Zyra Rajonale për Bashkëpunim me Evropën Juglindore, së shpejti në Turqi

Parlamenti i Malit të Zi do të përkrahë idenë e formimit të një Zyre Rajonale në Turqi për Koordinim me Evropën Juglindore, pasi Turqia është gjithmonë në mbështetje të projekteve madhore për Malin e Zi...

Türkiye Karadağ dostluk grubu
Türkiye Karadağ dostluk grubu
Karadağ 15 Temmuz anma etkinliği
TİKA Karadağ Filip Vujanoviç
undefined

Në Kuvendin e Malit të Zi u formua Grupi i Miqësisë me Kuvendin e Madh Popullor të Republikës së Turqisë. Në krye të Grupit të Miqësisë u emërua nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci  Nimanbegu. Sipas tij, marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Turqisë janë shembull në rajon, ndërsa formimi i grupit të miqësisë parlamentare mund të jetë edhe një shtytje për avancimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, tha z. Nimanbegu në një intervistë ekskluzive për Zërin e Turqisë.

G. Nimanbegu: Me kënaqësi të veçantë kam pranuar që të jem kryetar i grupit të miqësisë me Parlamentin e Turqisë. Për këtë kam shumë arsye. Ndër të tjera ne kemi marrëdhënie të mira si me ambasadorin Galip ashtu edhe me paraardhësin e tij të cilët kanë qenë diplomat shumë aktiv dhe shumë dashamirës qoftë ndaj subjektit tonë qoftë në tërësi të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi.

V.Katana: Cilat janë detyrat dhe obligimet e grupit të miqësisë së sapoformuar?

G. Nimanbegu: Grupi i miqësisë për dallim nga grupet parlamentare nuk kanë një detyrë të përcaktuar sipas rregullores, por më tepër është një shenjë respekti dhe dëshirës që të vendosen marrëdhënie  reciproke në formën më të lartë midis dy shteteve dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të grupeve të miqësisë. Jemi informuar që së shpejti edhe Parlamenti i Turqisë do të aprovojë grupin e miqësisë dhe shpresoj që Presidenti Recep Tayyip Erdogan ashtu si deri tani do të vazhdojë të avancojë marrëdhëniet midis dy vendeve.

V. Katana: Formimi i grupeve të miqësisë, a është nisëm e re në parlamentin e Malit të Zi? 

G.Nimanbegu: Në parlamentin e Malit të Zi deri tani janë formuar 28 grupe të miqësisë me shtete të ndryshme  e unë si nënkryetarë i Parlamentit  i kryesoj disa nga to.

V. Katana: Ju  zhvilluat takimin e parë të miqësisë ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Turqisë,  Serhat Galip. Si u vlerësuan marrëdhëniet midis dy shteteve dhe a mund të pritet avancimi i tyre?

Së shpejti në Turqi, Zyra Rajonale për Koordinim me Evropën Juglindore

G. Nimanbegu: Edhe në këtë takim marrëdhëniet midis dy vendeve u vlerësuan mjaft të mira. Turqia tashmë është aleat i yni në NATO. Kjo do të ndikojë edhe në rritjen e bashkëpunimit. Sa i përket parlamentit, ne nuk kemi çështje të hapura. Parlamenti i Malit të Zi ka përkrahur në disa raste iniciativat e Turqisë, e unë edhe kësaj radhe do të përkrah idenë e formimit të një Zyre Rajonale në Turqi për Koordinim me Evropën Juglindore. Kjo nismë do të prezantohet në Forumet e ardhshme  dhe shpresojmë që së shpejti ç’do  çështje ku ne mund të ndikojmë do të jemi pranë Ambasadës së Turqisë dhe Parlamentit turk. Ambasada e Turqisë dhe Qeveria turke ka ndihmuar shumë në disa projekte të rëndësishme në Mal të Zi. Vlera e tyre kap shifrën e dhjetëra milion eurove, e kjo s’ka dyshim e bën Turqinë një ndër donatorët bilateral më të fuqishëm në Mal të Zi.

