Për Fitër Bajram, të gjithë të lumtur në Kosovë

Fitër Bajrami i bashkoi të gjithë në Kosovë me mesazhet pozitive dhe paqësore që erdhët nga personalitetet e vendit.

Bayram Kosova.jpg
Kosova erken seçim_kendin karar al hareketinin destekçileri kutlama yaptı.jpg
Kosova Priştine-deki Sulltan Mehmet Fatih Camii
kosova cumhurbaşkanı meclisi feshetti.jpg
Kosova Bakanlar Kurulu Toplantısı.jpg
En tatlı ramazan mesaisi 2.jpg

Presidenti Hashim Thaçi uron Fitër Bajramin

Të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj festën e Fitër Bajramit, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, presidenti Hashim Thaçi.

“Në këto ditë feste, që gjithmonë kremtohen me solidaritet dhe humanizëm të madh, me unitet dhe mirëkuptim mes njerëzve, ne çdo herë e më shumë po ndajmë me njëri-tjetrin vlerat që kemi, po ndajmë devotshmërinë tonë dhe po e thellojmë edhe më shumë frymën e tolerancës. Qytetarët tanë gjithmonë kanë qenë të bashkuar rreth kultivimit të këtyre vlerave humane”, ka shkruar presidenti Thaçi.

***

Kryeministri Isa Mustafa uron Fitër Bajramin

Edhe kryeministri në largim i Kosovë Isa Mustafa, në profiling e tij në facebook u ka uruar qytetarëve të Kosovës, festën e Fitër Bajramit.

“Urimet më të përzemërta për besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e përfundimit të Muajit të Ramazanit dhe kremtimit të Festës së Fitër Bajramit.

Muaji i shenjtë i Ramazanit dhe përmbyllja e tij me Festën e Bajramit, forcojnë besimin dhe vlerat më të larta njerëzore të humanizmit, sakrificës, dashurisë dhe mirësisë.

Festat e tilla janë, po ashtu, një rast i mirë për njerëzit e vullnetit të mirë që të fuqizojnë përkushtimin dhe vendosmërinë për të ardhmen. Urime”, ka shkruar Mustafa.

***

Albin Kurti uron Fitër Bajramin, duke kujtuar hoxhallarët që punuan për kombin

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka publikuar një shkrim në profilin e tij në Facebook, ku duke uruar Festën e Fitër Bajramit ka përmendur njerëz fetarë, të cilët kanë kontribuar për kombin.

“Sot është dita e fundit e një muaji të shenjtë për besimtarët myslimanë, siç është Ramazani. Ky muaj karakterizohet nga sakrifica e përditshme që bëhet për të përmirësuar vetveten e për t’iu afruar idealit që dëshirojnë vetë besimtarët. Por, edhe përtej komunitetit të besimtarëve, mesazhi e shembulli i sakrificës së përditshme është i vlefshëm. E si do të mund ta ndërtojmë vendin e atdheun tonë, si do të mund ta përparojmë kombin e shoqërinë tonë pa sakrifica të përditshme? Këto sakrifica janë të vogla po t’i shohim sakrificat e mëdha që kanë bërë njerëzit e shquar të kombit tonë, pa dallim feje a besimi. Ne i përkujtojmë ata me respekt, e meqë nesër do të jetë festa e madhe e besimtarëve myslimanë, Bajrami, unë sot dëshiroj të kujtoj me nderim kontributin dhe sakrificën e disa veprimtarëve atdhetarë myslimanë të shquar nga Kosova. Sigurisht, për arsye vendi e kohe nuk do të mund t’i përmend të gjithë.

