Hoxhaj në Dubrovnik: Kosova shembull në parandalimin e kërcënimeve të jashtme

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës së tij në Dubrovnik të Kroacisë, ka marrë pjesë në Forumin Vjetor të Dubrovnikut.

Hoxhaj në Dubrovnik: Kosova shembull në parandalimin e kërcënimeve të jashtme

“Në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci ku temë kryesore ishte paqja, stabiliteti dhe siguria në Mesdhe, konstatohet nga të gjithë që Kosova është një shembull i shtetndërtimit të suksesshëm në planin e brendshëm dhe një shembull i angazhimit të saj rajonal dhe ndërkombëtar në parandalimin e kërcënimeve të jashtme”, theksoi Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj në diskutimet e panelit të parë të këtij forumi ka folur për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, si dhe për sfidat e sigurisë që ekzistojnë aktualisht.

Hoxhaj u shpreh se ka ende probleme ndërshtetërore të pazgjidhura mes vendeve të caktuara të Evropës Juglindore, duke përmendur këtu edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, çështjen mospajtimeve për emrin e Maqedonisë, me Greqinë etj.

Ministri Hoxhaj në fjalën e tij tha se ekzistojnë disa rreziqe që mund të ndikojnë në stabilitetin e Evropës Juglindore, siç janë rritja e nacionalizmit, institucionet e brishta, varfëria, dhe në anën tjetër lufta informative dhe lajmet e jo të vërteta, janë po ashtu cenues të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Këto rreziqe, ka thënë Hoxhaj, mund të luftohen me institucione të forta dhe me ndihmën e shoqërisë civile dhe medias.

Për dy ditë me radhë, Hoxhaj ka qëndruar në Dubrovnik të Kroacisë ku përveç Forumit të Dubrovnikut sot, ka marrë pjesë në Samitin e SEECP-së gjatë ditës së djeshme.



Lajme të ngjashme