Kosova kërkon rrugëdalje për krijimin e institucioneve post-zgjedhore

Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, situata duket e bllokuar, prandaj dhe po kërkohet rrugëdalje.

Kosova meclis binası3.jpg
Kosova meclisi_03_08_2017.JPG
Kosova meclisi_03_08_2017b.JPG
Kosova meclisi_04_08_2017.JPG

Seanca konstituive, e thirrur me 3 gusht nga presidenti i vendit Hashim Thaci, ka nisur me probleme të shumta. Deputetët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, u vonuan në seancë për rreth dy orë, të cilët më pas kërkuan që pika e rendit të ditës për kryetarin e Kuvendit të shtyhet, ngase koalicionit i duhen edhe dy orë shtesë për të dalë me emrin e kandidatit për krye-parlamentar. Mirëpo, kjo u kundërshtua nga Vetëvendosje dhe LDK me anë të votimit. Kjo bëri që kryesuesi, Adem Mikullovci ta mbyllë seancën pa dhënë sqarime. Ai më pas thirri për vazhdimin e saj, në orën 15:00, por deputetët e koalicionit PAN e bojkotuan atë me arsyetimin se kryesuesi ka shkelur rregulloren e Punës së Kuvendit.

***

Dështon vazhdimi i seancës

Vazhdimi i seancës konstituive të nesërmen, më 4 gusht, ka përfunduar pa zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Seanca nisi pa praninë e deputetëve të koalicionit PDK-AAK dhe të gjitha minoriteteve tjera. I vetmi nga deputetët e koalicionit PAN, i pranishëm në seancë ishte Milaim Zeka nga Nisma, i cili u bëri thirrje Vetëvendosjes dhe LDK-së që të gjejnë një konsensus për formimin e institucioneve. Por, fjalia e tij u  ndërpre nga kryesuesi Adem Mikullovci.

“O Milaim urdhëro se s;ke cka të thuash o Milaim”, tha Mikullovci.

Kurse Zeka u shpreh kështu: 

“Shprehja jote sa kam çka të them apo jo nuk të lejohet si kryesueses i kësaj seance parlamentare. Bëhu më serioz se edhe dje i ke bërë disa gabime por ti kam fal për shkak të moshës.” Po ashtu i bëj thirrje profesor Avdullah Hotit që mos të thotë se Kadri Veseli është dorëzuar sepse inatet ballkanike janë shumë të mëdha e ai prej dorëzimit kalon në ç’dorëzim e thotë hajt pe kallim Kosovën e nuk po dorëzohna”, ka thënë Zeka.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti gjatë seancës kishte thënë se Veseli është dorëzuar.

“Ne vazhdojmë të qëndrojmë në vendimin tonë si koalicion që nuk e votojmë kryetarin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, deklaratën e tij duhet parë si dorëzim i tij para vullnetit të deputetëve të Republikës së Kosovës për tu zgjidhur në krye të këtij institucioni”, ka thënë Hoti.

E pranishme në sallë bashkë me deputetët e LDK-së ishte edhe deputetja Teuta Rugova, e cila një ditë më herët nuk kishte shkuar në seancë me partinë e saj, por me deputetët e koalicionit PAN.

Ndërkohë, deklaratat e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli se ai është gati të tërhiqet nga kandidatura për krye-parlamentar, nëse Vetëvendosje e LDK e votojnë qeverinë Haradinaj, i ka komentuar në foltore të Kuvendit deputeti Glauk Konjufca. Ai tha se Kadri Veseli nuk është në situatë që të kushtëzojë për votimin e qeverisë.

“LVV ka përcjellë edhe një prononcim të z.Veseli ku ai është i gatshëm të tërhiqet nga kandidimi për kryetar të Kuvendit. Kjo do ti bënte shumë mirë Kosovës. E ftojmë atë që ta mbaj këtë premtim, mirëpo Kadri Veesli nuk është në gjendje të na kushtëzojë për votimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

***

PDK me arsyetime 

Mungesën në seancën e thirrur nga kryesuesi Adem Mikullovci, Partia Demokratike e Kosovës e ka sqaruar me një deklaratë për media, përmes deputetes së kësaj partie Blerta Deliu. Ajo ka lexuar një deklaratë të PDK-së rreth seancës, duke thënë që PDK-ja ka dëshmuar që “është institucionale dhe e përgjegjshme ndaj interesave të shtetit”, prandaj edhe do të jap maksimumin e saj për t’i ndërtuar institucionet e shtetit. Ajo nuk ka treguar se nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e grupeve parlamentare.

