndërsa suksesi ynë është i fqinjëve”, u shpreh Dimitrov, duke shtuar se nëse ka ndonjë mosmarrëveshje, e vetmja mënyrë për t’u zgjidhur është dialogu i drejtpërdrejt.  

Në vijim, Dimitrov bëri të ditur se në kohën kur pranoi notën nga Ambasada serbe në Shkup për tërheqjen e personelit diplomatik, menjëherë i është lajmëruar homologut të tij serb, Ivica Daçiç, por nuk ka arritur ta kontaktojë. Ai shtoi se bisedë telefonike ka kërkuar edhe përmes ambasadorit të Maqedonisë në Beograd, dhe siç shpreson Dimitrov, ajo do të ndodhë gjatë ditëve në vijim.

Dimitrov po ashtu përshëndeti qëndrimin zyrtar të Beogradit për ruajtjen e marrëdhënieve miqësore dhe për kthimin e gjendjes në kushte të zakonshme.

Qeveria serbe të dielën në mbrëmje tërhoqi zyrtarët e saj nga postet e tyre diplomatike në Maqedoni mes pretendimeve mbi aktivitetet e inteligjencës. Tërheqja e personelit diplomatik serb së pari u njoftua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, e cila përmes një njoftimi me shkrim tha se ka pranuar një notë nga Ambasada serbe në Shkup se personeli i ambasadës është ftuar për konsultime në Beograd.

Të nesërmen, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se ambasadorja dhe nëpunësit e ambasadës së Serbisë në Maqedoni janë tërhequr, sepse kanë pasur informacione për “veprimtari shumë ofensive kundërzbulimi ndaj organeve dhe institucioneve të Serbisë”.

Presidenti serb tha se organet kompetente i prezantuan atij dhe Qeverisë së Serbisë dëshmitë për këtë, por se Serbia do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie miqësore me Maqedoninë. Ai shtoi se për 7 deri në 10 ditë gjithçka do të jetë normale.

Po ashtu, edhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi se një pjesë e personelit të ambasadës së Serbisë në Maqedoni do të kthehet javën e ardhshme në Shkup, ndërsa ambasadorja Dushanka Divjak Tomiç do të kthehet kur të përfundojnë konsultimet në Beograd.

 


Lajme të ngjashme