Ndërroi jetë Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka ndërruar jetë sot pas një sëmundjeje të gjatë në një spital në Turqi.

Ndërroi jetë Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka ndërruar jetë sot pas një sëmundjeje të gjatë në një spital në Turqi.

Vdekjen e Rexhepit e konfirmoi edhe familja e tij. Ai që nga muaji prill kur përjetoi sulm në tru ishte në komë.

Bajram Rexhepi ka lindur në Mitrovicë më 3 qershor të vitit 1954. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 1979, ndërsa studimet pasdiplomike i përfundoi në Zagreb në vitin 1985. Punoi si kirurg i përgjithshëm në spitalin rajonal në Mitrovicë deri në vitin 1990.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku shërbeu si mjek. Pas luftës si anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës u bë kryetar i komunës së Mitrovicës, ndërsa më pas edhe kryeministri i parë kosovar në Qeverinë e koalicionit të gjerë. Më vonë ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 nuk ishte pjesë e listës zgjedhore të partisë së tij dhe iu kthye profesionit të mjekut.

Mesazh ngushëllimi me këtë rast në rrjetet sociale shprehu kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. “Një humbje e madhe për vendin. Kontributi i tij për Kosovën ishte i madh dhe populli i Kosovës do ta mbajë mend Bajramin si një punëtor dhe shumë të përgjegjshëm."

Edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dërgoi mesazh ngushëllimi përmes rrjetit social duke u shprehur se “Humbja juaj është humbje për të gjithë ne.”



Lajme të ngjashme