V. Katana: Në Parlament ju përfaqësoni Ulqinin - shqiptarët e Malit të Zi. Me Ulqinin Ambasada e Turqisë në Podgoricë, Zyra e TIKA-s dhe Instituti “Yunus Emre” kanë bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë. Me zgjedhjen tuaj për kryetarë të Grupit të Miqësisë a mund të pritet që këto marrëdhënie të avancohen edhe më shumë?

G. Nimanbegu: Krahas aktiviteteve dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore ku është zhvilluar bashkëpunimi, besoj që nevoja paraqitet edhe për bashkëpunim ekonomik. S’ka dyshim që ne jemi një destinacion atraktiv për investitorë  potencial dhe Turqia është dëshmuar që ka kapacitete shumë të larta që të investojë në sferën e turizmit. Shpresojmë që kjo të jap fryte shumë shpejtë.

Sipas z. Nimanbegu, pakicat nacionale mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe mund të jenë ura lidhëse midis dy popujve dhe Shteteve. Ai njëkohësisht  paralajmëroi vizitën Parlamentit të Turqisë , ku do të prezantohen edhe projekte dhe ide konkrete të bashkëpunimit. 

                                                                            ***       

Ambasada e Turqisë në Podgoricë nderon dëshmorët e 15 korrikut 2016

Pritje koktej me rastin e Fitores se Demokracisë

Ambasada e Turqisë në Malin e Zi  shënon sot Fitoren e Demokracisë  dhe me nderim do të kujtojë dëshmorët e rënë me 15 korrik të vitit 2016. Me këtë rast Ambasadori I Turqisë në Podgoricë z. Serhat Galip do të organizojë një takim me të ftuar ku do të bëhet një prezantim i shkurtër i ngjarjes së 15 korrikut dhe me nderim do të kujtohen  të rënët që dhanë jetën në mbrojtje të demokracisë dhe të ardhmes së vendit.

                                                                          ***

Në 10-vjetorin e punës së Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Mal të Zi, pritje nga Presidenti i vendit, Filip Vujanoviq

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) gjatë 10 viteve të punës së saj në Mal të Zi ka realizuar afro 300 projekte me vlerë 20 milionë euro. Projektet janë të fokusuara në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, avancimit të infrastrukturës dhe përkrahje në punësim. Falënderim zyrës së TIKA-s dhe shtetit të Turqisë i shprehu Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në takimin që pati me shefin e zyrës së TIKA-s në Mal të Zi, Ahmet Altun. Ky i fundit në takim tha se aktivitetet e TIKA-s janë në funksion dhe interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe se ato janë shprehje e miqësisë së Turqisë dhe Malit të Zi.

                                                                 ***

Shoqëria Kulturore Artistike NAKEM nga Bursa, turne koncertesh në rajon

Folklori turk mirëpritet nga auditori malazias

Instituti “Yunus Emre” në Podgoricë në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Zeta dhe Shoqërinë Slavia nga Podgorica organizuan mbrëmjen e folklorit turk. Në koncert u prezantuan vallet popullore nga vise të ndryshme të Turqisë nën interpretimin e shoqatës së folkloristëve të rinjNamik Kemal” nga Bursa. Shoqata Kulturore Artistike “NAKEM” në bashkëpunim me Institutin ka realizuar disa koncerte në kuadër të  turneut Ballkanik, ndërkaq në Mal të Zi ka organizuar dy koncerte, një në Zetë dhe një për publikun e kryeqytetit të Malit të Zi, në Sheshin e Pavarësisë, deklaroi zëvendësdrejtori i Institutit Yunus Emre, Can Guray.

 

Për Zërin e Turqisë nga Mali i Zi raportoi - Vera Albegu Katana



Lajme të ngjashme