Presidenti i Shqipërisë shpreh ngushëllimet për viktimat e terrorizmit në Barcelonë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat më të fundit të akteve të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, që goditën të enjten e kaluar Barcelonën...

Presidenti i Shqipërisë shpreh ngushëllimet për viktimat e terrorizmit në Barcelonë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat më të fundit të akteve të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, që goditën të enjten e kaluar Barcelonën, një prej qendrave më të mëdha e të rëndësishme evropiane.

Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve që humbën njerëzit e tyre të afërt në këto akte barbare terroriste, si dhe uron shërim sa më të shpejtë të të lënduarve.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Meta shpreh solidaritetin e Shqipërisë dhe popullit shqiptar me autoritetet dhe popullin spanjoll në luftën kundër terrorizmit dhe kapërcimin e kësaj situate.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka dënuar ashpër aktin terrorist në Barcelonë me pasojë humbje jete dhe plagosjen e dhjetëra vetëve.

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, e dënoi në termat më të ashpër këtë akt barbar duke shprehur solidaritetin për qëndresën e popullit spanjoll, si dhe u transmetoi ngushëllime familjeve dhe të afërmve të viktimave. Shqipëria do të vijojë të qëndrojë me vendosmëri përkrah Spanjës e vendeve mike dhe aleate në luftën kundër terrorizmit.

Nga ana tjetër, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Madrid njofton se deri tani nuk evidentohen shtetas shqiptarë mes viktimave.

Këtë e konfirmon ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Rezar Bregu, sipas të cilit, Rezar Bregufatmirësisht, nuk ka shqiptarë të lënduar nga sulmet terroriste në Spanjë. Megjithatë ai thekson se ka pasur mjaft telefonata për tu interesuar mbi situatën dhe se është marrë kontakt me të gjithë spitalet për të marrë informacion nëse do të kishte të plagosur.

Bregu thekson se qëllimi i terroristëve është pikërisht për të ngjallur panik, ndaj ambasadori këshillon shmangien e zonave të populluara.

Ai thekson se duhet të ndiqen të  gjitha udhëzimet, orientimet e autoriteteve lokale të Barcelonës që ti shmangen zonave të mëdha turistike.

Tashmë Spanja ka shpallur tre ditë zie kombëtare, teksa është shpallur dhe gjendja e jashtëzakonshme.

 

- Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri -



Lajme të ngjashme