Juncker uron Ramën: Mandat i qartë për zbatimin e mëtejshëm të reformave

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka uruar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit...

Juncker uron Ramën: Mandat i qartë për zbatimin e mëtejshëm të reformave

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka uruar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet e 25 qershorit.

Përmes një letre të publikuar në “Twitter”, Juncker thekson se rezultati i zgjedhjeve tregoi që qytetarët shqiptarë i kanë dhënë Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, një mandat të qartë për të vijuar më tej reformat, të cilat qeveria shqiptare tashmë ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit.

“E mirëpres faktin që pas zgjedhjeve ju i keni shtrirë dorën opozitës duke theksuar nevojën për të kapërcyer dallimet e theksuara ndërpartiake dhe duke nënvizuar sfidat e përbashkëta që presin Shqipërinë”, nënvizon Juncker.

Më poshtë, letra e plotë e Presidentit të KE-së për Kryeministrin Rama:

I dashur Kryeministër Edi Rama! Do të doja që përzemërsisht t’ju përgëzoja për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Rezultati i këtyre zgjedhjeve tregon se qytetarët shqiptarë ju kanë dhënë një mandat të qartë për të vijuar më tej reformat, që ju tashmë keni ndërmarrë gjatë viteve të fundit. E mirëpres faktin që pas zgjedhjeve ju i keni shtrirë dorën opozitës duke theksuar nevojën për të kapërcyer dallimet e theksuara ndërpartiake dhe duke nënvizuar sfidat e përbashkëta që presin Shqipërinë.

Rruga e vendit tuaj drejt Bashkimit Evropian në të vërtetë do të kërkojë dialog dhe bashkëpunim konstruktiv ndërpartiak. Shqipëria është një partner tepër i rëndësishëm për BE-në dhe Komisioni Evropian pret vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në BE në të ardhmen.

Përpjekje konkrete janë të nevojshme për të avancuar më tej zbatimin e reformës në drejtësi dhe veçanërisht procesin e vetting-ut të gjykatësve, prokurorëve dhe për të luftuar me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar duke përfshirë edhe atë kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Jam i bindur që ju do të përqendroheni fort në kapërcimin e sfidave të ardhshme dhe do të doja t’ju siguroja për mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian.”



Lajme të ngjashme