Qeveria e Kosovës miraton paketën e dytë fiskale

Ministri në largim i Financave Avdullah Hoti tha se kanë punuar për të fuqizuar sektorin privat, ndërsa kërkoi nga kabineti qeveritar, që t’i miratojnë këto masa dhe ato një nga një të vijnë në qeveri.

Qeveria e Kosovës miraton paketën e dytë fiskale

“I kemi përfunduar diskutimet me të gjithë aktorët në ekonomi, përfshirë Odat Ekonomike, Klubin e prodhuesve, Odën Ekonomike Amerikane, Odën Ekonomike Gjermane, AKB, Këshillin e Investitorëve Evropian dhe odat e tjera, gjithashtu dhe shoqatën brenda Odës Ekonomike, janë konsultuar të gjitha pa përjashtim. Janë mbajtur katër diskutime publike, në katër rajone të Kosovës, në Gjilan, Prizren, Istog dhe në Mitrovicë. Dhe si rezultat i diskutimeve në terren dhe brenda në qeveri, unë sot kërkoj që qeveria të miratojë këto 22 masa të politikës fiskale”, tha Hoti.

Zëvendëskryeministri në largim Ramiz Kelmendi tha se lista e paketës fiskale 2 është elementi i fundit që prodhimtarinë vendore e vendos të barabartë me prodhuesit e shteteve  të rajonit.

Sipas tij, kjo është një arritje historike e qeverisë për Kosovën dhe prodhuesit vendorë.

Ndërsa ministri në largim i Bujqësisë Memli Krasniqi u shpreh se meritojnë përgëzime të gjithë ata që kanë punuar në finalizimin e listës së masave fiskale, pasi janë vendime që do të vazhdojnë avancimin dhe lehtësimin e ambientit të të bërit biznes dhe do të ndihmojnë në të ardhmen prodhuesit vendorë.

Kryeministri në largim Isa Mustafa theksoi se “ne dëgjuam edhe propozimet e ministrit Krasniqi dhe reflektimin e MF-së si propozues i masave lidhur me këto propozime. Unë vlerësoj se ato duhet të merren parasysh dhe do të ishte mirë si të tilla, të definohen derisa të nënshkruhet vendimi për aprovimin e këtyre masave, në mënyrë që t’i kemi pjesë të vendimit dhe qeveria e ardhshme ta ketë të qartë se çfarë ne kemi aprovuar rreth këtyre masave dhe çfarë jo”, tha ai.

Qeveria sot i ka vazhduar mandatin tre vjeçar, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave Naim Baftiu, sekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Fitim Sadiku, atij të Ministrisë së Bujqësisë Kapllan Halimit si dhe sekretarit të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit Veton Firzi. Ndërsa ka emëruar Berat Havollin këshilltar të konstituencës së Qeverisë së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.



Lajme të ngjashme