Maqedonia e përkushtuar për marrëdhënie të mira me Serbinë

Nga qeveria e Maqedonisë theksojnë se vendi zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet fqinje.

794205
Maqedonia e përkushtuar për marrëdhënie të mira me Serbinë

Pasi dje Ambasada e Serbisë në Shkup njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë se personeli i ambasadës është ftuar për konsultime në Beograd, sot qeveria e Maqedonisë përmes një deklarate me shkrim porositi se “Maqedonia është e përkushtuar për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Serbinë”.

Nga qeveria e Maqedonisë theksojnë se vendi zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet fqinje.

“Qeveria e re e Maqedonisë është fuqimisht e përkushtuar dhe ndërmerr hapa intensive në drejtim të zgjidhjes përkundër krijimit të problemeve, duke e avancuar mirëfqinjësinë, bashkëpunimin dhe partneritetin me Serbinë, si dhe me vendet tjera në fqinjësi. Jemi të bindur se kjo është mënyra e vetme që rajoni me vendosmëri të vazhdojë përpara”, thonë nga qeveria.

Nga atje shtojnë se qeveria e Maqedonisë, duke mos marrë konkluzione të përshpejtuara, i përshëndet paralajmërimet e Beogradit zyrtar për mbrojtje të marrëdhënieve miqësore dhe për kthimin e gjendjes në korniza të zakonshme.

Dje Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ambasadorja dhe nëpunësit e ambasadës së Serbisë në Maqedoni janë tërhequr, sepse kanë pasur informacione për “veprimtari shumë ofensive kundërzbulimi ndaj organeve dhe institucioneve të Serbisë”.

 

Presidenti serb tha se organet kompetente i prezantuan atij dhe qeverisë së Serbisë dëshmitë për këtë, por se Serbia do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie miqësore me Maqedoninë. Ai shtoi se për 7 deri në 10 ditë gjithçka do të jetë normale.

Poashtu, edhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se një pjesë e personelit të ambasadës së Serbisë në Maqedoni do të kthehet javën e ardhshme në Shkup, ndërsa ambasadorja Dushanka Divjak Tomiç do të kthehet kur të përfundojnë konsultimet në Beograd.



Lajme të ngjashme