***

Mustafa e mban përgjegjës PAN-in

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka hedhur përgjegjësin mbi koalicionin PAN për vonesën e formimit të institucioneve, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. Në një postim në Facebook ai ka shkruar se lidershipi nuk krijohet për një ditë. Ai ka thënë se përgjegjës janë ata që organizuan dhe ekzekutuan mosbesimin ndaj Qeverisë, përderisa u ka bërë thirrje që të krijojnë kushte për formimin e institucioneve.

***

Krasniqi nga PAN thotë se qeverinë e formon ai që i ka 61 vota

Ish-Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se hapi i parë për zhbllokimin e Parlamentit është votimi i krye-parlamentarit pastaj votimi i Qeverisë. Ka thënë se të gjithë janë fajtorë për bllokadën e re. Sidoqoftë, zyrtari i NISMA-s ka thënë se nëse PAN dështon herën e parë të formojë Qeverinë, atëherë, herën e dytë, Qeverinë e formon ai që ka 61 vota.

 “Në rrethanat e krijuara, kur të gjithë janë për zhbllokim (deklarativisht), e të gjithë i kanë kontribuar bllokimit, nuk është lehtë të jepet mendim racional. Natyrisht hapi i parë pa të cilin nuk shkohet përpara është zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, ashtu siç thuhet në Kushtetutë”, ka thënë për indeksonline, Krasniqi .

Jakup Krasniqi thotë se nëse herën e parë dështon Ramush Haradinaj të bëhet Kryetar i Qeverisë, atëherë, herën e dytë i takon atij që i bën 61 vota.

“Pas kësaj fillon të ecë koha, fillimisht duhet të votohet për Qeverinë, së pari votohet për mandatarin e PAN-it, nëse ky nuk i merr votat atëherë votohet për kandidatin që dëshmon se i ka 61 nënshkrime të deputetëve. Kuptohet, pa u zgjedhur kryetari i Kuvendit procedurat tjetra nuk ecin”, ka shtuar ai.

***

Deputeti i LDK-së sheh zgjidhjen tek zgjedhjet e reja

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Haxhi Avdyli ka përmendur opsionin e zgjedhjeve të reja nëse partitë politike nuk arrijnë të merren vesh për kompromis për të bashkë-qeverisur.

“Ata që merren vesh të krijojnë shumicën parlamentare e të qeverisin. S'behet kiameti që edhe nëse s'arrijmë t'i kënaqim ambiciet tona ndonjëherë sepse ardhmëria e fëmijëve tanë është më e rëndësishme. Nëse s’mirremi vesh, shkojmë në zgjedhje tjera e ia shpenzojmë edhe nja 5 milion buxhetit të Kosovës. Por së paku secili deputet aty ku beson ka shanse të renditet në listë”, ka propozuar Avdyli.

Ky deputet i LDK’së ka thënë se marrëveshje me një apo dy deputetë nuk duhet të bëhen por duhet të ketë marrëveshje ndërmjet partive për bashkëqeverisje.

“Prandaj koha është për reflektim, e jo për aventura me shtetin. Të ulemi, të bisedojmë, si parti e koalicione”, ka shtuar ai.

***

Mjete shtesë për prokurim 

Me kërkesë të Ministrit të Financave Avdullah Hoti, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete shtesë financiare për Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. Ministri Avdullah Hoti theksoi se “mjetet financiare në shumën prej mbi 130 mijë euro, kanë për qëllim mbulimin e obligimeve nga kontrata me operatorin ekonomik. Nga kjo shumë, mbi 60 mijë euro për shpenzime kapitale, si dhe 70 mijë euro për mirëmbajtjen e platformës elektronike. Sipas, tij këto mjete janë ndarë për mirëmbajtjen e teknologjisë informative, e cila do të sigurojë funksionimin normal të platformës së e-prokurimit.

***

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur zgjedhjet e brendshme në Prishtinë

Anëtarët e VV-së kanë votuar për të zgjedhur kandidatin e partisë për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet që mbahen në tetorin e sivjetmë. "Qendra e Prishtinës i mbajti zgjedhjet e brendshme për kandidatin për Komunën e Prishtinës. Zgjedhjet, u organizuan nëpërmjet demokracisë së drejtpërdrejtë - një anëtar, një votë - dhe anëtarët kanë pasur mundësinë të votojnë për kandidatin Shpend Ahmeti në vendvotimet e hapura në të gjitha pikat e Qendrës së Prishtinës", thuhet në një njoftim të lëshuar nga VV.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme