KFOR 23 - Forca e Sigurisë së Kosovës përfundon me sukses stërvitjen në Gjermani

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i komanduar nga Kapiteni Fatmir Lani, nga data 19 qershor deri më 11 korrik po merr pjesë në stërvitjen e përbashkët KFOR 23 në Bazën e Ushtrisë Amerikane për Evropën (USAREUR), në Gjermani...

KFOR 23 - Forca e Sigurisë së Kosovës përfundon me sukses stërvitjen në Gjermani

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i komanduar nga Kapiteni Fatmir Lani, nga data 19 qershor deri më 11 korrik po merr pjesë në stërvitjen e përbashkët KFOR 23 në Bazën e Ushtrisë Amerikane për Evropën (USAREUR), në Qendrën e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri (JMRC), në Hohenfild të Gjermanisë.

Kontingjenti i FSK-së është i përbërë prej 16 pjesëtarëve, një skuadër me 9 pjesëtarë të Kompanisë për Mbrojtje Kimike-Biologjike-Atomike (MKBA) dhe një ekipi me 5 pjesëtarë për eliminimin e Mjeteve Eksplozive të Pashpërthyera (EOD) e Kompanisë së Deminimit, si dhe dy vëzhgues-kontrollues.

Për të parë nga afër operacionet përfundimtare të stërvitjes KFOR 23 të kontingjentit të FSK-së, i cili i është bashkuar Brigadës së 39-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane për Evropën në Ditën e Vizitorëve në Gjermani, përveç personaliteteve të shumta ushtarake amerikane, gjermane dhe të vendeve tjera të NATO-s, qëndruan edhe Gjeneralbrigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe Jahir Sejdiu.

Gjenerali Halimi nga drejtuesit e ushtrimit mori komente dhe vlerësime shumë të larta për angazhimin, disiplinën dhe profesionalizmin që po tregojnë pjesëtarët e FSK-së.

Gjatë aktiviteteve trajnuese dhe stërvitore të ushtrimit, ekipi i EOD-së ka për mision që të detektojë dhe shkatërrojë mjetet e pashpërthyera, ndërsa skuadra e MKAB-së të bie në kontakt me autoritetet lokale për të bërë vlerësimin e zonës së kontaminuar.

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas përfundimit me sukses të ushtrimit, i cili u drejtua nga Qendra e Bashkuar Shumëkombëshe për Gatishmëri, pritet që të kthehet në vend për të vazhduar shërbimin me profesionalizëm dhe përkushtim.



Lajme të ngjashme