Veseli: Më 3 gusht Kosova i ka gati institucionet e reja qeverisëse

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, thotë se më 3 gusht do t’i zgjedhin institucionet e vendit, duke thënë se koalicioni PAN do ta bëjë qeverinë dhe do ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.

Veseli: Më 3 gusht Kosova i ka gati institucionet e reja qeverisëse

Në një prononcim për KosovaPress, kreu i PDK-së ka thënë se nuk do të ketë asnjë zvarritje në formimin e institucioneve dhe se tashmë kanë kryer të gjitha përgatitjet që pas datës 3 gusht Kosova të bëhet me institucione të reja.

“Të gjitha përgatitjet janë duke u bërë në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe rregullores së Kuvendit dhe më datën 3 gusht do të kemi formimin e institucioneve të Kosovës, përkatësisht konstituimin e Kuvendit, kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës dhe kryeministrin e ri të Kosovës, gjegjësisht Ramush Haradinajn”, tha Veseli.

Veseli duke iu përgjigjur LDK-së dhe Vetëvendosjes se nuk hyjnë në një koalicion, ku është PDK-ja dhe afrimit të tyre, tha se është mirë që janë ofruar mes vete Vetëvendosje dhe LDK, pasi sipas tij, për tri vite këto dy parti kanë bllokuar Kosovën, njëra duke mos marrë asnjë vendim dhe tjetra duke dëshmuar secilën ditë se është e gatshme të ndërrojë qëndrime vetëm për të ardhur në pushtet.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, tha se partia që drejton është rrugës drejt reformave dhe ka një reflektim serioz në parti, derisa iu është përgjigjur akuzave të rivalëve politike, për akuzat që i kanë bërë PDK-së për keqqeverisje.

Por, sipas numrit një të PDK-së, nuk mund ta akuzojnë partinë shtetformuese ato parti që nuk kanë bërë asgjë për vendin që nga themelimi i tyre.

Sipas Veselit, Kosovës i duhet një reflektim dhe në të njëjtën kohë një ecje përpara në rrugëtimin e vet euroatlantik, agjendë, qe është e qartë qeverisëse dhe vendimmarrëse, qe është e guximshme, por jo assesi gjuha e urrejtjes, revanshit, e cila ka vetëm një konsum si të vihet në pushtet.



Lajme të ngjashme