Kosovë - KEK-u mund të ndërpresë prodhimin e energjisë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka alarmuar për mundësinë e ndërprerjes së prodhimit të energjisë elektrike nga ana e KEK-ut, si shkak i mos-shpronësimit të pronave në Shipitullë e Hade.

Kosova_Kendin Karar Ver Hareketi_Levizja Vetevendosje.JPG
Kosova Merkez Bankası_Banka Qendrore e Kosoves_BQK.jpg

Qeveria në detyrë miratoi vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme. Bëhet fjalë për 17 pronat që ndodhen afër mihjes së KEK-ut, në fshatrat Hade dhe Shipitullë të Komunës së Obiliqit, e që preken nga zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike për nevoja të KEK-ut. Kryeministri në detyrë Isa Mustafa tha se shpronësimi i këtyre pronave është emergjente, ngase çdo vonesë rrezikon të ndalet puna në atë pjesë dhe të shkaktojë nevojën e importimit të energjisë elektrike nga vendet tjera.
“Mund të dëmtohet shumë KEK-u dhe mund të  dëmtohemi me furnizim me energji elektrike për arsye të vonesave. Do të dëmtohemi materialisht sepse ka pasur vonesa të mëdha dhe në vend që neve shpronësimi atje të na kushtojë 5 milionë euro, tani llogaritet se do t’i kushtojë KEK-ut 15 ose 20 milionë euro, për arsye se janë lejuar ndërtime pa leje në atë pjesë të shumë shtëpive në të cilat nuk jeton askush, por çështjet duhet të zgjidhen nga ata që merren me drejtësi”, tha Mustafa.
Kryeministri në detyrë po ashtu kërkoi nga zyrtarët qeveritar që të punojnë për rishikimin e buxhetit, në mënyrë që të jetë i gatshëm për qeverinë e ardhshme, në mënyrë që mos të krijohen vonesa në kryerjen e obligimeve të ndryshme financiare.
“Ne si Qeveri duhet të funksionojmë në mënyrë normale, shteti duhet të funksionojë, çështjet tjera, mandej, natyrisht se zgjidhen procedurat demokratike dhe ne këto procedura do t’i përkrahim”, tha Mustafa.
Kabineti qeveritar ndërkaq miratoi vendimin për themelimin e Komisionit për kategorizimin e veteranëve luftëtarë të UÇK-së. Kategoria e parë përfshinë periudhën e mobilizimit në luftë nga viti 1991 deri më 5 mars 1998 dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës, kategoria e dytë përfshinë mobilizimin pas 5 marsit ‘98 dhe që ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës dhe kategoria e tretë mobilizimi në luftë pas datës 31 mars 1999 dhe ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës. Po ashtu përfshihet edhe veterani i mobilizuar në luftë nga viti 1991, përkatësisht pas 5 marsit 1998, por që nuk ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

***

VV përgatitet për zgjedhjet lokale

Partitë politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale të  22 tetorit. Lëvizja Vetëvendosje shpalli të hapura zgjedhjet e brendshme partiake për kandidatët për kryetarë komunash dhe asamblistë. Kryetari i Këshillit të përgjithshëm zgjedhor në Vetëvendosje, Nol Nushi, tha se kjo parti tashmë po bënë të gjitha përgatitjet për  zgjedhjet lokale të tetorit.

“Zgjedhjet lokale tashmë janë shpallur dhe konformë kësaj, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka filluar përgatitjet për të përfunduar listat dhe kandidaturat për kryetarë komune. Dhe nga java e ardhshme, secila komunë ka të drejtën e saj që të caktoj ditën kur do të bënë votimin për kandidatin për kryetar ose kryetare të komunës dhe po ashtu votimin e listave të asamblesë”, ka thënë Nushi. 

Zgjedhjet e brendshme të VV-së i paraprijnë përzgjedhës së kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë, të kësaj lëvizjeje. Kryetari i Këshillit të përgjithshëm zgjedhor të VV-së, Nol Nushi, duke folur për këtë proces zgjedhor tregoi edhe se kush ka të drejtë të kandidojë dhe të bëhet pjese e listave të Vetëvendosjes.  

“Secili aktivist ose anëtarë i Lëvizjes vetëvendosje , ka të drejtë të kandidojë, qoftë për asamble, qoftë për kryetarë komune. Jemi i vetmi subjekt në Kosovë që për t’u zyrtarizuar një kandidat për kryetar komune kalon nëpër filtrin, pra nëpër votimin e secilit anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër komunat përkatëse”, thotë ai. 

Në konferencën për medie të Lëvizjes Vetëvendosje u bë e ditur se nga java e ardhshme do të fillojnë të publikohen, listat me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë.

***

Platforma online për komunat

Me qëllim të rritjes së transparencës komunale dhe monitorimit të shërbimeve të cilat i ofrojnë institucionet lokale, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe organizata të shoqërisë civile janë në fazat finale të dizajnimit të platformave online, ku qytetarët mund të informohen dhe të shprehin mendimet e tyre. Sekretarja e përgjithshme e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj tha se këto platforma do të ofrojnë  qytetarët më afër komunave dhe ata do t’i bëjnë pjesë e bashkëqeverisjes.

“Përmes përdorimit të teknologjisë, ne kemi në dispozicion që të ndërtojmë një mekanizëm të bashkëqeverisjes ku qytetarët kanë mundësi që të kërkojnë llogaridhënie dhe qasje në të gjitha punët publike dhe vendimet e komunave të cilat në çfarëdo mënyre mund të afektojnë jetën e tyre. Jam  e bindur se bashkërisht mund të vendosim një mekanizëm të ri komunikimi”, ka thënë Ukimeraj.