Mund t’ia nisim duke përmendur rilindasin e shquar, një nga figurat themelore të shqiptarizmës, Ymer Efendi Prizrenin, intelektualin atdhetar, veprimtarin e Komitetit të Stambollit bashkë me vëllezërit Frashëri, organizuesin e kuvendit e kryesuesin e qeverisë autonome të Lidhjes së Prizrenit. Po ashtu mund të përmendim Hoxhë Kadri Prishtinën, veprimtar i çështjes kombëtare, kryesues i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitet ´20, promovues i kulturës dhe gjuhës shqipe, botues e dijetar, bashkëpunëtor i Fan Nolit dhe i Hasan Prishtinës, i cili qysh atëherë kërkonte që arsimi fillor e ai gjysmë i mesëm të ishte falas dhe për të gjithë fëmijët. Ose, mund të përmendim edhe Mulla Hasan Masuricën nga Kamenica e Hafiz Ymer Shemsiun nga Prishtina, që përveçse dijetarë të fushave të ndryshme, luftuan me armë në dorë kundër pushtuesve bullgarë e kundër atyre serbë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ose, imami Arif Shala nga Drenica, i cili në vitet 1930 u shqua për aktivitetin e tij kombëtar, duke i thirrur njerëzit në edukimin shqip, duke e kundërshtuar shpërnguljen e popullit shqiptar të Kosovës në Turqi, e duke dalë hapur kundër politikave kolonizatore të Serbisë, por po ashtu edhe kundër pushtuesve nazi-fashistë. Imami Arif Shala pas Luftës së Dytë Botërore doli komit, në përpjekje për ta çliruar Kosovën e për ta bashkuar atë me Shqipërinë, dhe aty ra dëshmor. E nuk mund të lëmë pa përmendur figurën e shquar, Mulla Idriz Gjilanin, edukuesin e arsimuesin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, me frymën kombëtare, me idealin e bashkimit, dhe me dashurinë për shqipen. Bamirës i madh, hapës i shkollave, ndërtues i veprave publike dhe themelues i organizatave patriotike, edhe Idriz Gjilani i përket atij grupi atdhetarësh myslimanë që për çështjen kombëtare kanë kapur armën e kanë luftuar. Ai ra dëshmor në përballje me represionin e armatosur serb e jugosllav në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.

Përveç këtyre pionierëve të atdhedashurisë, kanë qenë dhjetra hoxhallarë e imamë, me mijëra besimtarë myslimanë, që kanë vepruar bashkë me shqiptarë të besimeve të tjera apo edhe me ateistë, për ta mbajtur gjallë frymën e organizimin kombëtar gjatë viteve të regjimit jugosllav, e shumë prej tyre kanë përfunduar të ekzekutuar apo kanë mbajtur vite të gjata në burgjet jugosllave. Ia vlen po ashtu të kujtojmë se gjatë viteve të ’90-ta Medreseja e Prishtinës ishte bërë vendi i tubimeve politike të rezistencës shqiptare kundër Serbisë dhe se 37 hoxhallarë kanë rënë dëshmorë në luftën për çlirimin e Kosovës duke luftuar në radhët e UÇK-së.

I kujtojmë ata gjithmonë me nderim, të bindur se shqiptarët myslimanë edhe në të tashmen, edhe në të ardhmen, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë e të bashkëveprojnë me bashkatdhetarët e tyre të cilitdo besimi qofshin, që të kontribuojnë edhe më ashumë për kombin, për dijen, për shkencën, për artin, për ekonominë e për shoqërinë, si dhe për përparimin e kombit tonë drejt barabarësisë me kombet e tjera”,  ka shkruar Albin Kurti.

***

Kandidati për kryeministër Haradinaj, uron po ashtu Bajramin

“Te gjithë shqiptarëve të Besimit Islam, por edhe besimtarëve të tjerë që kanë Bajram, urime kjo ditë e shenjtë”, ka shkruar në profiling e tij në Facebook, kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj.

“Urimet më të përzemërta në këtë ditë feste, edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës, dhe kreun e saj, Myftiun Naim Tërnava!

Kjo Ditë Bajrami, që vjen pas muajt të shenjtë të Ramazanit, edhe një herë na e kujton se sa i nevojshëm është solidariteti dhe ndihma për ata që kanë nevojë. Le të na shërbejë kjo ditë si ogur i mirë, që të jemi solidarë e ta mbështesim njëri tjetrin në vazhdimësi. Me Fat Fitër Bajrami”, ka uruar Haradinaj.

***

Edhe kandidati tjetër për kryeministër, Avdullah Hoti, uron Bajramin 

Edhe kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit LDK, Alternativa, AKR Avdullah Hoti ka uruar festën e Fitër Bajramit. Në një urim të shkurtë në profilin e tij në Facebook ai ka shkruar.

“Urime besimtareve myslimane ne Kosove përfundimin e Ramazanit dhe Festen e Bajramit. Paqe dhe miresi ne familjet e te gjithë qytetareve te Kosovës", shkruan Avdullah Hoti

***

Fitër Bajramin urojnë edhe Partitë Politike

Fitër Bajramin përveç kandidatit për kryeministër nga Vetëvendosje Albin Kurti, ka uruar edhe vet Partia e tij.

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, për festën e Fitër Bajramit.

Pas muajit të Ramazanit, muaj ku ndërlidhen përkushtimi e sakrifica duke u bërë një shkëputje nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, besimtarët muslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën që shton mëshirën dhe solidaritetin ndaj njëri-tjetrit.

Urojmë që sikurse në këtë ditë kur ata që kanë më shumë japin për nevojtarët (zeqatin), t'i gjendemi përherë pranë të varfërve dhe të angazhohemi përditë për një shoqëri të barabartë e solidare. Sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit për shoqërinë e shtetin tonë, kurse solidariteti dhe dashuria që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramin të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.

Gëzuar Fitër Bajrami me urimet më të përzemërta për sa më shumë mbarësi e begati në familjet tuaja. Shëndet e mirësi për secilin! Urime”, thotë Vetëvendosje.

***

Bajramin uron edhe Partia Konservatore e Kosovës

Me rastin e festës së Fitër Bajramit ,Partia Konservatore e Kosovës uron përzemërsisht të gjithë qytetarët e vendit tonë!
“Pas një muaji të kaluar në vetëpërmbajtje, përkushtim të plotë, dashuri ndaj Krijuesit dhe njeriut, besimtarët Islamë i gëzohen festës së Fitër Bajramit, e cila simbolizon përkushtimin e njeriut për mbizotërimin e të mirës ndaj të keqes. Uroj të ketë festë në familjet tona, duke mos harruar të jemi pranë njeri tjetrit dhe më solidarë me fqinjët, miqët dhe të gjithë ata që kanë nevojë të jemi pranë tyre, vlera këto emblematike të kësaj feste. Edhe në këtë Festë i kujtojmë me pietet sakrificën më sublime të dëshmorëve tonë duke u lutur për shpirtat e tyre tek Zoti i Madhërishëm!
Gëzuar dhe për shumë mot Fitër Bajramin”, ka shkruar kryetari i Partisë Munir Basha.

***

Partia Fjala uron festën e Fitër Bajramit

Festën e Fitër Bajramit, ka uruar edhe Partia Fjala.

“Kemi kënaqësinë të ju urojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo që na bashkon, gëzon dhe tregon se në përfunduam me sukses Muajin e Bekuar të Ramazanit dhe arritëm të i përgjigjemi obligimit madhor të Zotit të Madhëruar duke agjëruar dhe duke dëshmuar dëgjueshmërinë dhe respektin për obligimet tona fetare.

Lutemi që ZOTI i Lartëmadhëruar të ju shpërblej dhe të ju bekoj për gjitha obligimet dhe adhurimet e kryera gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit.

Në këto ditë feste të Fitër Bajramit, nuk duhet të i harrojmë jetimët, të varfrit, invalidët si dhe mbarë familjet e atyre që flijuan vetën për mirëqenien tonë shpirtërore dhe fizike që në këtë festë të ndihemi krenar për gjakun e derdhur të më të dashurve të tyre, që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Mos të gëzohemi vetëm për vete, por të i gëzojmë edhe ata, të ju ndihmojmë dhe të jemi pranë tyre në çdo aspekt.

Lutemi dhe urojmë që në vendin tonë të sundoj drejtësia, paqja, toleranca, bashkëjetesa, respekti dhe solidariteti me të gjithë qytetarët. Urime, shëndet dhe suksese.
ZOTI i Lartëmadhëruar ju bekoftë”, thuhet në urimin e Partisë Fjala.

Anëtari i Vëtëvendsjes Ramabaja fyen shqiptarët mysliman

Në ditën e fundit të Muajit të shenjtë të Ramazanit, kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes Sadri Ramabaja, ka fyer rëndë besimtarët të cilët kishin bërë iftar të organizuar në Kamenicë, duke e quajtur "ngjarje antihistorike" si dhe i ka quajtur "grup haxhiqamilësh".

Kjo ka ngjallë reagime të ashpra të opinionit, pasi Rambaja në këtë shkrim të cilin e ka postuar në Facebook, ka marrë për një kohë të shkurtë me qindra komente kritikuese. Komentuesit kërkonin nga Lëvizje Vetëvendosje distancim nga ky postim i tij, duke thënë se janë shqiptarët mysliman të cilët kanë ndihmuar në ngritjen e Vetëvendosjes me 100% në zgjedhjet e fundit.

Vetëvendosje distancohet nga gjuha dhe qëndrimi fyes i Sadri Ramabajës

Vetëvendsje! vetëm disa orë pas publikimit të një statusi racist në Facebook, të anëtarit të saj Sadri Ramabaja, është distancuar përmes një komunikate në Facebook.

“Përmes një statusi në facebook, kandidati ynë për deputet, Sadri Ramabaja, ka komentuar një iftar të organizuar në komunën e Dardanës, me ç'rast ka përdorur gjuhë të papërshtatshme e cila ka bërë të ndjehen të fyer besimtarët myslimanë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! distancohet nga gjuha e përdorur dhe qëndrimi i Ramabajës. Shprehim keqardhje për të gjithë ata që janë ndjerë keq nga reagimi i Ramabajës, si dhe mbesim të përkushtuar dhe angazhohemi që liria e besimit të jetë e pacenueshme”, thuhet nga Lëvizja Vetëvendosje.

***

Mustafa: Fitër Bajrami na bashkon të gjithëve

Krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës, ku i kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, përmes urimit të tij për Bajram, vlerësoi punën e BIK-ut.

“Kjo është festë që të gjithëve na bënë bashkë, jo vetëm simbolikisht në një tryezë, por edhe mendësisht që ne bashkërisht të shkojmë përpara, që të zgjidhim të gjitha problemet që janë probleme të qytetarëve tanë, që të jetojmë më mirë, që të respektojmë vlerat themelore të një shoqërie, që të punojmë për paqe, për stabilitet dhe për mirëqenie të gjithë qytetarëve tanë. Unë shpreh edhe sot, respektin shumë të lartë për Bashkësinë Islame të Kosovës, për punën që kjo Bashkësi dhe që e ka bërë në unitetin e qytetarëve tanë, por edhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe më gjerë”, tha ai.

***

Limaj: Besimi në Zot është besim në paqe

Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, gjatë vizitës së i që bëri Bashkësisë Islame të Kosovës me rastin e Festës së Fitër Bajramit, ka thënë se muaji i Ramazanit është shembulli më i mirë se besimi në Zot është besim në të mirë dhe besim në paqe.

“Patëm kënaqësinë të vijmë tek Myftiu ynë dhe përmes kësaj me i uruar gjithë qytetarët tanë për këtë Festë të madhe të Bajramit. Pas një muaji sakrifice, agjërimit, mëshirës vjen Bajrami dhe si shpërblim për gjithë përkushtimin që besimtarët kanë pasur në drejtim të Zotit, unë e shfrytëzova rastin që besimtarët t’i uroj përmes Myftiut, paqja dhe mëshira qoftë me ta. Të pranohen mesazhet e kësaj feje të paqes. Shembulli më i mirë se besimi në Zot është besim në të mirë dhe në paqe, është pikërisht muaji i Ramazanit”, ka thënë Limaj.

***

Pacolli: Mbretëroftë begatia mbi popullin tonë

Me rastin e vizitës së tij në Bashkësinë Islame të Kosovës, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli në urimin drejtuar qytetarëve u shpreh se lutet që të mbretërojë mirëqenia mbi popullin e Kosovës.

“Në këtë ditë të madhe shfrytëzoj rastin që t’iu uroj të gjithë qytetarëve myslimanë të Kosovës Ditën e Bajramit. Lus Perëndinë që të dominojë gjithmonë mirëqenia, lumturia dhe begatia mbi popullin tonë”, tha Pacolli.

***

Namazi i Bajramit u fal për herë të parë tek Xhamia e Ibrit në Veri të  Mitrovicës

Qindra qytetarë kanë falur namazin e Fitër Bajramit për herë të parë 18 vjet pas luftës, në vendin ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri të Mitrovicës.

Ata u shprehën tejet të lumtur që pas 18 vitesh sërish po dëgjohet ezani në këtë vend.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Burim Veliu, ka uruar që shqiptarët e veriut, por edhe të tjerët, në të ardhmen të falen në këtë vend ku ka qenë xhamia e Ibrit në veri, dhe jo nëpër xhamitë e ndryshme në jug të qytetit.

Ceremonia e faljes së namazit është zhvilluar nën masa të shtuara të sigurisë dhe nuk është shënuar ndonjë incident. 

***

Ekzekutimi i pagave të qershorit bëhet më herët për nder të festës së Fitër Bajrami

Ministria e Financave ka njoftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, respektivisht të gjithë shërbyesit e administratës publike dhe ata që marrin pagë nga Buxheti i Republikës së Kosovës, se Ministria e Financave më 23 qershor, ka bërë ekzekutimin e pagave për muajin qershor.

Për shkak të festës së Fitër Bajramit dhe duke u nisur nga gjendja e mirë në bilancin bankar të Qeverisë, ekzekutimi i pagave është bërë disa ditë më herët nga ekzekutimi i rregullt.

Me këtë rast, Ministri i Financave Avdullah Hoti të gjithë besimtarëve mysliman të Republikës së  Kosovës u uron festën e Fitër Bajramit, duke ju dëshiruar më shumë paqe, harmoni, solidaritet dhe mbarësi në familjet e tyre.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem Saragjolli -



Lajme të ngjashme