Dizajnimin e këtyre platformave e mirëpriti edhe Peter Welling nga OSBE, i cili tha se ato do të ndikojnë shumë  në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së komunave.

***

Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ për Transferimin e Çmimit

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Transferimin e Çmimit, Udhëzim i cili ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave për administrimin dhe zbatimin e transferimit të çmimeve në përputhje me dispozitat e nenit 27 të Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat e Korporatave.

Dispozitat e këtij Udhëzimi Administrativ janë të zbatueshme për transaksionet e kontrolluara në mes të palëve të lidhura, që janë subjekte të juridiksioneve të ndryshme tatimore.

Vlen të theksohet se nëpërmjet këtij Udhëzimi Administrativ modernizohet rregullativa e transferimit të çmimit, meqë ky Udhëzim Administrativ është në masë të madhe në përputhje me udhëzuesit e OECD-së dhe rregulloren përkatëse të Bashkimit Evropian. Po ashtu, Ministria e Financave ka zhvilluar një fazë të gjatë dhe gjithëpërfshirëse të konsultimeve me palët e interesit, me qëllim të adresimit të komenteve të tyre.

***

KIESA dhe ARDA nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Asociacionin e Agjencive për Zhvillim Rajonal ARDA.

Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mes të dy palëve në përgatitjen dhe realizimin e aktiviteteve dhe projekteve specifike relevante të një mjedisi atraktiv biznesor si dhe koordinimi i aktiviteteve të ndërlidhura me zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik rajonal në Kosovë përmes zhvillimit të sektorit privat.

Pas nënshkrimit të Memorandumit, të dy palët theksuan se ky memorandum do të thelloj edhe më shumë bashkëpunimin në mes të KIESA-s dhe ARDA-s në funksion të zhvillimit të sektorit privat, përkrahjes së NMV-ve kosovare dhe promovimit të ambientit për investitorët e huaj potencial.

***

OEK: Problemi me Durrësin u tejkalua

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se problemet me të cilat janë përballur ndërmarrjet turistike kohëve të fundit në Durrës tashmë janë tejkaluar.

Kryetari i kësaj Ode, Safet Gerxhaliu, në një konferencë për media, ka thënë se problemet me të cilat janë përballur turistët kosovarë në Shqipëri janë rezultat i mosmarrëveshjes me Shqipërinë dhe se ky problem nuk është i vetmi me të cilin bizneset kosovare po përballen me shtetin shqiptar.

Ai ka thënë se duke pas parasysh që Shqipëria përfiton rreth 500 milionë euro çdo vit nga turistët kosovarë, duhet t’i trajtojë dhe respektojë më mirë.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Turizmit, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se janë takuar me përfaqësues të qytetit të Durrësit dhe se iu është premtuar se një problem i tillë nuk do të përsëritet më.

Ditë më parë Bashkësia e Durrësit mori vendim që autobusët nga Kosova të mos i lejojë të kalojnë në rrugën “Pavarësia” , rrugë kjo që dërgon në plazh.

Kjo bëri që të ketë reagime të ndryshme, duke kritikuar ashpër autoritetet lokale për këtë vendim që u konsiderua si injorim i turistëve kosovarë.

***

Asetet e sektorit mikrofinanciar arritën në afro 157 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, asetet e sektorit mikrofinanciar arritën në 156.8 milionë euro, duke shënuar rritje të theksuar vjetore prej 26.2 për qind.

“Kontribuues kryesor në rritjen e aseteve të sektorit ishte rritja e kredive bruto, që kryesisht financohet nga huamarrjet në sektorin e jashtëm, e që dominojnë strukturën e përgjithshme të aseteve të sektorit mikrofinanciar me 75.4 për qind), pasuar nga lizingjet me 14.5 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 u karakterizua me rritje të theksuar të vlerës së kredive prej 33.6 për qind.

***

Sigurimet arrijnë vlerën në mbi 18 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sektori i sigurimeve u karakterizua me rritje të profitit në mars 2017 kundrejt periudhës së njëjtë të vitit paraprak.

“Të hyrat neto të sektorit të sigurimeve në mars 2017 arritën vlerën prej 18.4 milionë euro, përderisa shpenzimet shënuan rënie në 8.9 milionë euro. Rënia e shpenzimeve u reflektua në rritjen e profitit të regjistruar nga sektori i sigurimeve në 912.1 mijë euro në TM1 2017, nga profiti prej 498.7 milionë euro i realizuar në periudhën e njëjtë të vitit”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

Sipas raportit rritja e profitit kryesisht i atribuohet rritjes së shënuar në kuadër të sigurimit ‘jo-jetë’ me fitim prej 808.0 mijë euro, përderisa performanca pozitive financiare e sigurimit ‘jetë’ ishte 104.1 mijë euro.

***

Kosova larg anëtarësimit në Këshillin e Byrove

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove nuk duket se do të ndodh shpejt, ngase Kosova ende nuk ka plotësuar edhe disa kushte për anëtarësim.

Kështu thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së, përfaqësuesit e së cilës janë takuar me Rrahim Pacolli, kryesues i delegacionit në bisedimet për kartonin e gjelbër

“Në kuadër të takimit KMDLNj u interesua për gjendjen aktuale të bisedimeve dhe zbatimin e Marrëveshjes më shtetin e Serbisë dhe Pacolli pohoi se marrëveshja po realizohet në plotëni. Gjithashtu, u bisedua edhe për vështirësitë, kriteret dhe mundësitë e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Byrove, e cila nuk duket se do të ndodh shpejt, ngase Kosova ende nuk ka plotësuar edhe disa kushte për anëtarësim. Nga ky takim u konstatua edhe një mungesë e vullnetit politik për shtyrë më shumë drejt plotësimit të kritereve për anëtarësim”, thuhet në komunikatë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme